Kryesore

Ilir Meta akuzon Bashën e Ramën: Donin gjakderdhje

11:12 - 09.09.19 gsh

Presidenti Ilir Meta vijon të sqarojë në Komisionin Hetimor vendimin e tij për shfuqizimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore.



Meta iu është përgjigjur pyetjeve të deputetes socialiste, Klotilda Bushka, lidhur me këtë vendim të tij, nëse rrezikon krijimin e një precedenti të pazakontë për demokracinë, dhe nëse është konsultuar me grupet parlamentare.

Në përgjigjen e tij, Kreu i Shtetit është shprehur se ishte krijuar një situatë “e çmendur” politike dhe nuk mund të mos ndërhynte, pasi sipas tij, do të kishte gjakderdhje.

“Kur vendosa të shtyjë zgjedhjet, situata ishte e çmendur, të dyja palët nuk mbanin asnjë lloj përgjegjësie. Të dyja palët donin konfrontim, që mund të sillte gjakderdhje, mos harrojmë që një police e re humbi gishtin. Presidenti nuk mund të priste që të humbte jetën një polic, apo një qytetar. Asnjë palë nuk do mbante përgjegjësi, të dyja do akuzonin njëra-tjetrën, duke përshkallëzuar më tej krizën që nuk ishte në interes të Shqipërisë dhe Kosovës. Para se të merrja një akt të tillë, të cilin e mora pasi u njoha me dokumente sekrete shtetërore”, tha Meta.

Pyetjet:

Klotilda Bushka, deputete e PS: Një nga arsyet për dekretin e 30 qershorit, thoni ju, është vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Anulimi i 30 qershorit, a rrezikon krijimin e një precedenti të pazakontë për demokracinë e vendit. A mendoni se është një precedent që mund të përsëritet në të ardhmen, sepse subjektet politike vendosin të mos hyjnë në zgjedhje për arsye të ndryshme. A nuk i vjen kjo situatë ndesh parimit të sovranitetit të popullit?

Në nxjerrjen e dekretit për anulimin e 30 qershorit, a morët në konsideratë se e drejta për të zgjedhur apo për t’u zgjedhur është më e rëndësishme dhe cila prej tyre prevalon? Presidenti duhet të konsultohet me grupet dhe partitë politike. A u konsultuat me aktorët politikë kur nxorët dekretin?

Përgjigjet:

Ilir Meta: Shfuqizimi i 30 qershorit është udhëhequr nga përgjegjësitë e mia si president, si kryetar shteti, si kryetar i Këshillit të Sigurisë, si përfaqësues i popullit. Kushtetuta, e sakatuar pabesisht në prill të 2008 e në vijim, ka qenë një Kushtetutë për të parandaluar një ’97 të dytë. Në këtë drejtim, Presidenti nuk ka pasur shqetësim të plotësojë tekat e opozitës, por ka pasur për qëllim të garantojë një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, sa më shumë të ishte e mundur, por në çdo rast për të shmangur shndërrimin e zgjedhjeve në votime. Ishte një përpjekje tërësisht e sinqertë, përveç arsyeve që kanë të bëjnë me sigurinë, shmangien e një përplasjeje civile, që ka të bëjë me shmangien e një penalizimi afatgjatë sa i takon integrimit.

Qëndrimi im ka qenë forcimi i institucioneve. Qëndrimi im ndaj opozitës ka qenë mjaft kritik për lënien e mandateve. Kam qenë në Berlin kur opozita e mori këtë vendim. Bëra të qartë që të dyja palët duhet të bëjnë hapa pas. Asgjë e tillë nuk ndodhi, opozita bëri hapin e saj të papërgjegjshëm, por dhe mazhoranca nxitoi në mënyrë të papranueshme për të zëvendësuar dorëheqjen në bllok të opozitës, pa bërë asnjë përpjekje për të vendosur një dialog me qëllim normalizimin e situatës.

Sa i takon krizës së përfaqësimit, shqiptarët e dinë që Shqipëria është në krizë të tmerrshme përfaqësimi. Kjo për faj të dy palëve, për shkak se nuk janë thjesht 60 deputetë të opozitës që kanë ikur, por janë 180. Sipas Kushtetutës, Kuvendi duhet të ketë 140 anëtarë, është e pamundur për të gjetur 20 deputetë të tjerë.

Qëllimi im ka qenë për të vendosur datën më të shpejtë dhe për të garantuar një gjithëpërfshirje në zgjedhje. Në shumicën e bashkive të vendit kishim vetëm një kandidat, siç e thotë dhe raporti i OSBE. Përpjekjet e mia kanë qenë të vazhdueshme. Mund t’iu vë në dispozicion deklaratat e mia, por mund t’i referoheni edhe vlerësimit paraprak të OSBE.

Dy pengesat kryesore ishin: kokëfortësia e kryeministrit për të mos shtyrë datën, dhe kokëfortësia e kreut të PD për të mos u ulur në tryezë me Ramën. Të dyja këto ishin të papranueshme. Përpjekjet e mia kanë qenë sistematike. Isha i gatshëm të caktoja një datë tjetër, pas dakordimit të palëve, për të shmangur krizën. Kjo nuk ndodhi deri më 8 qershor, kur u detyrova të bëj njoftimin se do të firmos dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit, me qëllim qetësimin e situatës politike dhe evitimin e çdo ngjarjeje tragjike e dramatike që mund të ndodhte në mitingun e 8 qershorit. Me afrimin e 30 qershorit, konfrontimi në vend po rritej. Pas dekretit tim, nuk pati ngjarje të shoqëruara me akte dhune e vandalizmi, siç ishin një pjesë e mirë e protestave të opozitës para 8 qershorin. Që një President të shtyjë zgjedhjet, ka ndodhur të paktën 5 herë.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *