AKTUALITET

Gent Sejko: Ekonomia e vendit është në trend rritës

12:00 - 10.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Zsuzsanna Hargitai, drejtore rajonale për Ballkanin Perëndimor dhe Matteo Colangeli, përfaqësues i BERZH-it për Shqipërinë. Referuar njoftimit zyrtar, në fokus të takimit ishte diskutimi i draftit të Strategjisë të Zhvillimit të Shqipërisë për vitin 2020-2025, një dokument ky, i cili konturon prioritetet, objektivat dhe programet e mbështetjes, që BERZH planifikon të kryejë në Shqipëri gjatë këtij horizonti kohor. Pas konsultimeve me aktorët relevantë publike dhe privatë në vend, kjo draft-strategji do të miratohet dhe do të vihet në zbatim nga BERZH gjatë pesë viteve të ardhshme. Në këtë kontekst, përfaqësuesit e BERZH bënë një pasqyrë të shkurtër të saj, duke theksuar objektivat kryesore të saj, të cilat orientohen në tri shtylla kryesore: (i) mbështetjen e përmirësimit të mëtejshëm të aftësive manaxheriale në ekonomi, në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës dhe forcimit të klimës së biznesit; (ii) mbështetjen e rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe inkurajimin e një përfshirjeje më të gjerë të shtresave ekonomike e sociale, nëpërmjet rritjes së aksesit në financë dhe zhvillimit të mëtejshëm të dijeve dhe (iii) diversifikimin e mëtejshëm të burimeve të energjisë, rritjen e eficiencës dhe qëndrueshmërisë së përdorimit të saj. Më në veçanti, përfaqësuesit e EBRD u ndalën në detaje dhe theksuan mbështetjen që kanë dhe do të vijojnë të japin për zhvillimin e sistemit financiar dhe sektorit bankar në Shqipëri dhe u interesuan të dinin pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi çështjet e parashtruara.




Guvernatori
Guvernatori Sejko falënderoi BERZH për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë vendit gjatë rrugës së tij të tranzicionit dhe procesit të konvergjimit në BE, duke theksuar në veçanti rolin pozitiv që programet e BERZH kanë pasur në zhvillimin e sistemit financiar dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale të Bankës së Shqipërisë. Në vijim, guvernatori Sejko bëri një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi se pavarësisht luhatjeve që vijnë nga sektorë të caktuar, zhvillimi vendit mbetet në një trend pozitiv, duke siguruar rritje të punësimit, përmirësim të shëndetit financiar të sektorit publik dhe privat si dhe një trend rritjeje të presioneve të brendshme inflacioniste. Ai theksoi se ky trend zhvillimesh pasqyron si efektet pozitive që ka sjellë politika jonë monetare stimuluese, ashtu edhe efektet e nismave të ndryshme që Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë në drejtim të reduktimit të kredive me probleme, të përmirësimit të ambientit të kreditimit, të përmirësimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullatore dhe përafrimit të tij me standardet e BE-së, si dhe në drejtim të rritjes së formalizimit dhe zhvillimit e zgjerimit të mëtejshëm të tregut financiar. Në fjalën e tij, guvernatori Sejko konstatoi se Banka e Shqipërisë ndan opinion të njëjtë më BERZH mbi sfidat e zhvillimit të vendit, duke e vënë theksin në mënyrë prioritare në nevojën e rritjes së produktivitetit dhe të aftësive menaxheriale në ekonomi, në nevojën e përmirësimit të gjithanshëm të infrastrukturës dhe të klimës së biznesit, si dhe në nevojën e mbështetjes së zhvillimit të sektorëve, të cilët ofrojnë potenciale ende të pashfrytëzuara zhvillimi, si turizmi, energjia dhe agroindustria. Në kuadër të masave dhe instrumenteve konkrete, guvernatori Sejko vuri në pah efektet pozitive që kanë pasur programet e ndryshme të BERZH në sektorin financiar, si ato të ndarjes së rrezikut të kreditit, të përmirësimit të aftësive menaxheriale të sektorit bankar dhe të institucioneve financiare jobankare, si dhe ato të mbështetjes direkte me kapital të segmenteve apo institucioneve të veçanta të sektorit financiar.

BERZH
Përfaqësuesit e BERZH vlerësuan rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep ruajtjen e stabilitetin makroekonomik të vendit si dhe shprehën gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës teknike për Bankën e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Në mbyllje të takimit, të dyja palët theksuan dëshirën dhe gatishmërinë e vazhdimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, duke vazhduar linjat e projekteve aktuale të bashkëpunimit dhe duke eksploruar projekte dhe instrumente shtesë, që do të mundësojnë zhvillimin e tregjeve kapitale, uljen e rrezikut të investimit për industrinë bankare, nxitjen e përdorimit të instrumenteve financiarë në lekë etj..


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.