EKONOMI

Denaj: 47% e subjekteve të kontrolluara nuk zbatojnë ligjet

15:10 - 05.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Rreth gjysma e bizneseve që janë kontrolluar në vend kanë rezultuar me shkelje. Ministrja Anila Denaj ka dhënë detaje në lidhje me aksionin antiinformalitet, që duket se ka nisur të japë rezultatet e para në mble-dhjen e të ardhurave që janë rritur me 4.7%. Ministrja deklaroi se tashmë në fokus do të jenë kontrollet për sigurinë dhe deklarimin e punonjësve. Dy muaj pas aksionit antiinformalitet, gjysma e bizneseve të kontrolluara ka rezultuar me shkelje. Ministrja e Financave, Anila Denaj, ka deklaruar se për të parandaluar abuzimet parashikohet të bëhet një përshkallëzim i masave për të penalizuar abuzuesit, të që do të jenë gati në 15 shtator. Ndërkohë që kanë nisur të ndjehen efektet e para, duke rritur të ardhurat me 4.7% vetëm gjatë muajit gusht ose 1.6 mld më shumë.




Analiza
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, bëri të ditur dje në një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve, Delina Ibrahimaj; drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Arlind Gjokuta dhe zv. ministrin Elton Haxhi, me anë të së cilës informoi opinionin publik mbi rezultatet e zbatimit të planit operacional të luftës kundër informalitetit për muajin gusht. Ministrja Denaj bëri me dije se gjatë muajit gusht ka një realizim në masën 100% të planit të të ardhurave nga tatimet, doganat dhe kontributet, të cilat janë rritur me gati 4.7% ose rreth 1.6 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar. Për periudhën 8-mujore të ardhurat u rritën me 3.8%, ose rreth 9.7 miliardë lekë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. “Kjo performancë – theksoi Denaj – ka bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të vijojë me korrektesë zbatimin e kalendarit të rimbursimeve të TVSH-së, ku vetëm gjatë muajit gusht janë rimbursuar 1.68 miliardë lekë, ose 42% më shumë se muaji gusht i vitit të kaluar”.

“Për periudhën 8-mujore u janë rimbursuar 11,8 miliardë lekë TVSH bizneseve, nga 9.22 miliardë lekë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2018, ose 2.6 miliardë lek më shumë, ose 28.7% rritje”, tha ministrja. Rezultate mbi zbatimin e masave të planit operacional ku-ndër informalitetit dhanë edhe drejtorët e Administratave Tatimore dhe Doganore. Drejtoresha e përgjith-shme e Tatimeve informoi se për periudhën 4 korrik-3 shtator janë kryer 4460 kontrolle nga Administrata Tatimore, ku janë konstatuar 1882 shkelje të legjislacionit tatimor. “Në fokus parësor të punës sonë për pjesën e mbetur të vitit do të jenë deklarimet e pagave, në bashkëpunim edhe me Inspektoratin e Punës”, u shpreh Ibrahimaj. Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Doganave informoi se që nga fillimi i zbatimit të planit operacional janë kryer 1454 kontrolle, nga të cilat kanë rezultuar me shkelje 90 raste. “Në total, detyrimi i subjekteve shkon 220 milionë lekë. Fokusi kryesor ka qenë sektori i karburanteve, në të cilin janë kryer kontrolle të detajuara në magazinat e lira dhe rafineritë e prodhimit si dhe në subjektet konsumatore apo përdorues të lëndëve djegëse që janë produkt i akcizës”, u shpreh Gjokuta. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave bëri me dije se në vijim plani operacional do të fokusohet në kontrollin e karburanteve për anijet e peshkimit, kontrollin e lëndëve të para që do përdoren për prodhimin e pijeve alkoolike dhe se ka nisur të kryhet inventari i fuçive të birrës dhe rakordimi i pullave fiskale, ndërkohë që në fokus të veçantë do të jetë edhe kontrolli i tregtisë informale të duhanit të grirë.

Bilanci i Administratës Tatimore për muajin gusht:

101% Plani i të ardhurave, ose 185 milionë lekë më shumë se parashikimi.
12% tejkalim i planit të rimbursimit të TVSH-së, ose 184 milion lekë më shumë.
4,460 kontrolle gjatë periudhës 4 korrik – 3 shtator, me 1,882 shkelje të konstatuara të legjislacionit tatimor.
80 vizita fiskale vetëm në muajin gusht.
653 kontrolle në subjekte të fushës së hidrokarbureve me 12 shkelje të legjislacionit tatimor të konstatuara
21 mijë vizita informuese dhe ndërgjegjësuese me tatimpaguesit në 8 muaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.