DOSSIER

Kolaboracionizmi i parë me fashizmin qe i komunistëve, i dyti i ballistëve

16:20 - 09.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ylli Polovina – Në 23 gusht të këtij viti ndodhi 80-vjetori i një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare, e cila mori emrin e dy ministrave të Jashtëm: Marrëveshjes Ribentrop-Molotov.
Bashkimi Sovjetik komunist bëri një pakt bashkëpunimi për mossulmim të ndërsjellë me Gjermaninë naziste. Kjo aleancë mes tyre nga 23 gushti 1939 zgjati deri në 21 qershor 1941, kur u prish në mënyrë të njëanshme nga agresioni ushtarak hitlerian kundër BRSS. Në rrethana të tjera ky pakt bashkëpunimi mund të zgjaste edhe përtej moshës aspak të vogël që kaloi realisht: 22 muajve.
Disa pak gazeta shqiptare apo media elektronike e sollën ndërmend këtë ngjarje duke e mbajtur jashtë dhe larg kufijve të historisë së Shqipërisë, thua ishte dhe mbetej çështje e kalendarëve botërorë, e biografisë së Polonisë dhe e vendeve baltike, të cilat Hitleri dhe Stalini i pushtuan menjëherë dhe i ndanë fshehurisht në marrëveshje.




Mbajtja nën censurë e kësaj hileje të madhe hitleriano-staliniane edhe në këtë gusht 2019 qe pjesë e lojës së vjetër të heshtjes, e cila nisi menjëherë nga BS dhe dikur “kampi socialist”, për të mos e nxjerrë në dritën e diellit. Veçanërisht për bolshevikët kjo ishte e domosdoshme, sepse prej qershorit 1941 deri në 5 maj 1945, kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi, ata shpallën e denoncuan kolaboracionistët, kuislingët, siç në ujdi me anglo-amerikanët emërtuan të gjithë ata persona, parti apo qeveri, të cilat bashkëpunuan me pushtuesin nazist e fashist.
Kështu u bë udhë dhe zakon, rregull i pashkruar, që stalinistët nuk mund të pranonin publikisht se kolaboracionizmi që dënuan, nuk ishte as i vetmi dhe as i pari i asaj lufte të përgjakshme, por i dyti. Pas qershorit 1941 atë vërtet e kryen forca politike antikomuniste, por më parë këtij çasti qenë vetë komunistët kolaboracionistë të mirëfilltë. Në Luftën e Dytë Botërore e kishin dhënë ata të parët këtë shembull dhe model të paparimtë, pastaj e patën ndjekur rivalët e tyre, sidomos Balli Kombëtar me Mit’hat Frashërin në krye.

Edhe vetë Papa

Ideja dhe oferta për marrëveshjen Ribentrop-Molotov, sipas historiografisë botërore më të përparuar, qe e Adolf Hitlerit, i cili me qëllim ta mundte Britaninë e Madhe dhe krejt Perëndimin, i duhej jo vetëm një paqe e përkohshme me Bashkimin Sovjetik, por për makinën e tij të luftës edhe lëndë e shumtë e parë. BRSS qe plot me të tilla rezerva.

“E di se sa shumë kombi gjerman e do udhëheqësin e tij. Është një djalë shumë i mirë. Për këtë arsye dëshiroj të ngre një dolli për të”. Këto janë fjalë të Stalinit të regjistruara bashkë me figurë dhe secili kurioz mund t’i gjejë në rrjetin e madh informativ të internetit.
Lajmi mjaft befasues dhe në të kundërt i qëndrimit të mëparshëm të Bashkimit Sovjetik dhe të Internacionales së Tretë Komuniste, e cila që në vitin 1935 e kishte përcaktuar nazizmin si “batalion sulmi të reaksionit botëror” dhe po ashtu si “fytyra shtazërore e armikut të klasës”, e trazoi dhe e çoroditi të gjithë lëvizjen antifashiste në Evropë dhe në tërë globin. Revista amerikane “Newsweek” e 9 tetorit 1939 këtë ngjarje anormale dhe të pabesueshme do ta përhapte edhe më shumë me një kopertinë të saj ku Hitleri e Ribentropi shtrëngonin duart.

Këtij çorientimi të opinionit publik e sidomos të Lëvizjes Komuniste Botërore strukturat e PK të Bashkimit Sovjetik dhe të vetë Internacionales së Tretë iu përgjigjën me propagandë justifikuese. Gjergj Dimitrovi bëri thirrje që asnjë komunist i çdo vendi nuk duhej të humbiste besimin “tek shteti i madh i socializmit, i vetmi që lufton për paqen mes popujve dhe mbron interesat jetësore të punëtorëve të të gjithë botës”. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe ndjenjë bindjeje ideologjike i tërë shtypi i partive të Internacionales së Tretë Komuniste iu përshtat vijës së re të ardhur nga Kremlini: prej faqeve të tyre u zhdukën të gjitha theksimet e termat që përdoreshin më parë për të demaskuar Gjermaninë naziste.
Me këtë rast historia e Lëvizjes Komuniste Botërore regjistron konfuzionin e madh që prej paktit Ribentrop-Molotov mbërtheu Partinë Komuniste franceze. Kur Franca u sulmua nga gjermanët, deputetët e kësaj partie votuan për mbrojtjen e atdheut, pra luftën me armë kundër agresorëve, kur ajo filloi pushtimin ngulën këmbë që me Hitlerin të bëheshin bisedime paqeje. Moris Torezi (Maurice Thorez), kryetari i PKF, bëri “balet” politik: në fillim u nis për në frontin e luftës kundër gjermanëve dhe pastaj dezertoi “për të mos mbështetur imperializmin francez”. Kur në qershor 1940 në Kullën Eifel valëvitej flamuri hitlerian me kryqin e zi PKF i bëri kërkesë me shkrim autoriteteve naziste të pushtimit që t’i lejonin botimin e gazetës së tyre “Humanité”, të cilën ia kishin mbyllur pas marrëveshjes Ribentrop-Molotov dhe para pushtimit gjerman qeveria franceze e kryeministrit Édouard Daladier.

Pas kësaj trazire kaosi partia e komunistëve francezë u nda në pesë fraksione dhe njëri prej tyre shpalli si vijë politike bashkëpunimin me Hitlerin. Këta qenë të bindur se nazistët qeverinë e Francës së pushtuar do t’ua besonin komunistëve për ta ngritur.

01.StalinTime 02.HoxhaAube 03.QemalTomorri 04.TeseraFashisteNexhmije
<
>

Në Itali, shtetin tjetër evropian, i cili qe edhe më afër Shqipërisë e gjatë historisë për këtë vend kishte qenë një lloj modeli jete e qëndrimi, humori aspak i keq i PKI me fashistët e Musolinit qe manifestuar shumë më herët se Ribentrop dhe Molotov të nënshkruanin marrëveshjen e tyre të mossulmimit, por në parim edhe të pajtimit ideologjik. Udhëheqësi i komunistëve italianë Palmiro Toliati, kur në 1931 u urdhërua që të gjithë mësuesit dhe sidomos profesorët universitarë duhej të kryenin betim për besnikëri jo vetëm ndaj mbretit, por edhe regjimit fashist, u bëri thirrje që këta të pranonin. U shpjegoi se kështu të paktën nuk ua linin nxënësit dhe studentët në duar musolinianëve.

Theksojmë se këtë kohë edhe vetë Selia e Shenjtë e Papa Pio XI kryen të njëjtin gjest: bënë thirrje për bindje ndaj detyrimit të betimit pro fashizmit. Kjo ishte një kohë kur sërish Toliati, me arsyetimin që të mos e lejonin rininë italiane të binte e tëra nën kontrollin e regjimit, i porosiste të rinjtë komunistë që të regjistroheshin masivisht në organizatën rinore fashiste. Vetë Palmiro Toliati musolinianëve të rinj iu drejtua në një rast me fjalët “vëllezër fashistë”.
Në Itali Benito Musolini, në vitin 1939, sapo ishte firmosur pakti Ribentrop-Molotov, deklaroi me gëzim se bolshevizmi qe shndërruar “në formën sllave të fashizmit”, kurse në Gjermani, në grupe të caktuara të partisë naziste (Partisë Nacional Socialiste Punëtore) flitej shpesh se në Bashkimin Sovjetik stalinistët qenë të “nacional-socializmit të majtë”. Të dy revolucionet, atë leninist dhe hitlerian, duke qenë se ishin shpallur kundër kapitalizmit dhe vendeve borgjeze të Perëndimit, i përshkruanin si pjesë të natyrshme të njëri-tjetrit.

Pakti Ribentrop-Molotov qe një grehinë e tërë marrëveshjeje dhe mbështetjeje reciproke jo vetëm në fushën politike apo në qëndrimet ndërkombëtare, por edhe në ekonomi e ushtri. Madje, për këto tri drejtime kolaboracionizmi u nënshkruan marrëveshje të fshehta. Bashkimi Sovjetik do ta furnizonte Gjermaninë hitleriane me sasi të mëdha nafte si edhe lëndë tjetër të parë për industrinë e saj (hekur, nikel, krom etj.), por edhe ushqime. Dy orë para se në 21 qershor 1941 gjermanët të sulmonin Bashkimin Sovjetik, sapo e kishte kaluar kufirin drejt Berlinit një tren i mbushur plot me mall sovjetik. Tërë ajo naftë dhe material, siç rezultoi, i kishte shërbyer Adolf Hitlerit edhe për të forcuar makinën e tij luftarake kundër vetë BRSS.
Sulmi i papritur nazi-gjerman i ndodhi BRSS-së pas 22 muajve marrëveshje, kur për ironi pika e shtatë e saj thoshte se ajo do të zgjaste për dhjetë mote dhe në rast se brenda vitit të fundit nuk kontestohej nga njëra palë, atëherë do të vijonte edhe pesë të tjerë.

Po Ramiz Alia?

Në Shqipëri këtë kohë qenë në ekzistencë vetëm grupet komuniste dhe partia e tyre do të krijohej pasi Bashkimi Sovjetik u sulmua nga Gjermania. Prej Moskës do të mbërrinte direktiva e kundërt: jo bashkëpunim, por luftë zjarr e flakë për të mbrojtur “atdheun e punëtorëve”, “kështjellën e Lëvizjes Komuniste Botërore”.
Njëzetë e dy muajt e paktit bolsheviko-nazist, më saktë komunisto-fashist, në historishkrimin shqiptar janë një gropë e madhe, një segment i saj i anashkaluar krejtësisht jo vetëm gjatë periudhës gjysmëshekullore “socialiste”, por edhe më pas. Ishte një rast i shkëlqyer që historiani i ditur Kristo Frashëri ta përfshinte në librin e tij për historinë e të majtës shqiptare, por ai heshti. Nuk duhej të kishte vepruar kështu, sepse përveç forcës së madhe analitike, një baraspeshimi politik po ashtu që e kishte përftuar pas rënies së diktaturës, ai edhe e pati përjetuar personalisht këtë zhvillim.
Ndërkaq, në çdo libër historie për nxënësit dhe studentët para motit 1991 për përjetimin e këtij momenti në lëvizjen komuniste shqiptare nuk gjendet asnjë rresht. Vendosen vetëm një grusht fjalësh për të bindur lexuesin se qe Perëndimi, i cili e tradhtoi Evropën me paktin e Mynihut dhe se disa muaj më pas ai Ribentrop-Molotov ishte veprim baraspeshues i intrigës së shteteve kapitaliste për të asgjësuar me duart e Hitlerit Bashkimin Sovjetik. Kështu sipas tezës së të shkuarës, por edhe të rigjallëruar herë pas here sot, gjesti i Stalinit qe manovër e drejtë dhe e vetmja mënyrë që BRSS të fitonte kohë për t’u mbrojtur nga dy armiq njëherësh: Perëndimi borgjez dhe Nazizmi.

Gjithashtu asnjë prej ish-komunistëve shqiptarë të njohur që mbetën gjallë nga lufta nuk ka lënë ndonjë kujtim për këtë çështje, përveç një interpretimi të përgjithshëm të Liri Belishovës. Sipas saj, “kur Italia fashiste sulmoi dhe okupoi Shqipërinë, nuk mbajtën të gjitha një qëndrim të qartë. Disa u shprehën dhe dënuan këtë agresion, pati brenda këtyre grupeve komuniste edhe rryma që mbajtën një qëndrim shumë të dënueshëm, duke thënë që okupacioni fashist do të krijojë mundësi për industrializimin e Shqipërisë, pra për lindjen dhe zhvillimin e proletariatit dhe kështu do të favorizohej dhe zhvillimi i lëvizjes komuniste…Në fakt, është rasti të theksoj, që pasi Stalini dhe Hitleri firmuan traktatin e famshëm të vitit ’40… partitë komuniste të botës e ndërprenë demaskimin dhe luftën kundër fashizmit…”. (Siç e shihni bolshevikja e njohur Belishova, e persekutuar edhe ajo prej regjimit, nuk e mban mend as vitin e saktë të firmosjes së paktit.
Nuk gjen asnjë vëmendje për këtë temë të raporteve mes komunistëve shqiptarë dhe fashizmit as në serialin dhjetëra vëllimësh të librave të Enver Hoxhës, as në ato të bashkëshortes së tij, e cila për fat ende jeton dhe kishte e ka kohë për të saktësuar ndonjë rrethanë të ndikimit të marrëveshjes Ribentrop-Molotov në veprimtarinë e grupeve komuniste. Heshtja e tyre është shumë e thellë dhe sa më tepër ditë shkojnë bëhet edhe më e fajshme.

Edhe Ramiz Alia, protagonist dhe përjetues i ndryshimit të regjimit, politikan radikal i majtë, por me prirje liberale, nuk qëndron më pas në këtë pasivitet të qëllimtë. Në librin e tij testament “Jeta ime”, botuar në 2010, as edhe e përmend si term e ca më pak si periudhë kohën e Marrëveshjes Ribentrop-Molotov. Por atje ka dy fraza të arta, të shkruara instinktivisht, prej të cilës mund të kuptosh rënien në letargji, mosaktivitetin, e komunistëve shqiptarë që prej fundgushtit 1939 deri në 21 qershor 1941. Kjo frazë që përshkruan vitet pas themelimit të PKSH, thotë: “Patriotë dhe antifashistë të njohur u burgosën ose u internuan në ishujt e Italisë, midis tyre edhe disa nga profesorët tanë, si V. Gjikondi, V. Andoni, N. Bulka etj.”. Alia nuk ngul këmbë se para krijimit të partisë vendinternimet e shumta në Itali qenë mbushur me komunistë. Pohon se këta qenë thjesht elementë patriotë dhe antifashistë. “Ndërsa grupet komuniste, shkruan dy rreshta më poshtë Alia në librin e vet, që vepronin në disa qytete, si në Korçë, Shkodër apo në Tiranë, më tepër grindeshin me njëri-tjetrin për të gjetur se kush i kishte tiparet e vërteta komuniste ose kush njihej nga Kominterni dhe kishte “vulën” e tij”.

Apo, arsyetojmë, grindshmëria e lartë e grupeve komuniste shqiptare ishte rrjedhojë e qëndrimit të tyre larg misionit të angazhimit të drejtpërdrejtë në rezistencë aktive dhe luftë konkrete kundër pushtimit?
Ndërkohë studiuesi Kastriot Dervishi mendon se “Padyshim që ndër fashistët më interesantë të kësaj kohe është edhe Ramiz Alia. Në kohën që ai kryente gjimnazin (në vendin ku është sot Dhoma e Tregtisë në Tiranë), ishte ndër më aktivët e rinisë fashiste”. Pasi thotë këtë autori i mësipërm nuk paraqit asnjë provë dokumentare.

Ndërkohë Enver Hoxha…

Duhet pohuar njëkohësisht se jo vetëm komunistët, por as kundërshtarët e tyre, ballistët, edhe pse kishin njerëz më intelektualë dhe pas lufte edhe liri e mjete të shumta jashtë vendit ku emigruan, nuk realizuan kurrë një vështrim të plotë të veprimtarisë së bolshevikëve shqiptarë para krijimit të PKSH dhe ndryshimit përmbysës që i bënë qëndrimit ndaj Boshtit Fashist në 21 qershor 1941. Duket se janë frenuar nga që, po të përdornin këtë akuzë, do të shkaktonin simpati të të vetëve për bolshevikët. Në fund të fundit qenë vetë ata që po e kryenin këtë aleancë.
Duhet të saktësojmë se mes propagandës së madhe të sotme antikomuniste, dukshëm të përgjithshëm dhe të pafrytshëm prej sloganeve dhe pasinqeritetit politik, ka një emër që është i vëmendshëm ndaj temës së bashkëpunimit të stalinistëve shqiptarë me fashistët. Ky është studiuesi Kastriot Dervishi.
Në 30 nëntor 2016 në shtyp ai kreu një përpjekje pjesërisht të dokumentuar për praninë e afrisë politike dhe shpirtërore të jo pak komunistëve shqiptarë me fashistët italianë pas pushtimit. Ai mes të tjerash shkoi deri edhe në spikatjen e tezës së tij se “qeveria e parë e Enver Hoxhës, nga 13 ministra, 9 kishin qenë anëtarë të Partisë Fashiste”.
E rikujtojmë lexuesin gjithsesi se Presidenti i parë Shqiptar i pas Luftës, Omer Nishani, çfarë e pohon edhe vetë Hoxha në librin e tij “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, në periudhën e paktit Ribentrop-Molotov kishte qenë anëtar i Këshillit të Shtetit. Ndërkohë Dervishi vë në dukje se Nishani e pati vlerësuar në shtypin fashist edhe doktrinën musoliniane. Thekson: “Ky fakt nuk i kishte shpëtuar as të huajve saqë kur delegacioni qeveritar shqiptar ndodhej në Paris në Konferencën e Paqes më 21 gusht 1946, pas fjalimit të kryeministrit Enver Hoxha, delegati grek Caldaris kishte cituar një artikull të Omer Nishanit pro fashizmit botuar pak vite më parë në shtypin fashist”.
Mirëpo kur studiuesi tjetër Aurenc Bebja botoi së fundi faksimilen e shkrimit me këtë temë publikuar në gazetën franceze “L’Aube” (të datës 23 gusht 1946), akuzat e Kaldarisit nuk janë për Omer Nishanin, por për Enver Hoxhën, i cili kishte ardhur personalisht në Konferencën e Paqes në Paris dhe ishte mbërthyer në një polemikë të fortë me kryeministrin helen, duke i bërë deklaratën e famshme se në territorin e Shqipërisë nuk kishte asnjë pëllëmbë tokë greke.
Teksti i njoftimit të gazetës “L’Aube” ishte ky: “Z. Tsaldaris deklaron para 21-ve, Gjenerali Hoxha, president i Shqipërisë ka qenë “kolaboracionist”.
Me një qetësi të ftohtë, z. Tsaldaris e vuri Konferencën në gëzim. Ai foli për një kohë të gjatë. Argumentet e tij nuk ishin pa peshë (vlerë). Por ai filloi të citonte fjalimet e mbajtura në 1940, mbi lavdinë e fashizmit dhe të Musolinit, nga z. Hoxha i cili, asokohe nuk ishte Gjeneral – President i Shqipërisë.
Çfarë thoshte z. Hoxha?
Sipas një gazete shqiptare, “Tomorri”, e datës 12 prill 1940, ai shprehte në terma ditirambike admirimin e tij për Viktor-Emanuelin III dhe Musolinin.
Ai (Enver Hoxha) deklaronte se fashizmi, dhe ai i vetëm, ishte i domosdoshëm për Shqipërinë dhe se vetëm ai do t’i jepte (siguronte) kufijtë e saj natyrorë.
Ky fjalim, i mbajtur për të festuar ditën kur Viktor-Emanueli mori titullin Mbret i Shqipërisë, përfundoi me këto fjalë: “Rroftë Viktor-Emanueli! Rroftë Duçja”!
Shihet qartë se “L’Aube”, i shtyrë nga çfarë manipuloi Kaldaris, ka gënjyer dhe emri i Enver Hoxhës si i akuzuar për kolaboracionizëm nuk është e vetmja pasaktësi në atë shkrim. Kështu kjo akuzë për Hoxhën bie.
