Intervista

Lorela Garuli: Fobia nga shkolla, si duhet të sillemi me fëmijët

16:20 - 09.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Rifillimi i rutinës pas periudhës së gjatë të pushimeve të verës nuk është i lehtë për fëmijët. Megjithatë, ka disa mënyra sesi të rriturit mund t’i ndihmojnë të vegjlit për të rinisur qetësisht vitin akademik. Në një intervistë për suplementin “Life Pages”, psikologia Lorela Garuli tregon disa prej mënyrave efektive që prindërit mund të përdorin për të rikthyer vogëlushët në rutinën e përditshme. Sipas saj, është e rëndësishme të respektohen oraret e gjumit dhe zgjimit, në një kohë që fëmijët duhet të mësohen edhe të kryejnë punë të ndryshme në shtëpi. Gjithashtu, Garuli flet edhe për fobinë shkollore, format e shfaqjes së saj si dhe mënyrat e trajtimit nga prindërit e mësuesit.




Cilat janë masat që duhet të marrin prindërit, në mënyrë që fëmijët t’i kthehen sërish në mënyrë graduale procesit mësimor?
Në radhë të parë, ajo që është shumë e rëndësishme ka të bëjë me ndryshimin gradual të rutinës. Nevojitet një kohë paraprake përgatitore përpara fillimit të shkollës, përgjatë së cilës fëmijët të fillojnë të mësohen me ndryshimet dhe me rutinën shkollore. Kjo mund të bëhet duke iu rikthyer hap pas hapi kryesisht orarit gjumë-zgjim të fëmijëve. Çdo ditë, ata mund të zgjohen disa minuta më herët sesa gjatë verës, në mënyrë që kur të vijë dita e parë e shkollës, të jenë tashmë të mësuar me orarin e nisjes së mësimit. Fëmijët asnjëherë nuk do munden ta kenë më të lehtë kalimin nga pushimet për në shkollë, nëse deri të dielën e fundit të pushimeve do të jenë të paorientuar drejt asaj që i pret të nesërmen.

Mund të na tregoni disa prej aktiviteteve që mund të përfshihen vogëlushët pas përfundimit të pushimeve verore?
Nga ana tjetër, është e rëndësishme që fëmijët të përfshihen në punë të ndryshme në shtëpi pas pushimeve. Kështu psh., ata mund të rregullojnë dhomën e tyre, mund të sistemojnë gjëra të vogla në shtëpi, mund të jenë me prindërit kur këta të fundit gatuajnë, rregullojnë etj. Në të njëjtën kohë, një pjesë të ditës ata mund ta kalojnë duke u angazhuar me veprimtari didaktike-argëtuese. Mund të mësojnë vjersha, përralla, mund të lexojnë apo të kryejnë veprimtari të tjera të lidhura me një lëndë apo disiplinë që i pëlqen, por duke u paraqitur përherë si dëfrim. Gjatë kohës që përfundojnë pushimet, prindërit mund të përfitojnë nga rasti që t’u flasin fëmijëve për vitin e ri akademik, për ndryshimet që e presin (sidomos për ata që hyjnë në shkollë për herë të parë ose që kalojnë nga një cikël tek tjetri). Gjatë kësaj kohe, prindërit dhe fëmijët mund të bëjnë së bashku përgatitjet për vitin e ri shkollor. Blerja e librave dhe materialeve me fëmijët i bën ata pjesë konkrete të punës që i pret në shkollë.

A duhet t’i nxisim fëmijët paraprakisht mbi rezultatet që duhet të arrijnë në shkollë?
Është shumë e rëndësishme që prindërit të mos i ngarkojnë fëmijët me përgjegjësi që lidhen me pritshmëritë e tyre. Pra, të mos u flasin për atë se çfarë presin ata nga fëmijët, rezultate të caktuara në shkollë apo të nxisin konkurrencën. Kjo mund t’i frikësojë, t’i vendosë përpara përgjegjësisë apo frikës se nuk përmbushin dot atë që prindi pret. Raste të tilla mund të kenë pasoja aspak pozitive, siç është refuzimi i shkollës, pakënaqësitë e lidhura me të, e deri tek ajo që njihet si fobia shkollore.

Çfarë është fobia shkollore dhe si shfaqet te fëmijët?
Shumë fëmijë përjetojnë ndjenja jo të mira kur u duhet të shkojnë në shkollë për herë të parë apo të tjerë, të cilët shfaqin rezistencë për të qëndruar aty. Fobia shkollore ka të bëjë me frikën e vazhdueshme që i shkakton fëmijës mjedisi shkollor. Te fëmijët më të vegjël kjo mund të lidhet me vështirësitë për t’u larguar nga prindërit. Në raste të tjera, shkaku ka të bëjë me frikën nga gjykimi i shokëve/shoqeve të klasës, frikë se nuk përmbush pritshmëritë akademike të prindërve apo mësuesve, vështirësi për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie normale me bashkëmoshatarët, marrëdhënie jo e mirë me mësuesit, episode të mundshme bullizmi. Fobia shkollore shoqërohet me ndjenja të forta ankthi, kriza paniku kur vjen koha për të shkuar në shkollë, dhimbje koke, të vjella, të qara, stres, irritim.

Si duhet të sillen prindërit dhe mësuesit me fëmijët që shfaqin probleme të tilla?
Ajo që duhet të dinë shumë qartë prindërit është që nuk bëhet fjalë për kapriço, por për vështirësi konkrete që hasin fëmijët. Kjo do të thotë se për t’i ndihmuar këta fëmijë, absolutisht nuk duhet ushtruar presion, nuk duhen sforcuar, apo detyruar fëmijët për asgjë. Në shumë raste, vështirësitë që ndeshin fëmijët e vegjël për t’u përshtatur me shkollën dhe për të qëndruar larg prindërve, lidhen me llojin e marrëdhënies dhe të atashimit që kanë ata me njëri-tjetrin (një stil i pasigurt atashimi ia vështirëson fëmijës çastin e ndarjes nga prindi). Për këto arsye, prindërit duhet të ndërtojnë ura komunikimi, mirëkuptimi dhe dialogu. Identifikimi dhe të kuptuarit e frikërave të fëmijës ndihmon në kapërcimin e situatës. Nga ana tjetër, mësuesit në klasë duhet të sigurohen të krijojnë klimë bashkëpunimi dhe mjedis mirëpritës, në mënyrë që fëmijët të sfidojnë pasiguritë, pengesat dhe të pranojnë vështirësitë që mund të kenë, duke pranuar limitet e veta e të edukohen të kërkojnë ndihmë pa hezitim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.