OPINION

Tirana apo TiRama?

09:33 - 09.09.19 Edmond Tupja
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dikur, edhe fëmijë, edhe i rritur, e shijoja Tiranën, qytetin tim të lindjes, ku vazhdoj të jetoj, me të gjitha shqisat dhe, kryesisht, me shpirt, deri në hollësitë më të vogla. Çdo mëngjes sytë më ledhatonin majën e malit të Dajtit, Kullën e Sahatit, kurse pasditeve vonë kaloja mes hapësirash të blerta plot ajër e dritë. Shpesh, në pranverë, me shokët e klasës apo të mëhallës, shkonim gjithash- tu andej nga liqeni dhe i gëzoheshim gjelbërimit ngadhënjimtar të kodrave rreth e rrotull, ndërsa ajri i kulluar, përzier me aromën e luleve, na dehte dhe ne dëgjonim me ëndje zogjtë që jepnin koncert me cicërimat e tyre të hareshme; në verë, tek frynte flladi në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, sodisnim tiranaset e bukura tek bënim bashkërisht xhiron e përmbrëmshme.




“Ah! – mund të mendojë në këtë moment ndonjëra prej lexueseve apo ndonjëri prej lexuesve të mi, qoftë të përjavshëm, qoftë të herëpashershëm – plaku Tupja qenka një nostalgjik i Tiranës së dikurshme dhe, me gjasë, alergjik ndaj ndryshimeve që po njeh Tirana këto tridhjetë vitet e fundit”. Po, kam guximin të pohoj që një mendim i tillë do të ishte pjesërisht i vërtetë dhe këtu nuk ka asgjë për t’u habitur!

Nuk ka asgjë për t’u habitur sepse hapësirat e blerta në Tiranë po i gllabëron betoni, sepse përbindëshit e betontë – quajini si të doni: kulla, rrokaqiej, qiellgërvishtës apo grataçelë – po na e fshehin tashmë pamjen e malit të Dajtit, ata e kanë tkurrur Kullën e Sahatit, e kanë përpirë Tyrben e vjetër si edhe urën e Tabakëve, aq sa kalimtarëve nuk ua zë më syri dashamirës.

Në të njëjtën kohë, betonimi dhe asfaltimi i pamëshirshëm i ishhapësirave dikur të blerta kanë tjetërsuar cilësinë e ajrit deri në atë pikë, sa vetëm pasi ka rënë shi me bollëk tiranasit mund të thithin sërish – por e shumta vetëm për një ditë – ajrin e dikurshëm të pastruar nga dioksidi i karbonit, pluhuri dhe ndotësit e tjerë të padukshëm.

Nga ana tjetër, statuja e Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, është zhvleftësuar, a thua se ka hyrë në ujë atje ku qëndron gati mjerane, në një cep të sheshit gungaç e që fsheh poshtë vetes atë zgafellë të shëmtuar të ashtuquajtur parking. Së fundi, edhe Selvia e moçme e Tiranës në Rrugën e Dibrës, me shumë gjasë nuk do ta ketë jetën të gjatë, veç në e mbrojttë ylli mjeran, që vazhdon t’ia shëmtojë majën.

Nuk ka asgjë për t’u habitur, sepse për hir të shën betonit dhe në emër të tij, qendra historike e kulturore e Tiranës fatkeqe, përfshirë Teatrin e çmuar Kombëtar, rrezikon të zhduket nga faqja e saj për t’u zëvendësuar me përbindëshit e lartpërmendur aq fitimprurës për babëzinë e paparë të oligarkëve e të qeveritarëve tanë në shërbim të tyre. Jo, absolutisht jo, kryeqyteti i Shqipërisë nuk e meriton një fat të tillë, nuk ka përse të shpërfytyrohet në këtë mënyrë.

Kujdes, pra, o kryeqytetas, zgjohuni dhe hapni sytë, rrisni vigjilencën tuaj, Tirana është e sëmurë, e sëmurë rëndë, ajo është njëherazi anemike, astmatike dhe astenike, gjysmë e verbuar nga smogu, gjysmë e shurdhuar nga zhurmat zhangëlluese, gjysmë e asfiksuar nga gazrat kancerogjene të makinave, nga pluhuri i ndërtimeve, nga kutërbimi i kazanëve të plehrave! Tirana juaj, Tirana ime, Tirana jonë po vuan në heshtje, pavarësisht aktrimit mjeshtërisht logorreik të kryebashkiakut të saj, aktor e demagog i lindur, i cili, tek flet me zë, me sy, me këmbë e me duar në sheshe e në kronika televizive, në takime e në përurime hipokrite, rreket të na e mbushë mendjen se Tirana është duke u bërë kryeqyteti më i mrekullueshëm i Ballkanit, i Europës, i planetit Tokë, madje, ku i dihet, edhe i galaktikës ku bën pjesë sistemi ynë diellor!

Po, o kryeqytetas, sidomos ju që, krejt ndryshe nga qeveritarët tanë vendorë e qendrorë, nuk keni mundësi, qoftë edhe për disa ditë, të shkëputeni nga shtëpitë tuaja për të shkuar diku buzë detit në Durrës ose të paktën në malin e Dajtit (vetëm njëzet minuta larg me furgon) thjesht për të pastruar, qoftë sadopak dhe sado përkohësisht, mushkëritë tuaja, gjakun tuaj dhe veçanërisht atë të fëmijëve tuaj, të cilët sëmurën shumë shpesh në çdo stinë.

Po, o kryeqytetas, qyteti juaj, i imi, i yni është i sëmurë, ai po lëngon tek dergjet i pafuqishëm nën peshën vrastare të betonit të akullt në dimër e të ziftit përvëlues në verë, tek i thahet buza prej dekadash, sepse ne kemi ujë vetëm disa orë në ditë, ndërkohë që, në vend ta betononte atë marrëzisht, kryebashkiaku i saj duhej të na kishte siguruar ujë të pishëm për 24 orë rresht, ajër të pastër gjithashtu, ai duhej të kishte zhdukur lukuninë e kabllove, tubave e telave të përdorimeve të ndryshme që varen si zorrë të holla e si zorrë të trasha nga shtylla në shtyllë, nga pallati në pallat dhe nga lagjja në lagje, lukuni që na depërton me metastazat e saj të shëmtuara në trup e në shpirt për të na e nxirë përherë e më neveritshëm jetën rraskapitëse që na detyrojnë të bëjmë.

Gjithsesi, përgjegjës për këtë gjendje të mjerueshme të Tiranës nuk bëj vetëm kryebashkiakun dhe Këshillin e saj Bashkiak, sepse prapa e veçanërisht sipër atyre zgjatet, fryhet e peshon hija despotike e gllabëruese e Kryeministrit tonë perandorak, i cili, që nga koha kur ka qenë kryebashkiak, do të ketë përkëdhelur me afsh e epsh ëndrrën dhe ndoshta projektin që, një ditë të bardhë për egon e tij të frikshme, por të zezë për fatin e tiranasve, emri i kryeqytetit të Shqipërisë, falë ndërrimit të një shkronje, të shkruhet e shqiptohet jo më Tirana, por TiRama, duke e bërë kështu të përjetshëm llagapin e tij. Larg qoftë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.