Gjithsesi Kastriot Dervishi ngul këmbë se ka ekzistuar “një fotografi e bërë në fillim të vitit 1941 në shtëpinë e Mustafa Kruja në Krujë, ku përveç tij duken edhe Enver Hoxha, Xhovani Xhiro (njeriu kryesor që u mor me përhapjen e ideologjisë fashiste në Shqipëri), Nikolla Kotte, Kostandin Kotte dhe Aristidh Lamani. Të gjithë personat kanë pozuar përpara një tavoline të tejmbushur. Kjo fotografi është ndodhur për shumë vite në shtëpinë e një personi të sipërpërmendur”.
Mirëpo kjo foto nuk është paraqitur prej studiuesit Dervishi, ndoshta sepse nuk është gjendur. Sidoqoftë ai, duke qenë se e di emrin e personit që e ka pasur në albumin e vet fotografik, duhej ta përmendte me emër, çfarë nuk e bën, duke e zbehur fare peshën e kësaj akuze. Pse të mos jetë propagandë prej kundërshtarësh politikë të Enver Hoxhës, siç qenë të gjashtë të mësipërmit? Po ta kishte, këtë foto kompromentuese njëri prej tyre do ta përdorte pas lufte.
Nisur edhe nga prova e dëshmi të tjera, por kryesisht hipotetike, Kastriot Dervishi po ashtu ngul këmbë se duke qenë mësues në Liceun e Korçës patjetër duhej të kishte një akt betimi ndaj regjimit fashist të Enver Hoxhës dhe anëtarësim të tij (qoftë edhe formalisht) në Partinë Fashiste Shqiptare, por çdo gjurmë e këtij dokumentacioni është shfarosur me të marrë pushtetin. Kjo patjetër ka ndodhur, sepse u përsërit edhe pas gjysmë shekulli nga rënia e regjimit komunist.
Kur në vitin 1950, për shkak se rezultoi që në parti patën depërtuar shumë me biografi të kamufluar, pra edhe me të kaluar lidhjeje me fashizmin, Enver Hoxha ishte në vijë të parë të qëndrimeve shumë të ashpra. Më i zhurmshmi proces ishte kundër Kahreman Yllit, i cili u dënua për disa vite me ulje nga postet shtetërore dhe partiake, sepse nuk kishte rrëfyer që në vitin 1940 pati qenë, sipas njoftimit të gazetës “Tomori”, federal i fashizmit në Peshkopi. Në të vërtetë Ylli në asnjë minutë nuk e kish kryer atë funksion. Hoxha nuk e la mënjanë për pa denoncuar publikisht edhe Bedri Spahiun, për të njëjtën arsyeje bashkëpunimi. Në librin “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse”, me autorë Hamit Kaba dhe Ethem Çeliku”, Tiranë 2017, faqja 64, ndodhet edhe një pjesë nga ditari i Sekretarit të Parë të Misionit të BRSS në Shqipëri, A.N.Gagarinov, me shënimin “Sekret”, nga një bisedë të tij në 13 shtator 1947 me Nako Spirun. Në fund të atij shumëfaqëshi thuhet: “Mua m’u krijua një përshtypje e tillë se Nako Spiru kohët e fundit, po fillon të ndjejë frikë për fatin e tij të mëtejshëm. (E gjithë puna është se, e kaluara e tij, nuk është fort e pastër. Thonë, se ai ka qenë drejtues i organizatës së Rinisë Fashiste në Durrës dhe se duke qenë në këtë pozicion, ka vizituar edhe Italinë në kohën e luftës). Ndoshta ky është edhe shkaku i vërtetë i debatit të tij me Enver Hoxhën”.
Po ashtu e informojmë lexuesin se në 2 nëntor 1995, kur Abaz Ermenji, kolegu i Enver Hoxhës në liceun e mësipërm, erdhi në Shqipëri, deklaroi se “Komunistët në atë kohë nuk mendonin si ne. Ata influencoheshin nga traktati Ribentrop-Molotov dhe bile Hoxha mundohej të më mbushte mendjen se është mirë të pranojmë nga fuqia e Boshtit, ku kapitali është i organizuar nga shteti dhe mund të kthehet prej një dite në tjetrën në komunizëm se sa me plutokracitë e fëlliqura të Perëndimit”. Sipas Ermenjit, kjo qe deklaruar nga Enver Hoxha në fund të nëntorit 1939.

