KULTURË

Një pistoletë në Bibël, kur propaganda njolloste fenë për njeriun e ri

18:00 - 11.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Imazhi i një pistolete në mes të një libri liturgjie, ku faqet prera kanë hapur vend për të fshehur një armë që “do rrëzonte” regjimin, mundet vetëm të krijojë një ide të vagullt mbi atë se çfarë ishte në gjendje të bënte propaganda komuniste, vetëm për të justifikuar fushatat shfarosëse. Kjo ishte vetëm një etapë e krijimit të njeriut të ri në një laborator të frikshëm, kur njeriu që kishte mendim, ishte kavia e përsosur. Për një brez që nuk e ka jetuar atë regjim, ose nuk ka lexuar për të, e gjitha kjo i ngjan një filmi mbi nazizmin dhe krimet e tij.
“Jeta ka humbur kundër vdekjes, por kujtesa e fiton luftën e saj kundër mohimit”. Kjo frazë e Tzvetan Todorov nga “Libri i zi i komunizmit” çel tekstin kuratorial të një ekspozite mbi komunizmin në vendin tonë.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” po merr pjesë në “PhEST”, festivalin ndërkombëtar të artit dhe fotografisë, që zhvillohet në “Monopoli” dhe këtë vit ka si tematikë besimin dhe mitet. “Muzeu Ateist” titullohet ekspozita e kuruar nga drejtori i muzeut Luçjan Bedeni, që paraqet një përzgjedhje imazhesh të paekspozuara më parë nga koleksioni i “Marubit”, të hapësirave, objekteve, stendave të ekspozitave të ish-Muzeut Ateist në Shkodër ndërthurur me disa imazhe nga transformimi i objekteve në kultit sipas ideologjisë komuniste. “PhEST” mund të vizitohet në ‘Monopoli’ në periudhën 06 shtator – 3 nëntor dhe ekspozita gjendet në Castello Carlo V.




“MUZEU i ATEIZMIT”
Teksti kuratorial nis me një shpjegim të instalimit të diktaturës në vend, për të shpjeguar se si nisi udhëtimi i Shqipërisë drejt pagëzimit si vend ateist dhe kostot që paguan qindra shqiptarë, që nuk iu respektua as e drejta e jetës, e as e drejta për të pasur një varr. Që në krye të tekstit shënohet se vitet e para të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991) shënuan edhe lëvizjet e para të përndjekjes që ndaj kundërshtarëve politikë: ish-komunistë që nuk gjetën te dhuna e fuqisë së re ideologjike atë për të cilën kishin luftuar; patriotë që në vite të ndryshme kishin realizuar luftëra të ndryshme për pavarësi; intelektualë mes të cilëve një pjesë vinin nga jashtë për të dhënë kontributin e vet në ndërtimin e vendit dhe figura fetare që shiheshin që prej fillimit fillimi nga qeveria komuniste e sapoinstaluar, si një “burim rreziku” dhe një pengesë e madhe për krijimin e “njeriut të ri”, një qenie pothuajse e krijuar në një laborator, që u paraqit si fryt i vizioneve revolucionare për transformimin e botës dhe që legjitimoi ekzistencën e një partie të vetme në pushtet.

71072964_2672139069532343_2845159290908442624_n 69947229_919277951769649_4293103924438630400_n 69828283_506057483287449_9138938314164797440_n 70505410_503381760440131_5900795610230947840_n
<
>

“Shkodra, në atë kohë një qytet ku lëvrohej kultura, ku disa prej shkollave qenë hapur nga klerikët, qyteti i shtypit shqiptar, i gazetave dhe revistave të para, i figurave të njohura në fushën e artit dhe kulturës, një vend që tregonte shembuj të shkëlqyeshëm të bashkëjetesës midis feve dhe vetë klerikëve ishte gjithashtu i pari që u godit dhe u shndërrua brenda një kohe të shkurtër në një ‘qytet burg’ – numëroheshin më se njëzet godina që u shndërruan në burgje mes pronave private dhe kishtare – të kontrolluara rreptësisht nga regjimi”, vëren Bedeni në tekstin shoqërues të ekspozitës. Ai shton se përndjekjet e para të klerit do të fillojnë që me ardhjen e regjimit më 1944, kur prifti Don Ndre Zadeja u vra pa gjyq. Kjo vetëm sa do i do i hapte rrugën një serie vrasjesh, burgosjesh e pune të detyruar, duke bërë që të humbnin jetën dhe ta pësonin qindra klerikë katolikë, myslimanë dhe ortodoksë.
Ideologjia duhej t’i jepte formë edhe mënyrës së të jetuarit dhe të të shikuarit të botës. “Në Kongresin e Pestë të Partisë Komuniste (1966-1971), pas aleancës kino-shqiptare, kur u shpall Revolucioni Kulturor në Shqipëri, u vu si detyrë të zhdukeshin ideologjitë e vjetra, si një faktor vendimtar për zgjidhjen e problemeve që lidhen me ndërtimin të socializmit. Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj ideologjie ishte lufta kundër fesë dhe traditave të prapambetura, kështu që Kushtetuta shqiptare e 28 Dhjetorit 1976, në nenin 37 të saj, e sanksionon Shqipërinë si një vend ateist në të cilin praktika fetare dënohej me ligj. Gjatë periudhës së regjimit u mbyllën afërsisht 2169 institucione fetare, përfshirë 740 xhami, 608 kisha dhe manastire ortodokse, 157 kisha katolike, 530 teqe”, nënvizon Bedeni.
Një pjesë e tyre u shkatërruan menjëherë, një pjesë u mbyllën dhe pjesa tjetër u shndërruan në vende të propagandës si pallate sportive, kinema, institucione kulturore. Kërkohej që këto institucione të reja të bëheshin pika referimi, duke arritur që në njëfarë kuptimi të plotësonin nevojën dhe dëshirën e njeriut për të besuar. “Meqenëse nuk është arritur ende fitorja e plotë e revolucionit socialist në fushën e ideologjisë kulturore, ne nuk mund të jemi të sigurt që i kemi siguruar fitoret e revolucionit socialist në fushat politike dhe ekonomike”. Kjo fjali e Kongresit V të Partisë së Punës në 1966-ën shprehte qartë luftën kundër ideologjisë që shihej në edukimin e masave, në krijimin e besimeve të reja, të “perëndive” të reja, një mjet fuqie mbi të cilin mund të ndërtoheshin themelet e një ideologjie të re.

“Në qershorin e 1973-it u hap në Shkodër, Muzeu Ateist me objekte që i qenë sekuestruar klerit. Ato u ekspozuan në një ndërtesë në qendër të qytetit dhe diçititurat shpjeguese për secilin objekt kishin nuanca të forta ideologjike”, thuhet në tekstin që shpjegon ekspozitën në Itali. Ky muze qe një vend që vizitohej me detyrim dhe guida të përcaktuara nga nxënës e studentë. Teksti kuratorial e cilëson ironikisht si një “xhevahir”, që u tregohej vizitorëve të huaj dhe delegacioneve të huaja a grupeve komuniste që vizitonin Shqipërinë me leje të posaçme.

Muzeu Ateist u bë një lloj “vendi adhurimi” për luftën kundër fesë, që u ndërmor që prej themelimit të shtetit komunist. Nga “armët në Kishë” (një histori e sajuar nga vetë Sigurimi për të justifikuar luftën ndaj priftërinjve), te fotografitë që përqeshnin klerin, e deri tek karikaturat e ndryshme, në atë muze synohej nga njëra anë të tregohej “e keqja” që feja dhe përfaqësuesit e saj kishin sjellë në historinë e Shqipërisë duke i shpallur “vdekje Zotit- “siç shkruan një vizitor italian në librin e përshtypjeve”- dhe nga ana tjetër për të ndërtuar mbi këtë logjikë, një “njeri të ri”, tërësisht i pastër nga këto ndikime.
“Kjo ekspozitë – thotë Bedeni – që merr në vëmendje imazhe nga Muzeu i Ateizmit – pjesë e arkivit të Muzeut Marubi – është e organizuar në dy ide: nga njëra anë arkitektura e kultit dhe ajo kishtare që është përshtatur për të plotësuar nevojat e regjimit – si Katedralja e Shkodrës, që qe kthyer në Pallat Sporti apo Kisha e Françeskanëve në kinema ‘Punëtori’ – dhe nga ana tjetër objektet e sekuestruara që janë riinterpretuar me një çelës ideologjik.
Muzeu i Ateizmit u mbyll në vitin 1990 dhe tanimë disa nga objektet e tij janë ekspozuar në Muzeun Dioqezan (që tregon persekutimin dhe përndjekjen) në Shkodër. Ende sot ai muze mbetet shembulli i utopisë së regjimit dhe nevojës për të krijuar një botë të re dhe së bashku me këtë, edhe besime të reja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.