Dossier

“Litari ishte varur”/Rrëfimi “bombë” i gjeneral Parllakut: Si e kuptoi Everi skemën e Mehmet Shehut

14:02 - 05.09.19 gsh

Frika për një puç ushtarak duket se e ka shtyrë Enver Hoxhën që të sulmojë drejtuesit e lartë të Ushtrisë. Duke dënuar ata, Enver Hoxha dobësonte pozitat e forta që Mehmet Shehu kishte në Ushtri, ku në Shtabin e Përgjithshëm kishte emëruar 7 komandantë dhe gjeneralë të Brigadës së parë.



Në rrëfimin e tij për “Panorama” gjeneral Parllaku tregon debatet që u bënë për tezat e reja se si do të riorganizohej Ushtria Shqiptare pas daljes nga Traktati i Varshavës dhe orientimi për të bërë komandantë të Ushtrisë njerëz pa përvojë dhe pa arsimin ushtarak.

Si lindi diskutimi për ndryshimin e artit ushtarak?

Sa kohë ishim në Traktatin e Varshavës, stërviteshim sipas standardit të këtij traktati. Pasi i prishëm marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, lindi nevoja që të modifikohej strategjia jonë ushtarake. U mblodhën kuadrot kryesore, më 1962 u prezantuan disa teza, si teza të artit ushtarak nga ministri i Mbrojtjes, mbi të cilat do të mbështeteshin fillimisht derisa të përpunohej arti i ri ushtarak. Kaluan 1963, 1964, 1965 e këto teza mbetën në harresë. Më pas u ngrit një grup që kryesohej nga ushtaraku më i përgatitur yni, Vaso Gjino. Në këtë grup u përfshinë oficerët më të mirë nga të gjitha llojet e armëve. Ai përgatiti tezat që t’i aprovonte Këshilli i Mbrojtjes, se mbi ç’baza do të mbështetej zhvillimi i Artit Ushtarak. Tezat iu paraqitën këshillit të Mbrojtjes. Këtu në këtë moment ndërhyn Mehmeti duke i kundërshtuar ato. Një nga argumentet ishte se tezat tona nuk kishin çuar në largimin nga Arti ushtarak klasik dhe ai stalinist. Për përpunimin e mëtejshëm, sipas vërejtjeve të bëra u ngarkua kolonel Elami Hado, shef i degës së Përgatitjes së Shtabeve në drejtorinë operative të Shtabit të Përgjithshëm. Edhe Elamiu nuk mund të dilte nga kuadri teorik i Artit Ushtarak dhe eksperienca e luftërave botërore dhe e luftës sonë.

Brenda këtij kuadri, ai përgatiti materialin. Tre herë këshilli i Mbrojtjes ia ktheu mbrapsht, me argumentimin se nuk mbështetet në luftën popullore. Herën e tretë, Beqir Balluku ma përplasi materialin dhe më tha bëje sipas vërejtjeve të Këshillit të Mbrojtjes. Por kur u njohën kuadrot e larta të Ushtrisë me materialin e përgatitur sipas porosive të këshillit të Mbrojtjes, ishin kundër, pasi nuk mund ta lëshonim Frontin pa luftë, siç parashikohej në material, pa e mbrojtur vendin pëllëmbë për pëllëmbë, siç ishim përgatitur. Kishim armatim dhe teknikë luftarake të kohës dhe kishim bërë fortifikime xheniere në gjithë brezat e mbrojtjes, kishim një Ushtri të përgatitur e krahasuar me ushtritë e kohës. Lufta partizane zhvillohet kur vendi është i pushtuar, jo kur je i lirë dhe kërkon të mbrohesh. Unë i thashë: Kjo është tradhti!Dhe ia kthyem Selamiut këto teza. Për këto teza u dënua Selamiu dhe pse direktivat ia kishin dhënë ata. Pas të ashtuquajturave reforma të bëra si heqja e gradave ushtarake, heqja e komandave unike, vendosja e komisarëve dhe e komiteteve të Partisë në Ushtri, ngarkimi i Ushtrisë me punë bujqësore, ndërtime e fortifikime, kishin çuar si pasojë në rënie e përgatitjes luftarake nëpër korpuse. Nga 2-3 vjet përgatitje luftarake, stërvitja bëhej vetëm 2-3 muaj, dhe më pas shpërndaheshin; disa shkonin merreshin me bujqësinë, disa shkonin bënin roje repartesh, disa për fortifikime dhe ndërtime. Unë u ktheva në drejtimin e përgatitjes luftarake pas afro 10 vitesh, më 1970-n me të njëjtën detyrë atë të Zëvendësministrit, por këtë radhë me dy gjeneralë zëvendës, me Qazim Kapisyzin dhe Thoma Xhixhon. Në fakt m’u shtua shpresa se po drejtohet vëmendja në rritjen e cilësisë së përgatitjes luftarake. Po gjatë kontrolleve dhe inspektimeve në terren pashë se me reduktimin e kohës së stërvitjes për rekrutët përgatitja luftarake kishte rënë dukshëm. Pas inspektimit vjetor në Ushtri, bëra raportin për analizën vjetore të vitit 1970 ku kërkoja një analizë të plotë të situatës se ku ndodhej gatishmëria luftarake.

Çfarë doli nga analiza e zhvilluar?

Analiza kishte nevojë për diskutim para Plenumit. Unë kërkova që analizën t’ia çonim Kryeministrit, sepse ai merrej me Ushtrinë. Një ditë, Mehmet Shehu kërkonte Beqirin, ai nuk ishte në zyrë, kishte marrë Petritin, por edhe atë nuk e kishte gjetur dhe më mori mua. Më pyeti nëse e kishim bërë inspektimin në Ushtri dhe i thashë që e kishim bërë dhe gjendja nuk ishte aspak mirë. I thashë se kam përgatitur një raport për stërvitjen dhe do të ta dërgoj. E mirëpriti. Pasi e lexoi, më tha se gjendja qenka shqetësuese dhe ia kishte kaluar Enverit. Mbi këtë bazë, Hysni Kapo organizon një aktiv partie të Ushtrisë me pjesëmarrjen e komandantëve, komisarëve dhe shefave të Ushtrisë. Në këtë aktiv munguan Beqiri dhe Petriti. U ngritën në këtë aktiv propozime që oficeri i Ushtrisë mund të bëhet dhe pa shkollë. Unë kisha rënë dakord me Manush Myftiun që Shkollën e Bashkuar ta bënim 3-vjeçare.

Sepse doja të jepja një vit programin e instituteve, që në rast lirimi, një oficer të mund të kishte një profesion, përveç ushtarakut. Këta thonin që akademinë ta bënin 1-vjeçare. Një shoku im u ngrit dhe tha se unë vura një kapter në shërbim dhe ma bëri më mirë se komandanti. Hysniut po i pëlqenin këto propozime. Unë u bëra xhind dhe mora fjalën. Shoku Hysni, a e quajmë Artin Ushtarak shkencë? Po, më tha. A mund të bëhet shkenca pa shkollë?! Si mund ta bëjmë kapterin oficer dhe komandant batalioni, regjimenti apo korpusi?! Nëse është kështu, le të marrim infermierin dhe e bëjmë doktor, teknikun ta bëjmë inxhinier pa shkuar në universitet por vetëm me kurs. Fjala ime krijoi ilaritet në sallë. Kur u bë Byroja, më ftuan dhe mua dhe Hysniu kur foli tha se Rrahmani nuk ka pikëpamje të drejta për kuadrin e ushtrisë. Unë u bëra gati t’i përgjigjesha, por afër kisha Manush Myftiun, i cili më kapte nga xhaketa. Mehmeti më doli në mbrojtje duke thënë se Rrahmani ka të drejtë se komandanti në Ushtri, pa patur përgatitjen, nuk mund të mësojë ushtarët e rinj. Manushi më tha po ti çfarë kërkoje, kur fliste Enver Hoxha do të flisje dhe ti? Kush je ti?! Unë i thashë se Ushtria ishte një gjë që më dhembte.

