OPINION

Rrënimi i Blegtorisë

07:20 - 07.09.19 Roni Telegrafi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kohë më parë, eksperti i blegtorisë, Petrit Ago, bëri një parashikim tronditës që po e citoj fjalë për fjalë: “Brenda pesë vjetësh në Shqipëri nuk do ketë asnjë fermë blektorale. Po falimentojnë një e nga një”.




Parashikimi vinte nga njëri prej investitorëve më të mëdhenj në blegtorinë shqiptare, prandaj nuk mund të mos merrej seriozisht.

Kjo më kthen në tetorin e vitit 2017, kur si zëvendësministër në ikje, mu desh të takoja ministrin e sapoemëruar të bujqësisë, Niko Peleshin. Nga biseda kuptova se puna e ministrit të ri do të fokusohej te blegtoria.

Dhe ministri nuk zhgënjeu. Punën e nisi pikërisht me blegtorinë. Ajo që zhgënjeu qe përdorimi i kazmës si mjet pune.

Peleshi e nisi duke u fokusuar te shërbimi veterinar dhe me një të rënë të kazmës, hodhi përdhe Drejtorinë e Veterinarisë.

Në Shqipëri, shërbimi veterinar lindi në vitin 1928. Falë Peleshit, ky shërbim përveç datës së lindjes, sot ka edhe atë të vdekjes. Fill pas vdekjes, në ministri u hodh ideja se një pjesë e shërbimit do të rilindej në formën e një PPP-je. Por diçka nuk eci dhe ideja e PPP-së u harrua. Sot jemi i vetmi vend në Europë pa Drejtori Veterinarie.

Akoma pa u tharë firma e urdhrit që shkatërroi Drejtorinë Veterinare, në tetor 2017, Peleshi nisi aksionin për mbylljen e thertoreve.

Shqipëria ka rreth 3 milionë kokë të imta. Prodhimi i bollshëm dhe pamundësia për eksport ka bërë që tregu të furnizohet thuajse plotësisht me mish vendi dhe historikisht firmat shqiptare nuk kanë importuar nga jashtë.

Por në nëntor 2017, për herë të parë pas shumë vitesh, në treg hynë qengja të gjallë importi. Sipas doganave, në periudhën nëntor 2017–dhjetor 2018 kanë hyrë rreth 30,000 qengja për therje.

Çfarë ngjau në nëntor të 2017-ës që tregu u dynd me qengja importi? Ndonjë epidemi shfarosëse në kopetë tona? Ndonjë eksod i prodhimit vendës drejt eksporteve? Apo ndonjë rritje drastike konsumi? Asnjë nga këto.

Ajo që ndodhi ishte pasoja katastrofike e aksionit të mbylljes në masë të thertoreve.

Tmerr! Mbyllja e thertoreve detyroi blegtorët e Tomorrit dhe Dukatit që qengjat t’i transportojnë për therje në Berat e Vlorë dhe më pas të rikthehen me kafshët e therura në Skrapar dhe Llogara. Kjo vara-vingo e sforcuar rezultoi një kosto vrastare për blegtorët.

Mund të thuhet se nisma e Peleshit për mbylljen e thertoreve në vetvete kishte qëllimin e mirë të mbrojtjes së konsumatorit. Mund të ketë qenë kështu, por një shprehje thotë se rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira. Sot, falë Peleshit, me mijëra blegtorë shqiptarë po përcëllohen në ferrin e falimentit.

Nga ana tjetër, ekonomi tregu do të thotë garë. Dhe gara e prodhimit vendës me atë të importit është e pashmangshme në një ekonomi tregu të lirë. Në parim kështu është. Por në Shqipëri, aftësitë për gjurmimin e origjinës së mishit janë më pak se minimale. Kjo bën që mishi i importit të paraqitet lehtësisht në treg si mish vendi. Nuk besoj se ndonjë nga 30,000 qengjat e importuar është reklamuar si mish importi në restorantet apo dyqanet ku është shitur.

Mbyllja drastike e thertoreve, në rastin më të mirë ka qenë jo e mirëmenduar për pasojat shkatërrimtare që u ka sjellë blegtorëve. Në rastin më të keq, ka qenë e mirëmenduar për fitimet që u ka sjellë importuesve.

Sot, falë Ministrisë së Bujqësisë konsumojmë gjithnjë e më tepër mish të imtash importi. Ndërkohë që kopetë e Çajupit dhe Tomorrit po shiten në masë si pasojë e rritjes së kostos dhe humbjes së tregut.

Lufta për tregje është e para në axhendën e qeverive që mendojnë për mirëqenien ekonomike të qytetarëve. Tek ne, tregu shkatërrohet pikërisht nga ata që janë vënë aty për ta ruajtur.

Lehtësia me të cilën zyrtarët e ministrisë dëmtuan prodhimin vendës të të imtave është e habitshme. A e bënë nga padija apo nga interesi, kjo ka pak rëndësi për ata qindra e mijëra blegtorë që po shesin gjithçka e po ikin natën nga ky vend.

Mbase duhet që eksperti Petrit Ago falimentimin në blegtori ta shikojë si një strategji politike të mirëmenduar nga ana e qeverisë. Tani që “Rilindja Urbane” u krye me sukses, “Rilindja Rurale” natyrshëm vjen si premtim elektoral për zgjedhjet e radhës. E që diçka të gjallë ta rilindësh, duhet që më parë ta vrasësh.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.