KULTURË

Luan Rama boton librin “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX”

18:00 - 10.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Studiuesi Luan Rama promovon ditën e mërkurë në Akademinë e Shkencave dy librat e tij më të rinj “Konsullatat franceze në Shqipërinë e shekujve XVII-XIX” dhe “Udhëtim në Athinë e Kostandinopojë”. Studiuesi ka marrë në duar qindra dokumente nga arkivat franceze për të treguar Shqipërinë e Mesjetës së vonë sipas letrave të diplomatëve francezë. “Nga konsujt e parë Comte, Isnard, Boulle apo Garnier, etj., në vitet 1600-1700 e gjer tek Degrand, zbuluesi i varreve të vjetra të Komanit, historia e tyre na shfaq ngjarje mbresëlënëse, duke na nxitur imagjinatën për të rikrijuar në mendjet tona imazhin e qyteteve shqiptare dhe të jetës së përditshme në Shqipëri, ku krahas bëmave historike, janë edhe legjendat, këngët historike dhe ato të dashurisë, përrallat, supersticionet e deri tek ‘ligjet’ e gjakut”, thotë Rama.
Libri i tij është një udhëtim në histori për të treguar kohë të humbura, qytete të tjerërsojta dhe epoka të harruara. Si ishin qytetet shqiptare të asaj mesjete të vonë? Një përshkrim i detajuar na zbulon imazhin e tyre.




Nga Luan Rama* – Konsujt e hershëm francezë të brigjeve shqiptare Konsullatat e Durrësit, Janinës apo Shkodrës na shpalosin histori mjaft interesante, nganjëherë dramatike apo romaneske, veçanërisht ato të viteve 1600-1700, me historitë pirateske të marinarëve ulqinakas dhe kapitenëve të anijeve franceze që vinin të ngarkoheshin me drithëra, grurë, drurë, lëkura e produkte të tjera në Durrës apo në Vlorë, Arta, etj. Meqë ndërkohë nuk po shikoja që ndonjë historian të merrej me këtë subjekt të pa trajtuar më parë, atëherë vendosa ta mbaroj studimin tim, duke iu drejtuar dokumenteve të tjera dhe shumë konsujve të tjerë siç ishin dhe François Champoiseau, konsulli që zbuloi monumentin e famshëm “Fitorja e Samothrakës” në Greqi, të cilin arriti ta dërgojë në Louvre, Le Rée, Moreau, Sauvaire, konsulli Grasset, aq i dashur për Ismail Qemal Vlorën, etj. Ishte një punë e lodhshme dhe pa ndonjë ngacmim letrar, por kjo nuk më pengoi. Kështu, për një farë kohe i lashë mënjanë shkrimet letrare, poezitë, studimet për artin, për t’iu kushtuar historisë. Ndryshe nga brigjet italike, Napoli, Brindizi, Raguza dhe dominimet venedikase, veçanërisht në epokën që më pas do të quhej “Albania veneciane”, francezët ishin shfaqur rrallë në brigjet shqiptare, fillimisht me ushtritë normande të Robert Guiscardit dhe birit të tij Bohemondi që zbarkuan në Vlorë dhe Durrës, kohë kur pushtuan kështjellën e Durrësit dhe i përndoqën skalionet bizantinase drejt Via Egnatia. Më pas ishin kryqtarët që shkonin për në Jeruzalem dhe anzhuinët e Charles I d’Anjou, i cili më 1272, sipas një pakti me princat shqiptarë, do të shpallej mbret i “Mbretërisë së Napolit, Dy Siqelive dhe të Albania-s”. Por konsujt francezë do të shfaqeshin vonë, pikërisht në shekullin kur shqiptarët, grekët, malazezët e boshnjakët donin të nisnin një kryengritje të madhe kundër perandorisë turke nën udhëheqjen e Dukës De Nevers, kryengritje që për fat të keq nuk shpërtheu. Pikërisht në këtë kohë, nga gjysma e dytë e shekullit XVII, burimet historike njoftojnë për konsujt e parë të shfaqur në brigjet shqiptare.

Nga burimet e deritanishme, mendohet se Joseph Isnard ka qenë një nga konsujt e parë francezë të vendosur në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, në tokat e Shqipërisë së atëhershme, të pushtuar nga ushtria osmane. Isnard ishte një tregtar marsejez, i cili më vonë u caktua me detyrën e konsullit për të përfaqësuar Francën. Ai kishte lindur në Marsejë dhe po në këtë qytet, në portin më të madh të Francës, vdiq në vitin 1720. Fillimisht, ai ishte vendosur në Durrës (Durazzo) në vitet 1690. Më vonë, nga ambasadori i Francës pranë Portës së Lartë, në Stamboll, Pierre des Ailleurs, më 15 dhjetor të vitit 1713, ai u pajis me patentën si zëvendës-konsull, patentë e cila iu konfirmua me patentën e 26 prillit të vitit 1714. Më vonë, meqë humbi 3.000 lira, në vitin 1717 ambasadori Bounac e ktheu në Francë. Në librin e tij “Histoire de l’Albanie”, i pari libër i shkruar për historinë e përgjithshme të Shqipërisë, lazaristi Jean Claude Faveyrial, lidhur me konsujt francezë shkruan se “Konsullatat e Francës në Shqipëri zënë fill në vitin 1695. Zoti Garnier, i pari nga konsujt, e kishte rezidencën e tij në Sajadhë. Por dy të tjerët, zoti Pellissier dhe zoti Dubroca, u vendosën në Artë. Në një letër të datës 3 tetor 1702, zoti Garnier shkruan se Janina është po aq e madhe sa Marseja. Pashai dhe banorët i bënë atij një pritje madhështore. Nga Janina, kishe mundësi që, në kohë lufte, të dërgohej posta e Konstantinopojës…” Padyshim që Faveyrial nuk ka mundur ta njohë aktivitetin e Isnard dhe arkivat franceze.

Gjatë hulumtimeve të bëra në arkivat e Ministrisë së Jashtme Franceze, informohemi se që në vitin 1667, konsulli i Francës ishte me qëndrim në Kavajë. Lidhur me shkëmbimet tregtare, më 1699, eksporti nga Durrësi në Francë përmblidhej në mijëra kv. dyllë, mijëra kv. lesh dhe 60 ngarkesa gruri me anije. Kishte tregtarë francezë që shkonin në Durrës dhe në Vlorë. Shumë lidhje me ta i mbanin tregtarët e Voskopojës dhe të Vithkuqit.
LETRAT
Në një relacion të datës 8 shkurt të vitit 1690, konsulli francez në Durrës, zoti Comte, në raportin dërguar Ministrisë së Jashtme, shkruante: “Imzot. Ditën 7 të këtij muaji kam marrë dy letrat me të cilat më keni nderuar, njëra e datës 20 të gushtit, tjetra e 26 nëntorit 1698. Së bashku me këto kam marrë urdhëresën shkruar nga ju për marinarët tuaj mbi çështjen e stofrave dhe cohërave, kur të paraqitet rasti për t’i kthyer në Francë, sikundër urdhëron mbreti. Madhëria juaj do më lejoni tu bëj një paraqitje të vogël të tregtisë së këtij vendi. Këtu ka rreth 1000 tregtarë që janë të gjithë ose turq (myslimanë) ose grekër (ortodoksë). Një pjesë banon në Vllahi, (të tjerët) në Shkodër, Elbasan, Voskopojë, Satistë, Janinë e Selanik. Të gjithë këta tregtarë së bashku, një herë në vit, ngarkojnë (mallrat) për në Venedik, ku kanë korrespondetët e tyre, d.m.th. zotërit Kotoni, Gjergj Kumano, Stametallo, Karajani, Johaj Veliaj, Mikel Peruli, Gjoni i Jeronimit, të gjithë me kombësi greke (këtu futen dhe shqiptarët që ishin ortodoksë). Ngarkesat për Venedikun janë: 3000 kuintalë dyllë, 15 mijë kuintalë lesh i hollë dhe pastaj ndonjë pjesë e tyre me lëkura, salonikë, rreth 300 libre mëndafsh, një pjesë lëkurë gjedhësh dhe nga ana tjetër, tregëtarët marrin një herë në vit rreth 1500 topa pëlhure venedikase të përpunuar enkas për këtë vend si dhe 300 topa lëkure londrine. Për më tepër vijnë dhe mallrat e ndryshme dhe njëherë në pëlhura mëndafshi, të cilat transportohen në Ederne, meqë në këtë krahinë të Shqipërisë nuk gjejnë asnjë shitje. Këta zotërinj tregtarë nuk marrin veçse anijet frënge, angleze, holandeze dhe raguziane për transportin e mallrave të tyre. Në këtë konsullatë asnjëherë nuk ka ardhur ndonjë lloj pëlhure nga manifaktura e Francës. Kësaj nuk do t’i jap shpjegim dhe, në qoftë se ju do më urdhëroni të dërgoj nga një mostër të të gjitha pëlhurave që shkojnë në këtë vend, çmimet e tyre dhe masat, unë do të bindesha t’u shërbej me të njëjtin zell. Po kështu ju lutem me përulje që të më lajmëroni nëse mbreti mendon që unë të ushtroj të njëjtën pengesë mbi këto pëlhura që vijnë nga Venediku, me anije franceze dhe që u përkasin shtetasve të sulltanit dhe si duhet të veproj me ato, që, me kohë, mund të vijnë nga Franca pa markë. Sigurisht nuk do të rresht pa u bindur. Ndërkaq të keni mirësinë të pranoni që të kërkoj mbrojtjen tuaj, dhe të deklarohem, o imzot, shërbëtor i madhërisë nga më të përvuajturit dhe më të bindurit…”
Në librin “Historia e tregtisë franceze”, studiuesi Paul Masson shkruante se “Selaniku, Morea dhe Arta ishin tregje të reja që eksploroheshin atë kohë nga Dhoma e Tregtisë dhe se shkëmbimet e para filluan gjatë kohës së Louis XIV, por ekspansioni tregtar u bë në të vërtetë në shekullin XVIII. Të depërtoje në veri të Shqipërisë në gjirin e Adriatikut do të thoshte të shkelje akoma më shumë në dominionet e vjetra veneciane. Për këto vende të harruara, punuan më shumë ministrat e Louis XV dhe ambasadorët e tij sesa vetë tregtarët. Në Adriatik, Venediku po i humbte shkëlqimet e veta, duke parë të shtohej veprimtaria e rivalëve të tij të vjetër me portet e reja të Ankonës, Raguzës e Triestes. Dhe përpjekjet e francezëve për tu vendosur në brigjet detare orientale nuk i pëlqenin Republikës së vjetër…”

