MILOSAO

SHQIPTIMI TJETËR I VERËS

14:35 - 08.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga NAZIF AGALLIU




Dyluftim

Marramendet deti në brigje
Si një i dehur me sy kripe

Me dyluftim të pasosur
Si një pulëbardhë e plagosur

E në puthje e në përplasje
Shkrehen njëkohësisht në orgazëm

Miliona shenja kafshimi
Asnjë shenjë devijimi.

Sarandë, verë 2019

 

Nimfat

Buzët e ishullit digjen
Në Qelqera nimfat krihen

Mëngjeseve në Çukë zgjohen
Pinë Bistricën e ç’mitizohen

Në delire në Butrint notohen
Presin Enean, luajnë Antigonën

Detin braktisën për të tjerë ujëra
Në ç’shtretër flenë këto virgjëresha të muzave.

Butrint, verë 2019

Butrint Summer Fest

Në shkallinat e amfiteatrit
Zbresin netët antike
Britma e buallit
Zgjon rrënojat e Butrintit.

Mbrëmja e parë aktron
Vallëzimin e shpirtit
Nesër do të dirigjojnë
Sofokliu me Shekspirin.

Mbrëmjen mbyt e rrëqeth
Kënga pikëlluese e mjellmës
Ti liqen e ti det
Ku e fsheh buallin femër?…

Butrint, verë 2019

Vera e detit të Jugut

E pafajshme mitare
Vera u vesh me det
Resortet gjer në skaje
Përplot me rus, norvegjez.

Në gjuhë indoevropiane
Në brigje idiomat zhurmojnë
Ca fjalë mandarine pa zgjatje
Askush s’i vë re s’i kupton.

E verbër një psherëtimë
Askënd kthen në kurioz
Në çdo gjuhë një pasthirrmë
Shuhet në detin nervoz.

Sarandë, verë 2019

Në ishull meditojnë

Ditët me det ushqehen
Gjuajnë befas pulëbardhat
Flitet për perëndimin e diellit
Për femrat e veshjet e plazhit.

Në ishull meditojnë
Ndiqet gjuetia e skafeve
Valët mot tjetër afrojnë
Dhe fjalët e pamatura.

Sarandë, verë 2019

Skaj

Zbrazëtia ime e uritur
Fillime e funde mosbesuese
Për mua mjaft e qartë…
Vështrimi dorëzohet
Në skajet e humbjes
S’gjej asnjë trajtë.

Sarandë, verë 2019

Amerat dhe faret përtallen

Pushuesit dëshpëruar
Ndjekin parashikimet e motit
Deti kafshon tërbuar
Gjymtyrët e resortit

Amerat e faret përtallen
Nga gjuhët fatale të dallgëve
Bregu merr tjetër trajtë
Baticat dënesin si kambanat

Një fjongo resh e magjishme
Për modelin e flokëve të grave
Kordele delikate me grishje
Të parmet femërore e të pasmet

Këndojnë e dënesin fokat
Thellësive banorët e ujërave luten
Te femrat e te resortet
E verdha është më e dukshme.

Sarandë, verë 2019

La Cueva

Gji riosh i derdhur deti
Shpella resort
Pa përralla mitike pa Teti
Pa piratë e ciklopë.

Zotat janë vogëlushët
Qesh deti qeshin fëmijët
Gjiri fryn buzëqeshjen
Ku deti pi Bistricën.

Fëmijët luajnë me detin
Edeni e merr Parajsë
Si njeriu i parë ujin prek
Me parajsën uroje përplaset.

Priami e quan kështjellë
Me dyluftime me dallgë
Noemi në krah e merr
Ikona kthehet kukull në çast.

Deti pafund me trille
Lojën me fëmijët pëlqen
Dua, me valët grindet
Për lodrat që deti merr e sjell.

Kush pyet më për La Cueva
Për rërë shezlong e breg
Shëtisin detin shuplakat
Thërrasin Joni ne na përket.

La Cueva, Sarandë, verë 2019

Një pikë ujë

Jam një pikë ujë
Me një kokë të ngjashme deti
Dëshirat e mia prej gjiri të fshehur
Në një album koral bulkthesh
Më mjafton ky det për të mbyllur sytë
Simfonia e tij si kënga e mjellmës më mjafton
Dhe një tufë meduzash
Në imazhin e një kurore.

Sarandë, verë 2019

Sintaksa e detit

Erdhi ora të perëndojnë muzat
Vera hyn e del në supermarkete
Celularët të vetmet dëshira
Që femrat i përkëdhelin si meshkuj

E meshkujt më tepër se femrat
Përkëdhelin në duar celularët
Sundon bota e internetit
Si ekzil i beftë i valës

Pulëbardha në trajtë abazhuri
Me imazhe apokaliptike
Skafet si mola në ujëra
Plot-e-përplot me ekzile.

Sarandë, verë 2019

Plastikë plazhi

Femra prej avull uji
Breg hënor i zhveshur
Me të qeshura shampanje
Me mollëza meduzash e gishta guackash
Kuajt e ujit janë delfinët
Gjinjtë e detit tundojnë si nimfat
Puthja shijon në det
E puthura shuan dëshpërimin
Gjinjtë e femrës barku i lakuar e shpina
Janë plagjiatura të kurrizit të pulëbardhës
Me të pasme të epërme verore
Frut i lëngëzuar gjithçka dehëse
Me një bishtëz kastori në lugun delikat
Fsheh me finesë ngjyrën e barit
Meshkujt me ereksion bizoni të plogët
E me ecje palloi të ngrehur
Fryhen e shfryhen si plastika plazhi
E qeshura thuret në det me valë
Akti i dashurisë me muzat i palexueshëm.

Sarandë, verë 2019

Shqiptimi tjetër i verës

Shtëpia e qelqtë e ujit më strehon
Te një varkë kam duart e lira
Mjekrën te një ishull i plakur mbështes
Sytë mbi diskun përvëlues të diellit
Që perëndimi blaton me det
Një qetësi algash në butësinë e shijes
Një frymë vale trazon monotoninë e sendet
Pasthirrma rënkimi përcjell
një gisht i gjymtuar
një e kafshuar frymori a gjallese
Rrotull tepërisë ujore e pavetëdijë heshtja
Dhe klithma mbi një grusht të lumtur rëre
Çasti kalon si një kalë pullali pa herdhe
Kuptojmë jemi kalimtarë
Mbi pedonalen e një deti të përjetshëm

Sarandë, verë 2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.