BOTA

“Shtëpia e re” e muxhahedinëve, mesazhet e miqve vendës e të huaj

15:15 - 05.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Grupi kryesor opozitar i Iranit, Mujahedin-e Khalq (MEK), hapi shtëpinë e tij të re, “Ashraf 3”, në Shqipëri, mes vlerësimit dhe entuziazmit të liderëve politikë nga pothuajse 50 vende të botës.
“Ashraf-3”, ku banojnë 3,000 anëtarë të MEK-ut, ndodhet afërsisht në gjysmë të rrugës mes kryeqytetit shqiptar Tiranës dhe bregdetit Adriatik.
Ky tubim ishte eventi i 15-të “Liri për Iranin” i MEK-ut, por i pari që u zhvillua në Shqipëri, ku morën pjesë mbi 350 politikanë të lartë nga parti të ndryshme që kishin ardhur nga SHBA, Kanadaja, Australia, Europa dhe Lindja e Mesme.
Fragmente nga disa fjalime:




Maryam Rajavi: Do ta rifitojmë Iranin
Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit:
Me mund dhe përpjekje shumë të mëdha, “Ashraf 3” u ndërtua dhe tani qëndron kryelartë. Mullahët e kanë shkatërruar atdheun tonë, por ne do ta rifitojmë atë dhe do ta rindërtojmë atë vend aq të bukur.
Fashizmi fetar që sundon Iranin ka arritur fundin dhe po i afrohet përmbysjes. Regjimi nuk e ka aftësinë për të negociuar, për ta braktisur terrorizmin dhe ndërhyrjet në rajon, apo për të manovruar politikisht siç bënte gjatë periudhës së paqësimit. Në arenën ndërkombëtare, regjimi i ka varur shpresat te mosveprimi dhe toleranca nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Llogaritjet e mullahëve janë që operacionet terroriste dhe luftënxitja në vendet e rajonit nuk do t’u kushtojnë shumë, të paktën deri në zgjedhjet presidenciale të radhës në SHBA. Zgjidhja e padiskutueshme është përmbysja e diktaturës fetare në tërësinë e saj nga vetë populli i Iranit dhe rezistenca e tij.

Rudy Giuliani, avokat i presidentit amerikan dhe ish-kryebashkiak i Nju Jorkut:
Ju do të nderoheni përgjithmonë në historinë iraniane dhe në historinë e atyre që e duan lirinë dhe janë të gatshëm të vdesin për të. Zoti ju bekoftë!
Le ta bëjmë të qartë, ekziston një alternativë ndaj këtij regjimi të tmerrshëm terrori. Ky është regjimi më i keq në botë pa asnjë dyshim, sponsori më i madh i terrorizmit në botë. Nga ana tjetër kemi Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit, NCRI-në, që udhëhiqet nga presidentja e zgjedhur, Madame Rajavi.
Njerëzit këtu në “Ashraf” – kam kaluar shumë kohë me ta – janë njerëz që janë të përkushtuar ndaj lirisë.
Joseph Lieberman, ish-senator i SHBA-ve, kandidat për zëvendëspresident:
Një lëvizje ka nevojë për një lider të fortë, me parime dhe bashkëpunues. Dhe pikërisht kjo, është ajo që ju keni, falë Zotit. Populli i Iranit meriton një qeveri të përgjegjshme, një qeveri të popullit, nga populli dhe për popullin. Dhe së bashku, po, mundemi. Jemi gati.
Stephen Harper, kryeministri i 22-të i Kanadasë:

Jam i lumtur që jam këtu, sepse ka shumë pak kauza në botë sot, që mund të jenë më të rëndësishme në këtë moment sesa ajo që ju kërkoni: e drejta e popullit të Iranit për ta ndryshuar qeverinë e tij. Këta janë njerëzit të cilët duhet t’i përkrahim.
Bernard Kouchner, ish-ministër i Jashtëm i Francës:
Kjo (Ashraf 3) është një kryevepër fantastike arti dhe miqësie. Tani po përballemi me këtë hap të ri… me epokën e lirisë në Iran. Dua të shpreh admirimin tim të thellë për zonjën Maryam Rajavi. Ju jeni e vendosur, jeni këmbëngulëse, jeni një model fantastik për gratë e botës.
Sali Berisha, ish-president dhe kryeministër i Shqipërisë:
Zonja presidente Rajavi, miq të dashur të lëvizjes së muxhahedinëve, miq të kësaj lëvizjeje për liri nga e gjithë bota, është një nder dhe kënaqësi e madhe për mua t’ju përshëndes, njerëz që keni luftuar për shumë dekada për lirinë dhe të drejtat e njeriut në vendin tuaj. Shqipëria e përjashtoi ambasadorin iranian, por Shqipëria duhet të përjashtojë dhe do të përjashtojë çdo përfaqësues zyrtar të mullahëve. Ju e përfaqësoni Iranin në këtë vend, s’kemi nevojë për ata.
Pandeli Majko, ministri i Shtetit për Diasporën, ish-kryeministër i Shqipërisë:
Ju e dini që kohët e fundit në Shqipëri, politikanët kanë pasur debate të forta me njëri-tjetrin, ndonjëherë shumë të ashpra, por për qëndrimin tuaj këtu nuk ka asnjë debat. Sepse ju jeni në besën e shqiptarëve dhe kjo është tradita jonë… Tani ata duhet ta dinë se nëse e ngrenë çështjen e qëndrimit tuaj këtu në Shqipëri, ambasadori i Iranit dhe zëvendësi i tij janë dëbuar.
Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë:
Mirë se vini në Shqipëri dhe mirë se vini në fillimin e një Irani të lirë këtu në “Ashraf 3”! Dua të falënderoj MEK-un dhe NCRI-në, që sollën këtu në Shqipëri miq nga e gjithë bota. Ndryshimi në Iran ka shumë kohë që nevojitet.
Elona Gjebrea, ish-ministre dhe anëtare e parlamentit të Shqipërisë:
Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i njohë të drejtat e popullit dhe rezistencës iraniane për të themeluar lirinë dhe demokracinë në atdheun e tyre, në Iran. “Ashraf 3” është simbol i lirisë dhe së ardhmes. I mbështesim MEK-ët dhe të gjitha përpjekjet që ata kanë bërë për të arritur dhe fituar sigurinë dhe paqen në vendin e tyre.

Michèle Alliot-Marie, ish-zëvendësministre e Jashtme, e Mbrojtjes dhe e Brendshme:
Ju falënderoj që përfaqësoni një vizion, një drejtim që i bashkon të gjithë iranianët dhe shumë njerëz në botë! Irani qëndron prapa të gjitha krizave në Lindjen e Mesme. Irani e destabilizon të gjithë rajonin. Irani financon terroristët dhe i mbështet ata me armë.
Matthew Offord, anëtar i parlamentit Britanik:
Ju që jeni në lëvizjen e rezistencës të udhëhequr nga zonja Rajavi, jeni në krye të betejës për një Iran të lirë e demokratik. Dhe ju jeni një pishtar shprese për miliona njerëzit e shtypur në Iran. Dhe për këtë, ju jemi mirënjohës.
Anëtare e parlamentit të Italisë:
Martirët tuaj sakrifikuan jetën e tyre për të fituar lirinë në Iran. Nuk mund të kemi paqësim me një regjim kaq gjakatar. Duhet t’i hetojmë shkeljet e të drejtave njerëzore nga regjimi iranian… Ju mbështesim në objektivat tuaja dhe qëndrojmë pranë jush… E ardhmja e Iranit do të ndërtohet prej jush.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.