Po kritikat ndaj Beqir Ballukut kur u bënë?

Enveri priti nga ne të Ushtrisë që të bënim tezat e reja të Ushtrisë, por ato nuk u bënë, se ne nuk donim ta prishnim Ushtrinë. Më pas, ai i tha Mehmetit që të merrej me to. Mehmeti përgatiti projekttezat e reja. Enveri tha se atë që ju nuk e bëtë dot për 3-4 vjet, Mehmeti e bëri për 3 muaj dhe ka bërë një punë shkencore. Dhe ne thamë shyqyr, se projekttezat do të zhvilloheshin me diskutime. Projekttezat, që në fillim i quajtën sekret, iu dërguan komandave të brigadave, komandantit, komisarit dhe shefit të shtabit. Në shkresë thuhej: “Po ju dërgojmë projekttezat, i studioni, thellohuni në to, na bëni propozime për vërejtjet që keni dhe ndryshimet që duhen bërë në to”. Por i binte që Beqiri, Petriti Hito dhe unë do t’i bënim vërejtje projekttezave që kishte përgatitur Mehmet Shehu. Enveri e la litarin varur…

Mehmeti ia rrëzoi tri herë Beqir Ballukut tezat për Ushtrinë, tani duhej që Beqiri të bënte vërejtje për tezat e Mehmetit. Pyetja ishte: Kush do t’ia bëjë vërejtjet Mehmet Shehut?! Më ngarkuan mua si zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm. Unë u thashë, e marr përsipër, më lironi nga detyra që të shkoj të ulem dhe të merrem vetëm me këtë punë, sepse do studioja rregulloret e artit ushtarak ballafaquar me përvojën tonë në terren. Në fillim thanë në rregull, vazhdo punën. Ditën e dytë nisi të binte telefoni, ka ndodhur kjo ngjarje dhe ajo ngjarje, hajde, shkëputu. I shkoj Beqir Ballukut dhe i them, ose do iki nga projekttezat ose do të iki nga stërvitja. Beqirit në fakt ia kishte qejfi që të merrej vetë me projektteza e reja për Ushtrinë, dhe më thotë: lëre këtë punë se po merrem unë me to. Ashtu u bë. Mblodhi një grup Beqiri dhe punoi me projekttezat dhe na i sollën mua, Hitos dhe Petritit.

Parllaku me gjeneralë të tjerë të Ushtrisë

Ne tre Zëvendësministra i themi ministrit: Nuk jemi dakord me materialin. Vjen momenti i Plenumit dhe Enver Hoxha thotë: Nuk më jeni përgjigjur për vërejtjet dhe propozimet e projekttezave për ushtrinë. Mehmeti ishte prezent. Në Plenum, Enveri e bëri Beqir Ballukun strateg, e ngriti në qiell. Edhe mua m’u bë qejfi se nga kritikat që kishte marrë, Beqiri po merrte vlerësime dhe lëvdata. Pas këtij Pleniumi, Beqiri mori hov dhe krijohet një komision me Spiro Shalsin, Agron Çomon, Ilo Furxhiun, Hysen Burbën dhe nisen në Pogradec. Të gjithë ikën me leje, kurse unë në klinikë, sepse dola me diabet. Edhe Beqiri edhe Petriti ishin në Pogradec, Beqiri punonte në Shtëpinë e Pritjes, ndërsa Petrit ishte me pushime, por nuk shkonte për ta pyetur se çfarë ke bërë më materialet. Pasi bëra një inspektim nga Përmeti në Korçë, kalova në Pogradec dhe takova Beqirin, i cili ishte entuziast me punën që po bënte bashkë me grupin e tij.

Pasi mbaroi ky material ku ishin përfshirë dhe vërejtjet, u vendos që të analizohej me të gjithë kuadrot e Ushtrisë. U ra dakord që në analizat e stërvitjeve do të analizohej materiali me drejtuesit e Ushtrisë. Unë mora materialin dhe ia nisa komandave dhe drejtorive përfshirë dhe shefin e sigurimit, sepse më vonë u akuzuam se materiali u mbajt i fshehur dhe nuk u diskutua me kuadrot e Ushtrisë. Porosia ishte që ta studionin materialin dhe në mbledhje analizat e stërvitjeve të jepeshin propozime dhe vërejtje. Unë sapo kisha mbaruar një stërvitje në Kavajë dhe të nesërmen do të bënim analizën e ku do të diskutohej dhe materiali.

Një ditë para, më vjen Petriti dhe më thotë që të mos diskutohet materiali në çadrën ku do të bëhet analiza, sepse atje do të bëhet potere e madhe, do të ketë shumë qëndrime dhe debate dhe nuk do të nxjerrim gjë nga kjo formë. Unë e kundërshtova, duke i thënë se më mirë të bëhet debat, sesa të rrinë urtë. “Do të na vijë dhe Kryeministri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe do të bëhet analiza, prandaj është frika se mos bëhet debat, ku secili shpreh atë që mendon dhe do të na kthehet në debat”, më tha Petriti. Unë i thashë Petritit dhe i them se pa urdhrin e ministrit, Beqirit, unë nuk e anuloj këtë diskutim. Kur kthehet në Tiranë, Petri i shkruan letër Beqirit ku i argumenton shtyrjen e diskutimit për projekttezat nga frika se mos kthehej në debat të madh në analizën e ministrisë.

Kjo letër e Petritit më vonë u cilësua si fshehje e tezave të Ushtrisë ndaj partisë, si komplot i Ushtrisë. Në gjyq, Petriti e pohoi që nuk ia kemi thënë Partisë, por ia kemi mbajtur të fshehtë. Kjo ishte më e keqja e madhe. Të nesërmen, unë prisja të bëhej analiza. Para analizës, në kampin e stërvitjes vjen Beqiri dhe më fton në çadrën e tij. Kur shkova në çadrën e ministrit, gjeta Beqirin, Hiton, Petritin, Dilaver Poçin. I dhashë një informacion rreth stërvitjes. Beqiri më thotë që të mos e bëjmë atë analizën me kuadrot. I thashë që këtë propozim ma bëri edhe Petriti, por unë mendoj se analiza duhet bërë, ky material na mbeti në duar prej vitesh dhe shoku Enver na i ka kërkuar që ta mbarojmë e ta heqim nga vetja. Na i ka ngritur dhe në Plenum.

Jo tha, të mos bëhet dhe ata që kanë vërejtje t’i japin me shkrim. Beqiri dha urdhër të mblidhen oficerët, u tha se nuk do të bëhet analiza, por sonte secili që ka vërejtje apo propozime për të bërë t’i depozitojë me shkrim dhe dorëzojini në sekretarinë e ministrit. E gjithë kjo që thashë më lart u përdor në gjyqin ndaj nesh, kundër, duke akuzuar se letra e Petritit dërguar Beqirit kishte si qëllim shmangien e Partisë dhe fshehjen prej saj. Por këtë akuzë e pranuan dy persona, që ishin zëvendësit e parë të ministrit të Mbrojtjes, Petrit Dume dhe Hito Çako.

Kjo skemë ishte kurdisur në njëfarë mënyre nga Mehmet Shehu. Por Enveri i dinte të gjitha këto, sepse letrën e Petritit për Beqirin, që kishte marrë Enveri e kishte marrë nga Hysni Kapoja dhe Hysniu, ishte një Jago i vërtetë. Enveri kë ngarkoi që të na gjykonte ne? A ngarkoi Mehmetin?! Enveri shkoi tek Ushtria, sepse shikonte se e keqja, pushteti i tij mund të rrezikohej nga Ushtria. Sepse Mehmet Shehu në shtabin e Ushtrisë kishte 7 veta të Brigadës së parë: Muhamet Prodanin, Arif Haskon, Vehbi Hoxhën, Abaz Fejzon, Todi Naçon. Duke goditur këta në Ushtri, Enveri kishte dobësuar fuqinë dhe kontrollin e Mehmet Shehut në Ushtri/Panorama

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *