KULTURË

PËRKUJTOHET KRYENGRITJA E POSTRIBËS, E 9 SHTATORIT 1946

18:00 - 10.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryengritja e Postribës i ka trupin e gjymtyrët pikërisht në këtë trevë dhe kokën në qytetin e Shkodrës, e cila u bë kryeqendra e rezistencës kundërkomuniste, ka shkruar dje Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit – ISKK. Tek ajo janë fillesat e kryengritjes së Postribës e më gjerë. Janë po ato shkaqe që ngritën në luftë malësorët e Kelmendit dhe Malësisë së Madhe. Me dy fjalë, arsyet pse nisi kjo kryengritje i ka thënë një nga prijësit e saj në gjyq, Osman Haxhia: “Na erdhi thika në asht! Nuk durohej ma! S’kishte rrugë tjetër për ne. Na kanë prekë në jetë, në nder e në fe. Kreu i kryengritjes së Postribës, Jup Kazazi, ishte në lidhje me intelektualët e qytetit të Shkodrës, si Sulçe Begun, Hafëz Sabri Begun, Hafëz Musa Dërgutin, Rasim Gjyrezin, Rifat Koplikun, Abdulla Kazazin, Bajram Gramshin, Nush Topallin, Pjetër Shan Dedën, Serreqët, Myzafer Pipën e të tjerë, sikundër edhe me Mithat Frashërin dhe Abaz Ermenjin në mërgim. Ideja e krerëve të kryengritjes ishte që të lidheshin me krerët e tjerë të trevave të Shqipërisë së Veriut e të Jugut për të vendosur një datë të një kryengritjeje të përgjithshme në krejt Shqipërinë. Jupi përpiqej që ta zgjeronte rrethin e lëvizjes dhe ishte në komunikim me intelektualë dhe krerë të Shkodrës, Pukës, Mirditës, Lezhës, Matit, Dibrës, Kukësit etj. Pritej çasti i përshtatshëm për shpërthimin e kryengritjes, duke filluar nga qarku i Shkodrës. Ja si e trajton këtë situatë gjykata ushtarake e qarkut të Shkodrës: “…




Kujtuan se do të ishin në gjendje ta merrnin dhe ta mbanin Shkodrën për 5-6 ditë, derisa të bëhej kryengritja edhe në krahinat e tjera të Shqipërisë, pse mendonin që në Shkodër nuk kishte forca ushtarake të mjaftueshme për t’u bërë ballë”. Sipas Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, për këto arsye, Komiteti i Përbashkët nëpërmjet Cin Serreqit, Riza Danit, Dulo Kalit, Rasim Gjyrezit, Abdulla Kazazit e të tjerë miratoi propozimin e krerëve të Postribës, që sulmi të bëhej duke u gdhirë data 9 shtator, vepër e cila u krye me sulmin që iu bë Shkodrës pikërisht në datën e mësipërme prej krahinës së Postribës e Gurit të Zi, ndërsa krahinat e tjera ishin gati, por nuk e morën urdhrin në kohë”. ISKK shënoi se sulmi i kryengritësve mbi Shkodrën nisi me 9 shtator 1946. Ja si e kujton këtë ditë Sami Repishti: “9 shtator 1946. Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit u prish nga nji breshni qitjesh me armë, që erdhi papritun. Ishin katundarët e Postribës që mbrojshin tokën e tyne me gjithë shpirt. Pushteti i ri kërcënonte me shtetëzim. Nji grup i madh i tyne, i guximshëm, por i paorganizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake dhe ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me forcat e Sigurimit vazhdoi deri në mëngjes, kur sulmuesit u tërhoqën”. Sipas dokumenteve në AQSH, Sigurimi i Shtetit kishte dijeni për këtë lëvizje, çka ia hoqi asaj befasinë dhe suksesin. Që ditën e parë të shtypjes së kryengritjes, fillon operacioni spastrues e ndëshkimor i Sigurimit i prirë nga Zoi Themeli, duke filluar me 17 pushkatimet e para, disa qindra të arrestuar dhe nisjen e një vale terrori në qytet dhe rrethina, me rrahje, sekuestrime dhe shtëpi të djegura.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.