KULTURË

Mbrojtja e Teatrit Kombëtar, Davidi para Goliatit në 54 ditë e net

18:00 - 10.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Historia e vendit tonë është më së shumti një histori luftërash, deri në 1944 me të huajt, e këto 8 dekada me njëri-tjetrin. Prej datës 18 korrik ka një luftë të tjetërsojtë, ajo kundër shtetit për të mbrojtur një godinë e një truall publik. 54 ditë e net që qytetarë e artistë bëjnë një luftë 24-orëshe në mbrojtje të dy Teatrove Kombëtarë. Me turne. Prej datës 24 korrik kur u shënua përplasja fizike me policinë, nuk bëhet më vetëm roje, bëhet edhe një festival për mbrojtjen e teatrit, deri tanin me 14 evente kulturore. Janë të njëjtët artistë e qytetarë që e ruajnë, ata që organizojnë festivalin, lajnë e pastrojnë teatrin, bëjnë punëtorin e skenës e kujdestarin e sallës, pastrojnë oborrin dhe zonën përreth, në kushtet kur janë lënë pa ujë e pa drita. Është pothuaj e pabesueshme që e gjithë kjo është një punë vullnetarësh. Është e pabesueshme që e gjithë kjo është një punë idealistësh. Bash kur i patëm humbur shpresat se në këtë vend ka idealistë, shí ku ia beh një grup njerëzish që na dëshmon se mund të tejkalosh veten, për hir të asaj që beson. Ata tashmë ‘jetojnë’ në teatër; prej se pos një turni roje, bëjnë edhe punë krejt të zakonshme: të lash, të pastrosh, të organizosh sepse kjo është të duash. Kjo është të luftosh duke dhënë shembullin tënd. Kur besonim se shëmbëlltyrat i takonin vetëm historive biblike, shí kur gjejmë Davidin përballë Goliatit në një luftë tërësisht të pabarabartë.




20 MUAJ, 54 DITË E NETË
Në 20 muaj protestë, mes atyre që kanë ikur e kanë ardhur në sheshin e lirisë që mbron më shumë se thjesht dy Teatro Kombëtarë, regjisori Robert Budina ka qenë ngaherë aty. 20 muaj janë sa koha e një filmi, janë dy sezone artistike, janë pothuaj dy vite jetë, janë koha e ‘burgut’ pranë teatrit. E pyes Budinën për luftën që bëhet duke i kujtuar se ne dinim që lufta bëhej me të huajt për trojet, se e dinim që kufijtë ruhen nga pushtuesit, por 54 ditët e fundit kemi mësuar se kufijtë që duhen ruajtur janë brenda qytetit, për të shpëtuar vetë qytetin. “Ke të drejtë që ne po ruhemi nga njëri-tjetri. Ne po ruajmë marrëzinë e një kryeministri që nuk është thjeshtë ai, por është përfaqësues i një mentaliteti të caktuar. Çfarë ka sjellë kjo ndryshe në Shqipëri? Ka ngjallur një shpresë dhe një besim për të rigjetur njëri-tjetrin. Nuk e shoh më në kuptimin shoqëror përplasjen dhe mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. E shoh në kuptimin njerëzor. Ne duhet të zbulojmë vetveten, të gjitha ato skutat e mira që i kemi, që na i ka fshehur e keqja sepse po jetojmë në një absurd”, thotë Budina.

Sipas tij, kjo protestë na ka bërë të shihemi para pasqyrës. Ky shesh po kthehet në skanerin e vetes sonë. Ai gjen në protestën për teatrin, një rizbulim të veteve tona, të emocioneve tona. “Është zbulimi i asaj pjese të ndërgjegjes që është akoma gjallë. Vetëm një sakrificë e tillë sublime, vetëm një katarsis i këtij lloji mund ta sjellë një gjë të tillë. Protesta ka bërë që njerëzit të shihen në sy, të besojnë njëri-tjetrin, qoftë edhe të mos e besojnë por të bëjnë të njëjtën sakrificë”, – thotë regjisori që është pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Krejt i shkëputur nga politika derisa iu desh të përballej me një vendim politik si shembja e teatrit, Budina, në 20 muaj thotë se kjo protestë na ka mësuar të bashkëpunojmë edhe pa qenë tërësisht dakord. “Ajo që është më e rëndësishme akoma dhe që më nxit shumë dhe më frymëzon është fakti që pranë teatrit rrinë njerëz me bindje krejt të ndryshme nga njëri-tjetri. Duhet të mësojmë si të bashkëjetojmë edhe duke qenë ndryshe. Teatri është modeli i parë”.
Mëse 50 ditë e net nga 24 orë janë edhe fizikisht të lodhshme. Ilir Ikonomi ka gjetur dokumente që thonë se një nga arsyet pse ra Shkodra në duart e malazezve ishte se ushtarët e Esat Pashës ishin të lodhur dhe të paushqyer. Por kjo ‘Shkodër’ nuk mund të bjerë. Pyetjes si është përballuar 24-orëshi, Budina i përgjigjet me një fjalë: Me çmenduri! “E gjithë kjo është nxitëse. Është një gjë që na jep shumë adrenalinë. Ne kemi luftë me të përgjithshmen tonë që është e projektuar në këtë shoqëri”. Një ndër imazhet më të njohura të 24 korrikut është fytyra e Robert Budinës, që goditet nga grushti i një polici privat, ndërsa një numër policësh shteti e kanë rrethuar. Ka qenë ende mëngjes kur është shkrepur ajo foto. Duhet të ketë qenë ora 8 ose 9 dhe kishte më se një orë që artistët e mbronin teatrin me trup, siç patën premtuar. Davidi ishte krejt i pambrojtur. Goliati dukej shumë i fuqishëm.

PËRBALLË HISTORISË
Pavarësisht situatave fizike e psikologjike në këta 20 muaj, mes shumë mundësive, dorëzimi s’ka qenë kurrë një prej tyre për Budinën. Kur çështja ‘teatri’ të mbarojë, secili që ka qenë ose s’ka qenë në protestë do të vihet para pasqyrës. Për ata që ishin e nuk janë. Për ata që qëndrojnë ende. Për ata që qëndrojnë para kamerave dhe vetëm kur ka kamera, e për ata që nuk janë asnjëherë në kamera, por janë aty gjithnjë. Në fund pra, të gjithë do të vihen në një peshore.
Pas çlirimit dhe fitores mbi nazizmin, ‘dënimi’ i bashkëpunëtorëve të pushtuesve në Francë është quajtur ‘épuration sauvage’ (spastrim i egër). Ishte vërtetë i egër, por edhe spontan e jozyrtar. Preku më shumë gratë që shkuan me oficerët nazistë, të cilat të qethura dhe pothuaj të zhveshura nxirreshin në sheshe para popullit. Sesilia Plasari ka përmendur gijotinën. Në situata të tilla si kjo e teatrit, përmendja e shembujve të tillë historikë mund të duket shumë e ashpër. Megjithatë, gjykimi nis nga kushtet e dhëna: jemi përpara një proteste 20-mujore dhe 54 ditësh roje në teatër. Përballë këtij shembulli të rrallë gjen qindra të rëndomtë që peshojnë rëndë. Gjithsesi një ditë, ky vend duhet t’i japë fund pandëshkueshmërisë. Ne nuk mund të përsërisim pafundësisht veten me ‘gjyqe kafesh’. Kur teatri të ketë marrë udhën e vet, çfarë do të ndodhë me shoqërinë? Jo vetëm me artistët, por me shoqërinë? Sepse artistët janë shpirti i protestës, por qytetarët janë trupi i saj. Ky shpirt do të ishte fantazmë pa këtë trup, e ky trup do të ishte kufomë pa atë shpirt.

Bert Budina thotë se ka shpresë që kjo që ndodhi me teatrin të kthehet si një farë që përhapet tek të gjithë dhe njerëzit të kenë këtë forcë të madhe për ta barë bilancin me veten e tyre, me formimin, me të keqen e me të mirën. Dhe do jetë si efekti domino. “Kjo varet shumë nga mënyra se si do të përfundojë historia jonë. Mbase ne kemi një përgjegjësi të madhe. Përgjegjësia jonë është që ne nuk duhet ta lëmë të përfundojë pa formë. Duhet të përfundojë në një formë të caktuar dhe aty, pastaj duhet të duket e mira dhe e keqja. Por ne duhet ta çojmë në një provokim, i cili duhet patjetër t’i japë një formë”, thotë ai.
Ka 3 mijë vjet që Davidi dhe Goliati përplasen, që nga lugina e Elahut e deri në sheshin “Bujar Lako”. Kjo histori ka gjithnjë të njëjtin fund, gjithnjë fiton Davidi. Nuk ka rëndësi se sa gjigant është Goliati, Davidit do t’i mjaftojë gjithnjë vetëm një gurë e një hobe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.