Kosova

Ekspertët: Zgjedhjet në Kosovë nuk kanë lidhje me vizat

11:02 - 03.09.19 gsh

Liderët e partive, në kuadër të premtimeve parazgjedhore, kanë filluar premtimet e tyre për heqjen e vizave, ndërkohë që shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të mos jenë në një mendje për këtë proces. Ekspertët e integrimeve vlerësojnë se zgjedhjet nacionale në Kosovë nuk e pengojnë heqjen e vizave, por që ky proces nuk pritet të jetë në agjendë të BE-së së paku deri në vitin 2020, shkruan gazeta “Zëri”.



Po bëhen tashmë 10 vjet qëkur liderët shtetërorë të Kosovës i kanë filluar premtimet e tyre për liberalizim të vizave, derisa ky proces vazhdon të mbetet i bllokuar te Këshilli i Ministrave i BE-së, i cili ende nuk e ka futur në agjendë. Mirëpo kjo gjë nuk i ka ndaluar krerët e partive në Kosovë që në kuadër të premtimeve elektorale ta përmendin edhe heqjen e vizave për Kosovën. Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili deri më tani dhjetëra herë ka premtuar heqjen e vizave, një premtim të tillë e bëri përsëri javën që lamë pas, duke theksuar se liberalizimi mund të ndodhë më së largu deri në tetor të këtij viti.

“Jemi në proces. Mendoj se nuk ka mbetur shumë. Tani në shtator do të vijë delegacioni i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, në javën e parë ose në të tretën. Nuk është çudi të merret në këtë vjeshtë, qoftë edhe para zgjedhjeve është i mundshëm, pra nuk është çudi. Në tetor besoj po se po”, ka thënë Haradinaj. Mirëpo ekspertët e integrimeve vlerësojnë se institucionet e reja të BE-së nuk e kanë prioritet heqjen e vizave për Kosovën, pasi ka ende shtete të BE-së të cilat janë skeptike për këtë proces. Rrjedhimisht sipas tyre, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të futet në agjendën e BE-së deri në vitin 2020./Zeri

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *