Kryesore

Negociatat, Mediu: Dialog të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët

14:39 - 09.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Fatmir Mediu, kreu i republikanëve, aleati më i afërt i PD-së insiston për një dialog me mazhorancën, të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët pas 30 qershorit. Mediu është pro negociatave, por jo të drejtpërdrejta mes dy liderëve politikë, Lulzim Basha e Edi Rama. Mediu tregon për “Gazeta Shqiptare”, se opozita ka bërë përpjekjet e saj, po ashtu edhe faktori ndërkombëtar ka dashur të ndërmjetësonte pas 30 qershorit dialog mes opozitës dhe mazhorancës dhe se Lulzim Basha ka qenë i gatshëm për dialog, por Rama ka refuzuar.




Kreu i PR-së akuzon kryeministrin si e keqja më e madhe e vendit për shkak të keqqeverisjes, lidhjeve me krimin dhe manipulimin e zgjedhjeve. Mediu flet për ndryshimet në sistemin zgjedhor, ngritjen e një grupi negociator nga opozita për t’u ulur me mazhorancën për reformën zgjedhore. Fatmir Mediu shprehet se opozita nuk është vetëm protestë. Aleati i Bashës apelon: “Duhet të riformatojë sa më shpejt vendimmarrjen, raportin ndërkombëtar, aksionin politik, duhet të ketë një nivel tjetër të përfaqësimit diplomatik, duhet të gjejë rrugët e zgjidhjes për reforma të rëndësishme. Ideja e Bashës ishte që duhet të ketë platformë. Ne patjetër në radhë të parë duhet të strukturojmë më vetveten. Të mos ecim vetëm me idenë vlen apo nuk vlen kryeministri dhe qeveria”.

Z.Mediu, pse Shqipëria po përjeton një krizë të thellë politike?
Ne kemi kriza afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Kriza afatgjatë është kriza kushtetuese. Këtu duhet të fillojmë që të ngremë Shqipërinë shtet. Krizë afatmesme që zgjidhet vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi një parlament qesharak, që duhet të largohet. Duhet të mundësohen zgjedhje të parakohshme lokale dhe të përgjithshme në tetor që zhvillohen nga një qeverie kujdestare, për këto zgjedhje, por edhe për 15 vitet e ardhshme. Ky proces fars nuk mund të ndikojë në bashkitë e sotme. Duhet të ndalet dhe të bllokohet, për zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në muajin tetor.

Si e vlerësoni raportin final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale të 30 qershorit?
Raporti përfundimtar i ODIHR konfirmoi edhe njëherë se: në 30 qershor nuk kishte zgjedhje dhe për pasojë sot kemi një pushtet lokal të paligjshëm dhe shqiptarët duhet në çdo mënyrë të votojnë sa më parë dhe të kenë pushtetin e tyre lokal. Dekreti i presidentit është në fuqi dhe vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta shqyrtoje atë. Në bashki nuk ka kryetarë të zgjedhur, por zgjatim të strukturave kriminale dhe korruptive të emëruar nga Rama. Zgjedhjet lokale janë ato të deklaruara nga presidenti në datë 13 tetor.

Rama dhe struktura e tij kriminale kane kryer një krim elektoral duke manipuluar zgjedhjet, duke mos zbatuar Kushtetutën dhe dekretin e presidentit, kanë kryer dëm financiar duke zëvendësuar zgjedhjet lokale me zgjedhje politike të Rilindjes. Kjo sjellje tipike hitleriane ka vetëm një zgjidhje, organizimi sa më parë të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. KQZ është një zgjatim kriminal i Rilindjes, që ka shkelur hapur Kushtetutën dhe Kodin elektoral. Deliri kriminal i KQZ ka kaluar çdo kufi, duke i dhëne vetes autoritetin e gjykimit të Kushtetutës, përjashtimit të opozitës dhe krijimit të opozitave fiktive. Përgjegjësia e tyre është përgjegjësi përballë ligjit.

Për çfarë mban përgjegjësi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve?
KQZ mban përgjegjësi penale për mosorganizimin e zgjedhjeve të 13 tetorit. Kjo KQZ duhet të ndryshojë sa më parë duke u kthyer në një KQZ të balancuar si e kërkon ligji dhe kushtetuta. Rama ka një agjendë tmerrësisht antievropiane dhe antikombëtare, ai dhe Rilindja qëllimisht përpara çeljes negociatave me BE ka shtuar zullumin korruptiv, kriminal dhe u mohoi shqiptarëve të drejtën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përballja dhe zgjedhjet sa më parë janë e vetmja rrugë për të ndaluar shkatërrimin e vendit.

Mazhoranca i quan legjitime zgjedhjet e 30 qershorit, ndërkohë që opozita ka gati dosjen e manipulimit të tyre…
Zgjedhjet ishin pa kandidatë dhe këto zgjedhje nuk u respektua asnjë ligj. Dekreti i presidentit është në fuqi për aq kohë sa nuk është shprehur Gjykata Kushtetuese. Bazuar në këtë, unë mendoj se opozita duhet të denoncojë sjelljet e kësaj qeverie. Rama ka qenë pjesë dhe protagonist i vjedhjeve dhe manipulimit të zgjedhjeve. Edhe në këto zgjedhje që ishte vetëm ai vijon të vjedhë votat. Ka një raport të ODIHR, që flet për parregullsi zgjedhore. Këto zgjedhje janë braktisur nga elektorati i majtë dhe nga të gjithë shqiptarët.

A do shërbejë 13 tetori për zgjidhjen e krizës politike?
Opozita ka ruajtur një raport të drejtë me qytetarët. Shqiptarët kanë mbrojtur standardet e zgjedhjeve. Pas 30 vitesh patëm zgjedhje me një kandidat. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme në 13 tetor janë zgjidhja e kësaj situate.

Si e gjykoni qëndrimin e Presidentit Ilir Meta për zgjidhjen e krizës politike?
Presidenti Meta është në të drejtën e tij kushtetuese, ndaj mbështesin qëndrimin dhe tentativat e tij për të gjetur një zgjidhje të krizës.

Çfarë do të ndodhë pas 30 qershorit? Pse kaq e vështirë zgjidhja e krizës aktuale…?
Shqiptarët në 30 qershor i thanë ‘jo’ marrëzisë, krimit dhe korrupsionit të Edi Ramës. Ky ishte referendumi i shqiptarëve kundër Edi Ramës. Në mënyrë plebishitare 85% e shqiptarëve refuzuan të keqen, shkatërrimin e pluralizmit, refuzuan talljen dhe përbuzjen e Edi Ramës. Ky është një moment përgjegjësie dhe reflektimi për opozitën, për t’ju përgjigjur zërit europian të shqiptarëve. Nuk mund të jenë në krye të bashkive, kukullat e Edi Ramës, ata që morën pjesë në farsën zgjedhore të PS dhe u refuzuan masivisht nga shqiptarët. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe lokale, zgjedhje të lira dhe të ndershme, është tashmë rruga e vetme për të dalë nga kriza ku është përfshirë Shqipëria.

Opozita ka rënë dakord për një dialog me mazhorancën të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët pas 30 qershorit, por pse nuk po ndodh një gjë e tillë…?
Duhet të ketë negocim pozitë dhe opozitë. Z.Basha nuk ka thënë se nuk është për dialog. Faktori ndërkombëtar pas zgjedhjeve të 30 qershorit donte të facilonte një dialog mes pozitës dhe opozitës. Bashkë me zotin Basha, në të gjitha takimet që kemi zhvilluar, më tej dhe me zonjën Kryemadhi kemi rëndë dakord që duhet të ketë një dialog të facilituar nga ndërkombëtarët. Ai që nuk ka qenë dakord ka qenë Caka i Ramës dhe Rama i Cakës. Këta të dy kanë refuzuar kërkesën e OSBE për këtë çështje. Ne kemi vazhduar të kërkojmë që të ketë një dialog, sepse dialogu i shërben interesit të vendit.

A i druhen aleatët e PD-së një takimi Basha-Rama për një marrëveshje të re politike mes tyre?
Nuk i druhem asnjë gjëje, sepse mendoj se Basha tashmë kupton që duhet të përfaqësojë zërin e opozitës. Është shumë herë më mirë kur ulen pozita dhe opozita me njëra-tjetrën, sepse jemi shumë më tepër për t’u angazhuar në bisedime dhe për të gjetur zgjidhje sesa ta lëmë në momente të gjykimit personal apo një interesi momental personal të Ramës apo dhe Bashës. Është shumë e rëndësishme të ulemi në mënyrë institucionale sesa private. Duke u ulur në mënyrë institucionale, ne kemi mundësi edhe për të thirrur aktorë ndërkombëtarë të fuqishëm, një pjesë e tyre janë përgjigjur pozitivisht në atë kohë kur unë diskutoja dhe negocioja me OSBE, BE dhe SHBA që janë të gatshëm të ofrohen, por gjithmonë duke parë një terren. Duhet të gjejmë një mënyrë për të zgjidhur krizën. Është e rëndësishme të hapet një dialog pozitiv mes opozitës dhe pozitës, i cili kushtëzohet vetvetiu për shkak të problematikës, por jo për shkak të personave. Duhet të kushtëzojmë problematikën e diskutimit të çështjeve.

