EKONOMI

Bien çmimet e mallrave të importit, duhani dhe veshjet bëhen më të lira

11:16 - 07.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Çmimet e produkteve industriale të importit janë ende në rënie. Të dhënat INSTAT-it treguan këtë javë se indeksi i çmimeve të importit ra me 0.8% në tremujorin e dytë të këtij viti. Për të katërtin vit radhazi, çmimet e importit po qëndrojnë në territor negativ, çka tregon për presione të dobëta inflacioniste nga jashtë. Rënia e çmimeve të importit fillimisht ka ardhur si rrjedhojë e çmimeve të ulëta të lëndëve të para dhe kërkesës ende të brishtë në tregjet botërore. Çmimet e importit të produkteve në seksionin “Industria përpunuese”, e cila zë peshën më të madhe në vlerën e importeve, ka shënuar ulje me 1.2%. Brenda këtij seksioni ulja më e madhe e çmimeve vërehet në produktet e aktivitetit “Prodhimi i produkteve të duhanit” me 8.0%, pasuar nga aktivitetet “Prodhimi i tekstileve” me 6.6%, “Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve P.K.T” me 3.5% etj..




Nga ana tjetër, çmimet në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” kanë shënuar rritje me 5.4%, pasuar nga grupi “Prodhimi i pajisjeve elektrike” me 4.7%. Indeksi i çmimeve të importit në tremujorin e dytë 2019 shënoi ulje me 0.6%, krahasuar me tremujorin e parë 2019. Indeksi në seksionin “Industria përpunuese”, e cila zë peshën më të madhe në vlerën e importeve ka shënuar ulje me 0.2%. Indeksi i çmimeve të importit mat ecurinë e çmimeve të transaksioneve të produkteve industriale të importuara për t’u shitur në tregun vendës. Dy vitet e fundit çmimet e mallrave të importit në tregun vendës kanë rënë për dy arsye. E para dhe më e rëndësishmja lidhet me mbiçmimin e monedhës vendëse, Lekut, ndaj Euros. Shqipëria është importues i mallrave të konsumit, ndaj dhe rënia e Euros i ka bërë më të lira mallrat e importit në tregun vendës. Arsyeja tjetër lidhjet me koniunkturën e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Ulja e çmimeve për artikuj të tillë si cigaret dhe veshjet reflektohen edhe në tregun vendës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.