Ekonomi

Denaj: Reformat kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit

14:00 - 07.09.19 Gazeta Shqiptare

Ornela Manjani – Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit. Kështu u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë aktivitetit të zhvilluar për prezantimin e Indeksit të Politikave të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2019 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, nga OECD. Ministrja tha se Shqipëria vazhdon të jetë lider në rajon për “Mjedisin operacional të SME-ve”, për regjistrimin dhe licencimin e biznesit, si dhe ofrimin e shërbimeve për publikun. “Rreth 99.8% e kompanive në Shqipëri janë SME dhe kjo e vë qeverinë shqiptare përpara një përgjegjësie shumë të madhe të të gjitha reformave që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë në të ardhmen”, – tha Denaj. Ministrja theksoi se qeveria shqiptare është angazhuar prej disa vitesh në zbatimin e reformave për konsolidimin e stabilitetit makroekonomik në vend, të cilat kanë bërë të mundur që në vitin 2018, Shqipëria të shënojë rritje ekonomike prej 4.3%, më të lartën e 10 viteve të fundit, si dhe një shkallë të ulët papunësie prej 12.3%.



Duke pasur parasysh faktin se rreth 99.8% e kompanive në Shqipëri janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, ministrja tha se kjo e vendos qeverinë përpara një përgjegjësie shumë të madhe të reformave që ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë në të ardhmen. Gjithashtu, ministrja përmendi disa nga lehtësitë që ofrohen sot për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si mbështetja buxhetore nëpërmjet fondeve që menaxhohen nga AIDA, por edhe përfitimet nga projekte që ofrohen me mbështetjen e donatorëve, si BE, GIZ apo BERZH. Duke iu referuar rezultateve të raportit të OECD, ministrja Denaj tha se ato do të shërbejnë si nxitje për qeverinë shqiptare në hapat që do të ndërmerren në të ardhmen për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të të bërit biznes. “Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që të jemi më afër biznesit të vogël dhe të mesëm në veçanti, për të krijuar një klimë jo vetëm më të mirë dhe të përshtatshme biznesi, por edhe për të stimuluar me politika shtesë nevojat e tyre për zhvillim në të ardhmen dhe që këto indekse në vlerësimin e tyre të radhës të jenë më pozitive”, u shpreh Denaj. Duke u ndalur në arsimin profesional, ministrja tha se ka ende punë.

“Mendojmë që në arsimin profesional kemi shumë ende për të bërë dhe këtu mund të mendojmë jo vetëm rritjen e bashkëpunimit të bizneseve SME me shkollat tona profesionale dhe me zyrat e punës, që është një platformë që ne do të donim ta zhvillonim më shumë në të ardhmen e të shikonim frytet e saj sikurse shumë vende të BE sot i shijojnë, por edhe të shikonim mundësinë që komponentë të ndryshëm të donatorëve të zhvillonin sidomos në ngritjen e kapaciteteve të qeverisjes më të mirë në këto ndërmarrje SME, duke filluar nga mbështetja që mund të jepet në aspektin e pasqyrave financiare, por jo vetëm, edhe të menaxhimit efektiv të këtyre ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për t’i bërë gati për të gjitha sfidat në vijim”, – tha Denaj.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *