OPINION

Burra vrasës dhe gra që vdesin mizorisht!

07:20 - 09.09.19 Zoje Jakaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vrasja makabre e një gruaje me 12 thika në trup në mes të natës dhe vetëvrasja e bashkëshortit vrasës më shtynë të gërmoj e të shkruaj sot këtë shkrim! Pse burrat vrasin? A ndodh ky fenomen i shkaktuar nga një ndjenjë e fshehtë mistike e trashëguar në gjene e që vjen nga thellësia e shekujve? A ndodh ky fenomen si cenim i ndjenjës së superioritetit të mashkullit? A ndodh kjo, sepse niveli ekonomik dhe pozicioni shoqëror i gruas vazhdon të jetë ende i varur dhe tepër i dobët përballë brutalitetit mashkullor? A luan një rol të drejtpërdrejtë familja, origjina nga ku mashkulli lind, rritet i aftë ose i paaftë për të dashuruar gruan e tij. Të gjitha këto pyetje më mundonin dhe do të përpiqem nëpërmes këtij shkrimi t’u jap përgjigje ju dhe vetes sime. Të vrasësh një femër do të thotë të vrasësh vetë jetën. Natyra e krijoi gruan të lindë e të rrisë fëmijë dhe jeta trashëgohet nëpërmes trupit të saj, biologjikisht edhe kur bëhen lindje invitro, vezët dhe trupi i nënës janë pika kyçe për ardhjen në këtë botë të fëmijëve. Gruaja është buzëqeshja dhe ëmbëlsia e dashurisë, nga pema e së cilës lind dhe fryti i saj. Atëherë si ka mundësi që ky fryt të rritet dhe të bëhet vrastari i kësaj bukurie, që i jep hijeshi dhe ëmbëlsi jetëve tona. Pra, një mashkull i ardhur nga trupi i një gruaje, vret një grua tjetër, gruan e ndonjëherë edhe vajzën! Nga vjen ky mllef prej të çmenduri që ngre dorën e godet, e vret si të jetë zot mbi të; shkurtohet një jetë gruaje, por edhe ndërpritet vazhdimësia e një riprodhimi mbi tokë!