A është e pashmangshme ulja në bisedime e opozitës me Edi Ramën?
Së pari, z.Basha ka deklaruar se nuk ulet me Ramën. Unë mendoj që me Ramën si kryeministër asnjë nga ne nuk ulet, sepse ka shkatërruar të gjithë shtetin shqiptar. Por se kush është në krye të PS-së, nuk e zgjedhim ne. E dyta, e kam thënë edhe më parë, unë mendoj se më mirë ulem me atë që pavarësisht se është e keqja përfaqësuese e PS, është autoriteti për t’i dhënë ose jo zgjidhje sa të ulem me Gent Cakën, që do më recitojë poezi të Ramës, por jo nga goja e Ramës, por nga goja e vet.

A duhet ndërkombëtarët që të jenë pjesë e një angazhimi më të thellë për të ndihmuar këtë zgjidhje të situatës politike në Shqipëri?
Unë mendoj që ndërkombëtarët do të bëhen pjesë vetëm atëherë kur të shikojnë mundësi dialogu. Nuk ka asnjë ndërkombëtar, sado i shquar të jetë, që të vijë në Shqipëri dhe të iniciojë një dialog pa e ditur se ku do të përfundojnë qëndrimet e forcave politike.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, pas takimit me drejtorin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Europën Qendrore dhe Jugore, David Kostelancik foli për një reformë zgjedhore si fokusi kryesor i opozitës deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja…
Mendoj që opozita duhet të arrijë të propozojë, në radhë të parë në gjykim politik dhe pastaj nga pikëpamja teknike dhe ne kemi ide për këtë çështje. Është e domosdoshme që ne të ulemi të analizojmë kush është ai sistem zgjedhor që i garanton qytetarët të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, cili është ai administrim i procesit zgjedhor që garanton shmangien e procesit të blerjes së votës, manipulimin e procesit, një administrim i drejtë. Ne kemi diskutuar herë pas herë me zotin Basha të marrim në analizë historinë elektorale dhe politike të së djathtës për të parë cili është sistemi më funksional që i jep forcë qytetarit dhe shpejt do të kemi një diskutim analitik për të dalë në një qëndrim. Duhet të krijojmë sistem parlamentar funksional ku qytetarët vendosin kush i përfaqëson. Në situatën aktuale kemi një qeveri kundër popullit të vet.

…Por a mund të shmanget PS-ja si faktor i rëndësishëm politik në vend, a mund të anashkalohet kompleksi për t’u ulur në një tryezë me socialistët…?
Opozita të shikojë se cilat janë rrugët që duhet të ndjekë me PS-në. Gabimi ynë është që mendojmë gjithnjë se kush është Edi Rama. Ne duhet të mendojmë që ka një faktor politik në vend që është PS dhe nuk mund të jetë faktor politik i paneglizhueshëm, pavarësisht se në ç’lloj derexheje e ka katandisur Edi Rama.

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, qendrore dhe lokale njëherësh, por kur duhet të zhvillohen ato sipas jush?
Kemi thënë që kohë më parë se është e mundur që brenda 6 muajve të organizohen zgjedhjet me largimin e Edi Ramës, me qeverisje tranzitore që garanton të gjitha parametrat për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri, ndoshta edhe më pak se kaq. Por ajo që është më e rëndësishme është që ne duhet të largojmë problemin nga qeverisja dhe problemi është Edi Rama.

Përse nuk ka ende një datë për rifillimin e protestave kundër kryeministrit Edi Rama?
Z.Basha tha se protesta nuk është qëllim në vetvete, opozita nuk është vetëm protestë. Duhet të riformatojë sa më shpejt vendimmarrjen, raportin ndërkombëtar, aksionin politik, duhet të ketë një nivel tjetër të përfaqësimit diplomatik, duhet të gjejë rrugët e zgjidhjes për reforma të rëndësishme. Ideja e Bashës ishte që duhet të ketë platformë. Ne patjetër në radhë të parë duhet të strukturojmë vetveten. Të mos ecim vetëm me idenë vlen apo nuk vlen kryeministri dhe qeveria. Protestat popullore do të shoqërohen edhe me takime me popullin për t’iu ofruar atyre alternativën qeverisëse të opozitës.

A ka përçarje brenda vetë opozitës?
Nuk ka asnjë përçarje brenda opozitës. Opozita ka një synim të përbashkët, zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat sipas saj, duhet të realizohen nga një qeveri tranzitore, pa Ramën kryeministër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.