OPINION

“Tamburet” e integrimit

07:30 - 11.09.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 30 gusht, 11 ditë më parë, në Helsinki të Finlandës, ministrat e Jashtëm të 28 vendeve të Bashkimit Evropian folën për perspektivën e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Disa prej tyre u ranë fort tambureve integruese për Ballkanin Perëndimor. Shumica pohuan se nuk ka pse të gjykohen për procesin anëtarësues veçmas të dyja vendet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Për to duhet vendosur së bashku. Ishin mesazhe-“tambure” të pastra integrimi. Dje, një muaj e dhjetë ditë përpara vendimit të Këshillit të Evropës për çeljen ose jo të bisedimeve më 19 tetor, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass, u takua me homologun e tij kroat (të dyja vendet do të marrin kryesimin e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2020). Dhanë edhe një konferencë për shtyp. Mass kërkoi që të hapeshin bisedimet, duke u shprehur: “BE duhet t’u ofrojë këtyre vendeve një perspektivë të besueshme evropiane”. Në shtetet e Bashkimit Evropian më pozitivet dhe vullnetmira për të na i hapur bisedimet e anëtarësimit, këto ditë ka lëvizje dhe deklarata që shtyjnë përpara ujët e mullirit të integrimit për ne. Po ne? Çfarë bëjmë ne? Ne i kemi si sytë dhe veshët tek politika jonë e brendshme. Çdo të bëjë opozita e dalë nga Kuvendi? Çfarë do të ofrojë qeveria për bisedime me opozitën e vetëmërguar?




A do të rifillojnë protestat e opozitës në shtator? Asnjë veprim apo lëvizje konkrete në ndihmë të interesit më të madh që kemi, “biznesit” të integrimit. E megjithatë, ende nuk është vonë t’u biem të paktën dy “tambureve” integruese, që vetëm përfitime na sjellin. E para ka të bëjë me një projektrezolutë për të mbështetur fuqimisht proceset integruese të vendit. Të cilin ky Kuvendi ynë që do të mblidhet në seancë plenare këto ditë, pas pushimeve të gjata verore, duhet ta ketë si veprim të parë. Mirëpo asnjë deputet, i pozitës apo opozitës, nuk ka marrë mundimin të përgatisë këtë copë letër. As ta mëtojë paraprakisht si synim. Pavarësisht se kemi boll politikanë që përgjërohen me fjalë për integrimin natë e ditë. Rezoluta nuk do të ishte gjë tjetër, veçse një deklaratë e thjeshtë angazhimi i të gjithë forcave politike që përfaqëson parlamenti. Vetëm punë do të na ndreqte miratimi i një copëze letre (rezolute) të tillë. Deri tani asnjë shenjë veprimi apo vullnet për ta paraqitur një propozim të tillë, nga të 100 deputetët tanë. “Tamburin” e dytë që mund të vinte prej nesh për integrimin mund ta përbënte “ngritja e pjacës” (rritja e nivelit) të punëve integruese.

Qeveria nuk është ende vonë fare që të miratojë një zv.kryeministër për integrimin. Si shenjë e përkushtimit dhe seriozitetit të saj në zbatimin e orientimeve-detyra të raporteve vjetore (i quajmë “Progres Raporte”) të qeverisë së Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian për Shqipërinë. Me objektiva të nxjerra nga këto orientime, me plane pune konkrete dhe afate, njerëz dhe fonde të caktuara për realizimin e tyre. Nuk do të na kushtonte aspak shumë kjo ngritje niveli. Vetëm do t’i shtonte fjalëve të bukura integruese që nuk përton t’i shqiptojë cilido nga politikanët tanë, edhe seriozitetin dhe angazhimin konkret të qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. Nuk është ende vonë t’u biem këtyre “tambureve”. Do Zoti kujtohet ndonjë deputet i yni të përgatitë një draft-deklaratë angazhimi për Kuvendin. Do Zoti kujtohet kryeministri ynë të caktojë një zv.kryeministër për integrimin. Kanë ende edhe një muaj e pak ditë kohë. Janë veprime në dukje formale apo pak të rëndësishme, por që ngërthejnë një mesazh kuptimplotë për Brukselin dhe të 28 qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, të cilat duhet të shprehen më 19 tetor. Deri tani, turbullirat që nga shkurti i këtij viti e kalvari i gjatë i protestave shkurt-qershor 2019 kanë dhënë vetëm mesazh të kundërt. Është momenti të tregojmë se nuk jemi të hipnotizuar tërësisht pas politikës së ditës dhe luftës së panginjur për pushtet të partive tona politike. A mund të dalin mbi egot e tyre deputetët dhe qeveritarët tanë, për t’u rënë këtyre dy “tambureve” kaq të thjeshta dhe pa harxhe?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.