E shkuara dhe historia e nënshtrimit të gruas

Historia na ka treguar në breza se nënat që rritën me qumësht gjiri pjellat e tyre që në shekullin e shkuar jetuan kokulura, të pandiera, të urta atje ku të tjerët i martuan. Shumica prej tyre në mos themi të gjitha, nuk e zgjidhnin vetë fatin e tyre. Atë ua diktonte familja, mblesi, lidhjet mes fiseve, aleancat e gjithfarë ujdish që bëheshin. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe ende ndodh në disa zona të thella, po nga vjen kjo tradite? Padyshim këto rregulla në formë ligjesh që janë të shkruara në mendjen e gjithsecilit vijnë nga një kohë e largët, e ndikuar edhe nga kultura të huazuara. Këto rregulla të ashpra të diktuara po me aq ashpërsi që nga shekujt e largët deri në ditët tona kanë sjellë më së shumti shtypjen e gruas dhe pronësinë e saj si mall. Ne jemi trashëgimtarë të ilirëve, por në këtë pikë nga Iliria e zhvilluar nuk trashëguam vlerësimin dhe rolin që i jepej gruas në atë kohë, pasi pushtimet e njëpasnjëshme lanë mbi këtë popull ndikimin edhe të kulturave të tyre. Fati i keq i këtij populli ishte pushtimi për afro 500 vjet nga perandoria osmane, e cila rrënjosi në këtë vend zakone, tradita që i huazuam jo mirë dhe sot e kësaj dite akoma jemi disi nën ndikimin e tyre. Duke i shtuar edhe fenë, e cila interpretohej ashtu si i leverdiste gjithkujt dhe çdo gjë rëndonte mbi kurrizin e grave, të cilat kokulura e të pafjala duhej të bindeshin, pasi ato nuk kishin asnjë të drejtë fjale. Shkurt, ishin skllave të bindura të padronit të tyre me emrin burrë. Një rol tejet vendimtar mbi fatin e gruas në këtë vend ka luajtur dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili në thelb është i krishterë. Më tepër ndikimin e tij e gjejmë në pjesën veriore të Shqipërisë e ndaj them që feja në disa raste i ka shërbyer Kanunit, i cili sipas historisë u krijua dhe mori trajtë të plotë mes viteve 1458-1481 midis të tjerave për gruan shkruan kështu: “Gruaja duhet me i rrogue pa zhibla burrit, me i ndejt nën sundim, m’u përgjigj detyrve të kunorës”. Pra, sipas Kanunit, gruaja ishte e nënshtruara, e nëpërkëmbura në martesë, e pa të drejta fjale para burrit edhe nëse ky fundit kishte gjithnjë të drejtën e plotë mbi gruan. Duke iu referuar të gjithave sa kam shkruar më sipër, këto rregulla të egra me një mentalitet tepër të dobët dhe primitiv kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në jetën e vuajtur të grave shqiptare. Ato duhet të ishin të bindurat e fatit, ato ishin të nënshtruarat e burrit, ato ishin gojëkyçurat përballë dhunës. Në mes të kësaj dhune ajo rriste edhe fëmijët, e aty rritej djali që nesër do bëhej kryefamiljari. Ai shihte si trajtohej nëna dhe motra e tij dhe si rrjedhim duke u rritur mes dhunës, nesër edhe ai do bëhej dhunuesi. Duke qenë dhunuesi, ai kishte dhe rolin e superiorit, por edhe pse me shumë cene, Kanuni nuk lejonte vrasjen e gruas vetëm në rast tradhtie. Sot shoqëria është ndërgjegjësuar deri në një farë mase, demokracia ka shkruar rregulla të reja, gruaja nuk është më ajo e dikurshmja, ndonëse në disa zona ende zbatohet Kanuni dhe fuqia misterioze e mashkullit, gruaja ka më shumë të drejta e liri themelore, që nëse i përdor mirë në shërbim të vetes e grave të tjera, barazia gjinore një ditë edhe mund arrihet! Ky ndërgjegjësim i gruas ka bërë që shumë prej tyre të marrin në dorë frenat e jetës. Gratë e arsimuara dhe në karrierë janë shembulli i mirë që tregon se në këtë vend ka ndryshime, por akoma është një ndryshim i brishtë deri sa gratë vriten akoma në vitin 2019 më ftohtë se kafshët me thikë në fyt. Edhe pse Shqipëria sot është një vend kandidat dhe i hapur për në BE, e ku teknologjia dhe interneti ka një shtrirje të gjerë në tërë territorin e saj, në këtë vend ende pothuajse çdo javë ose çdo ditë ndodh vrasja e një nëne, e një gruaje, e një vajze. Mbrëmë ndodhi vrasja e radhës me thikë. Kjo ndodh pasi pushteti superior i një mashkulli ka fuqinë absolute mbi qenien grua. Ai ende qëndron i fortë përballë rregullave dhe ligjeve të këtij shteti, sepse ligji nuk gjen forcën të thyejë këtë lloj mentaliteti në këtë vend. Ligji nuk ka ashpërsinë e duhur, ai nuk gjen zbatim nga organet ekzekutuese, duke lënë të lirë dhunuesin shpesh edhe me prova e fakte të pakundërshtueshme! Një ndër shkaqet kryesore dhe më thelbësore është edhe gjendja e varfër ekonomike e shumë familjeve shqiptare, shkalla e lartë e papunësisë, niveli i ulët arsimor, arsye që ngushtojnë rrethin e lirisë së gruas. Papunësia sjell tek ato një varësi ekonomike, ku një ekonomi e dobët bën që edhe një grua të jetë e dobët përballë brutalitetit mashkullor. Kjo dhunë ndaj saj ndodh në një vend të shenjtë, që e ka emrin shtëpi. Kjo shtëpi është streha e saj, ku ajo ka sjellë në jetë fëmijë e në shumë raste fëmijët janë direkt spektatorët e një drame që në fund përfundon me tragjedi, vrasjen makabre të nënës së tyre. Shpeshherë duke menduar për mbarëvajtjen e jetës së fëmijëve të saj, një grua duron dorën të ngrihet mbi të. Nëse largohet nga shtëpia, ajo nuk gjen mbështetjen e askujt, as të familjarëve të saj. Kjo ndodh edhe te gratë e arsimuara jo pak herë. Nuk mund t’i përgjithësojmë të gjitha, por ky është një realitet i hidhur, që është rrjedhojë i një zakoni të ardhur ndër breza. Gruaja martohet për të pasur një strehë të vetën dhe kur në atë strehë që e ndërton bashkë me burrin i ofrohet dhuna nga njeriu i jetës, me të cilin krijoi një familje, por kjo jetë i kthehet në ferr, ama nga besimi e durimi se mos bashkëshorti ndryshon, ajo shkon drejt një vrasjeje të paralajmëruar, ndërkohë që dhuna ka kaluar në përmasa katastrofike, atëherë ky njeri nuk ndalet deri sa e vret, sepse egoja mashkullore, instinkti i lindur dhe i mbartur në gjene është më i fortë se çdo ndjenjë tjetër te këta njerëz që bëhen të padurueshëm ndaj zërit të një gruaje që thërret për ndihmë; qenia e tyre s’e pranon dot divorcin, as denoncimin, as urdhrin e mbrojtjes e kështu dhuna rritet e vrasjet shtohen…

Një shoqëri e civilizuar duket nga emancipimi i gruas

Ajo lind jetën dhe kur ti e vret, është si një erozion që shkatërron relieve e përmbys gjithçka mbi tokë. Ke rrafshuar botën e fëmijës tënd dhe jetën tënde, përpos të gruas që vrave! Apeli im është dora e ligjit të jetë më e ashpër ndaj burrave që vrasin gra, një burrë që vret gruan, duhet të jetojë përjetësisht pas hekurave të burgut.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.