SPORT

Krenari kuqezi! 4 gola Islandës, për të mbajtur gjallë shpresën

18:00 - 11.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Shqipëria ka reaguar atëherë kur duhej. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edi Reja kanë lënë pas shpine humbjen e shëmtuar ndaj Francës dhe duke qëndruar në korsinë e kualifikimit për në “Euro 2020”. Në përballjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, tifozët kanë shijuar një përballje të çmendur, me kuqezinjtë që kanë kaluar dy herë në epërsi me golat e Dermakut dhe Hysajt dhe islandezët, që janë përgjigjur dy herë me Sigurdson dhe Sigorthson. Gjithsesi, kuqezinjtë nuk u demoralizuan dhe në minutën e 79-të shënuan golin e tretë me anë të Odise Roshit, për t’i vënë kapak sfidës me Cikalleshin, që 3 minuta më pas vulosi dhe rezultatin përfundimtar 4-2. Që do ishte një ndeshje tjetër, kjo u kuptua menjëherë sapo u lexua formacioni titullar. Gjashtë ndryshime nga italiani, që shpresonte dhe arriti një tjetër qasje në lojë dhe tjetër rezultat. Shqipëria e nis sfidën mirë, i imponohet Islandës dhe organizon sulme në kuadratin e Halldorson. Por nëse golat nuk vijnë nga kombinimet, “vikingët” do të mposhten në armën e tyre më të fortë: goditjet me kokë. Minuta e 32-të e takimit një harkim perfekt i Memushajt në zonë për Kastriot Dermakun, që me kokë ka thyer portierin islandez, duke ndezur atmosferën në “Elbasan Arena”. Shënimi i golit ka ndezur shpresat e Kombëtares, ndërsa kjo u reflektua edhe nga lëvizjet në fushë të futbollistëve tanë.




Një avantazh që ushqen shpresë. Por Shqipëria do të kthehet me këmbë në tokë në minutën e 47-të. Një tjetër gafë në mbrojtje rikthen makthet e “Stade de France”. Ismajli nuk largon siç duhet topin dhe mbrojtja reagon keq duke i dhënë mundësi Sigurdsonit të barazojë rezultatin. Nis gjithçka nga e para për kuqezinjtë. Por dëshira për të bërë mirë kësaj radhe është e fortë. Një aksion fantastik i kuqezinjve në minutën e 52-të, që kanë kryer kombinime të shpejta me depërtimin e Elseid Hysajt, që është shfaqur i vetëm përpara Halldorsonit pas asistimit të Manajt dhe me të majtën ka çuar topin në rrjetë, duke ngritur peshë “Elbasan Arenan”, që është entuziazmuar në maksimum pas këtij goli të shumëpritur, i cili ishte dhe goli i parë i Hysajt me fanellën kuqezi. Por, do të konfirmohet një ndeshje e çmendur 6 minuta më pas, pasi Islanda ka barazuar sërish.

Sigthorson përfiton nga një asist i pavullnetshëm i bashkëlojtarit të tij dhe mposht Strakoshën me një volej të saktë. Duket se Shqipëria është e destinuar për të mos e fituar këtë përballje. Reja ndërhyn. Jashtë Lenjani për Roshin në minutën e 62-të, lëvizje që rezulton fituese sepse fieraku realizon golin e tretë në të 79′-ën. Anësori depërton në zonë dhe godet me të djathtën, topi devijohet dhe pasi gjen shtyllën, prehet në rrjetë. 3-2, “Elbasan Arena” është në ekstazë. Gjithsesi, emocionet nuk kanë mbaruar këtu. Ata që kanë prerë biletën për ta parë sfidën në stadium kanë qenë me shumë fat. Sepse tri minuta pas golit të Odise Roshit, një kundërsulm i shpejtë i Shqipërisë është konkretizuar saktësisht. Ka nisur gjithçka nga një top i rikuperuar nga Bare në mesfushë, që ka pasuar për Roshin, me fierakun këmbëshpejtë që kalon mes linjave dhe sposton në krahun e majtë për Memushajn. Vlonjati harkon në zonë dhe Cikalleshi stopin dhe me të majtën e çon topin në trekëndëshin e Halldorsonit, duke kaluar në ekstazë të gjithë tifozët kuqezi. 4-2, fitore si kurrë më parë ndaj Islandës. Franca duket larg shumë. Asgjë nuk ka përfunduar. Për të shkuar në Europian kemi ende shumë punë për të bërë. Por, më parë le ta shijojnë këtë fitore që u kishte munguar kaq shumë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.