Tesera fashiste e Nexhmije Xhunglinit

Nga emrat që Kastriot Dervishi citon dhe për autorin e këtij shkrimi ka lidhje tërthorazi me ndikimin e 22 muajve të paktit Ribentrop-Molotov, është edhe Nexhmije Xhunglini. Sipas tij, në 8 shtator 1939 i ati i saj iu drejtua me një letër Ministrisë së Arsimit, në të cilën lutej që të bijës t’i jepej një bursë studimi. Dy vite më pas, në 8 nëntor 1941, tashmë për të siguruar një vend pune si mësuese, ajo ka identifikuar firmën e saj te noteri. Në 10 nëntor, sërish sipas Dervishit, “mori raportin mjekësor pozitiv dhe po atë ditë Partia Fashiste njoftoi regjistrimin me teserën nr. 637 të Nexhmije Xhuglinit në Partinë Fashiste. Nënshkrimin e ka bërë komandanti krahinor, Eqerem Stërmasi. Më 11 nëntor 1941, Prefektura e Tiranës ka dhënë mendim pozitiv për të duke shkruar se “mban qëndrim moral dhe politik të mirë”.
Me dokumentin e prefekturës dhe të anëtarësisë në Partinë Fashiste Nexhmije Xhunglini është paraqitur në Ministrinë e Arsimit ku ka marrë emërimin (për çudi këto ngjarje janë të zhvilluara paralelisht, ditë pas dite dhe pothuaj orë pas ore, me punimet e themelimit të Partisë Komuniste).
Sigurisht ky anëtarësim nuk ka qenë aspak ambicie politike e Nexhmije Xhunglinit, më vonë bashkëshortja e Enver Hoxhës, se cila ishte dhe mbetet me formim të palëkundur bolshevik, por që prej 3 qershorit 1939 qe e detyruar si për këdo që bëhej punonjës administrate i regjimit të pushtimit, veçanërisht mësues, të kryente betimin ndaj fashizmit dhe të anëtarësohej në këtë parti. Ky urdhër qarkor i Këshillit të Ministrave, nënvizon studiuesi Dervishi, kishte numrin 589/1 dhe qe i datës 6 qershor 1939.
Marrëveshja Ribentrop-Molotov, gjersa u prish nga sulmi hitlerian mbi Bashkimin Sovjetik, imponoi periudhë mostrazimi reciprok dhe në jo pak herë bashkëpunimi të komunistëve me nazifashistët. Në rastet kur nuk i bënin dot për vete, siç qe Qemal Stafa, ata i kompromentonin, siç vepruan me të, duke i botuar ndonjë poezi apo skicë nëpër gazetat e tyre. Gjithsesi një fakt mbetet: në 22 muajt e Marrëveshjes Ribentrop-Molotov komunistët, përjashto Llazar Fundon që ishte antistalinist, nuk u burgosën apo internuan nga italianët. Kjo qe periudha kur persekutimi u bëhej vetëm nacionalistëve.
Të mos harrojmë se prej 15 pjesëmarrësve në themelimin e PKSH-së, asnjë më parë nuk qe burgosur prej fashistëve. Kur një vit më vonë u krijua Balli Kombëtar, rezultoi që në grupin kryesor udhëheqës nuk qenë vetëm një e dy ish-të internuar, duke nisur nga vetë nënkryetari i BK, Ali Këlcyra.
Saktësojmë: në intensitetin dhe thellësinë e tyre, bashkëpunimi i parë komunisto-nazifashist ndryshon nga i dyti, ai i ballistëve. Ky i fundit qe më aktiv, me përmasa më të gjera dhe i kryer me zell të madh.

Tiranë, më 2 shtator 2019


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.