DURRËS, 1716
Durrësi në këtë kohë ishte një qytet i braktisur nga njerëzit. Në një letër të datës 2 tetor 1716, konsulli Isnard përshkruan mjerimin e qytetit duke shtuar se “nga muret e trashë rrethuese duket qartë se Durrësi ka qenë dikur një qytet shumë i madh, por tashmë është kthyer aq i humbur saqë numri i banorëve nuk arrin veçse në 200 banorë. Vendi këtu është i varfër dhe njerëzit të paditur, ajri të mbyt dhe të sëmur dhe porti ka veçse një interes transiti për mallrat që vijnë nga provincat e tjera… Rrethi i Durrësit përmban gjithsej 27 mijë banorë të krishterë dhe myslimanë. Janë tre vojvodë që qeverisin në Durrës, Peqin dhe Kavajë…”. Edhe më 2 dhe 11 prill të vitit 1718, Isnard i drejtohet sërish Këshillit të Marinës se “tri anije venedikase kanë ardhur dhe kanë bombarduar korserët ulqinakë që janë fshehur në portin e Durrësit me shtatë anije të grabitura, por bombardimi i tyre nuk pati ndonjë rezultat…”. Pas këtij misioni në brigjet e jugut shqiptar, Isnard u dërgua si konsull në Shkodër. Por me vdekjen e tij do të ishte Spanja ajo që do ta zëvendësonte Francën në mbrojtjen e misioneve katolike deri në vitin 1804.

Në librin e historianit francez Paul Masson “Histoire du commerce français au Levant au XVII e siècle “ ndër të tjera shkruhet: “… Meqë venedikasit nuk e shikonin me sy të mirë tregtinë e francezëve në këto anë, ata kërkuan që anijet me mallra që hynin në porte, nga Sazani e deri në Larfanari të tatoheshin nga ata me 6% dhe se kjo duhej paguar në doganën e Korfuzit. Ndryshe do të ndëshkoheshin. Por konsulli i Artës u udhëzua nga mbreti që t’i bëjë të ditur proveditorit venedikas se nuk do të paguanin as në Korfuz dhe as në ndonjë port tjetër. Portet e brigjeve të Epirit, mes të cilëve Santi Quaranta, Sajadha ku ishte vendosur një konsull dhe Parga (Laparga) që u përkiste ende venedikasve, vareshin nga Arta. Midis artikujve që tregtoheshin, rëndësi të veçantë kishte duhani i Epirit dhe konsulli i Artës, që e quante atë ‘bukë të përditshme’ i duhej të luftonte kundër një tregtari grek që merrej me shitjen e duhanit në Selanik, Durrës dhe në Arta. Përmes ambasadorit, ai mundi të paguante vetëm 3% të vlerës së mallit që tregtonte…”. Veç konsullit, – shkruhet më pas në këtë libër, – ishte dhe tregtari De la Salle që guxoi i pari të hapte një magazinë për tregtimin e produkteve franceze. Më 1785, ai udhëtoi për në Paris që qeveria të merrte një vendim rreth propozimit të tij për të bërë tregtimin e drurit nga Shqipëria për në kantierin e ndërtimit të anijeve në Toulon. Por konkurrenca e tregtarëve vendas e kompromentoi suksesin e sipërmarrjes së tij. Ata kishin marrë nismën që të kishin bashkëpunëtorë të drejtpërdrejtë francezë si për artikujt e ndryshëm si ‘chochinelle’ (për ngjyrosje), ngjyra indigo, sheqeri… Nga fundi i shekullit XVII, zv.konsulli i Sajadhes e informoi qeverinë franceze për pasuritë që mund të përfitonin nga Epiri, i pasur me dru, drithëra, mish, etj., ku mund të furnizohej marina jonë. Konsulli i parë në Artë ka qenë Garnier”. Por De La Salle (Lasalle siç e shkruan Pukëvil) pati një fat tragjik. Ai jetonte në Janinë dhe një ditë, ushtarët e Ali Pashës vranë një oficer të eskadrës angleze Ambro, meqë ai kishte filluar të bënte kontrabandë floriri nga Janina në Maqedoni. Por ata e vranë në kopshtin e Lasalle. Atëherë miqtë e tij, kujtuan se në këtë histori ishte pleksur vetë Lasalle dhe menjëherë e vranë në një rrugë të Janinës, pranë shtëpisë. **Pjesë nga libri


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.