BOTA

Brexit pa marrëveshje, tani edhe BE i humb shpresat

09:43 - 02.09.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

I ngarkuari i BE për marrëveshjen e Brexit, Michel Barnier është i shqetësuar. Shanset e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian me marrëveshje nuk duken aspak të mira.




“Nuk jam optimist në çështjen, nëse një skenar “no-deal” mund të shmanget”, shkruan Michel Barnier në një artikull për gazetën britanike “Sunday Telegraph”. Në të njëjtën kohë, ai theksoi, se Backstop-i duhet të mbetet, për të garantuar integritetin e tregut të BE dhe në të njëjtën kohë të ketë një kufi të hapur mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Barnier theksoi, se me Backstop-in garantohet „maksimumi i fleksibilitetit”.

Por pikërisht Backstop-i është tema më e kontestuar në marrëveshjen e Brexit. Marrëveshja e negociuar mes BE dhe ish-kryeministres, Theresa May parashikon, që të mos rivendosen kontrolle në kufirin gati të pakontrolluar mes Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Po ashtu BE kërkon të pengojë rindezjen e konfliktit mes katolikëve dhe protestantëve në ishull, gjë që nuk përjashtohet në rast të një kufiri me kontrolle.

Boris Johnson kundër Backstop-it

Kreu i qeverisë britanike, Boris Johnson nga ana e tij e refuzon Backstop-in. Arsyetimi: Britania e Madhe mund të pengohet me këtë në përpjekjet e saj për të arritur marrëveshje të reja tregtie me shtetet e treta. Johnson ka deklaruar, se do të ketë Brexit me 31 tetor, në rast nevoje edhe pa marrëveshje daljeje nga BE. Pa marrë parasysh problematikën e Brexit, kryeministri i ri e detyron parlamentin në Londër të bëjë një pauzë pesëjavore. Vetëm në 14 tetor, dy javë e gjysmë para Brexit, Johnson do të prezantojë para parlamentarëve programin e tij. Kundërshtarët thonë, se me këtë ai do të pengojë iniciativat e opozitës kundër politikës së tij në parlament. Në çdo rast, parlamentarët britanikë kanë shumë pak kohë, që të pengojnë një dalje të Britanisë së Madhe pa marrëveshje.

Në fundjavë dhjetëra mijëra vetë dolën kundër vendimit të Boris Johnsonit në protesta. I inkurajuar nga protestat, kreu u opozitës, laburisti, Jeremy Corbyn u bëri thirrje të gjitha partive për rezistencë kundër Johnsonit. Duhet që të bashkohemi të gjithë, për të penguar një dalje të Britanisë së Madhe pa marrëveshje, ka thënë Corbyn./DW


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.