AKTUALITET

Trafiku ndërkombëtar i drogës, prokuroria kërkon 8 vite burg për Saimir Tahirin

18:00 - 11.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dje 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çelën. Prokuroria lexoi pretencën për Tahirin, teksa në seancë ishte i pranishëm edhe ish-ministri, së bashku me avokatin e tij, Maks Haxhia. Ndërkohë, në seancën e fundit para pushimeve verore, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e ish-ministrit Saimir Tahiri për gjykim të shkurtuar. Kjo bën që ish-ministri të përfitojë ulje me 1/3 e dënimit, duke bërë që prokuroria do të kërkojë 8 vite burg, si dhe hetimi të bëhet vetëm me provat e mbledhura deri në datën e pranimit të kërkesës. Prokurorët kanë kërkuar që në rast dënimi, vuajtja e ish-ministrit Saimir Tahiri të bëhet në institucion të zakonshëm të vuajtjes së dënimit dhe jo në burg të sigurisë së lartë. Tahiri së bashku me Jaeld Çelën, ish-drejtor i Policisë së Vlorës; Sokol Boden, ish-oficer policie dhe Gjergj Kohilën, ish-oficer policie akuzohen për “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”. Seanca maratonë ndaj ish-ministrit të Brendshëm në Gjykatën e Krimeve të Rënda është ndjekur edhe nga përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” ka siguruar dosjen e plotë të prokurorisë lidhur me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Në dosje prokuroria ka të zbardhur bisedën ambientale, që kryhet mes Moisiu Habilajt dhe një personi tjetër me emrin Sabi, (Sabaudin Çelajt), në makinën e të cilit u kap një sasi e madhe kanabisi në Katania, që kapte vlerën e 2 milionë eurove.
PËRGJIMET
“Në vijim të bisedës, të dy flasin për emrin e të pandehurit Saimir Tahiri. Moisiu thotë: “Ka më shumë se ne ai”. Sabi replikon dhe këmbëngul se Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës dhe pozicionit) por nuk beson se ka më shumë para se ata. Moisiu llogarit se në një muaj Saimiri ka bërë 5 milionë euro. Sabi i thotë se paratë ai i shpenzon në fushatën elektorale. Më pas, Sabi i thotë se e rëndësishme është që të mos bëjë pyetje, të mos thotë emra dhe të mos dalë emri që i kanë dalë ‘para’ atij. Moisiu i përgjigjet me ‘jo’ dhe se nuk beson se do të ndodhë. Sabi përsërit se ka frikë se nipi do flasë me të tjerë për atë që i ka dhënë ‘para’ atij”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Përgjimi ambiental është krye në bordin e makinës “Fiat Panda” me targa EM 734ËR, në përdorim të të pandehurit Moisi Habilaj rreth orës 20:25 datë 26 shkurt 2014, në bordin e makinës janë Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj, i quajtur Sabi.
Sabi: Ai do që të vijë pas 20 ditësh ose pas një muaji dhe do të na japë diçka.
Moisiu: Po… nëse na jep afërsisht 400, na lehtëson na ndihmon shumë…
Sabi: Si?
Moisiu: Nëse na jep 400 mijë lekë.
Sabi: Sigurisht… do hiqnim qafe goxha borxhe. Dua të barazoj sheshoj gjithçka, kështu fillojmë për hesapin tonë.
Moisiu: Sigurisht.
Sabi: Me shtetin, me personat dhe me të gjithë.
Moisiu: Për të qenë korrekt, me të gjithë.
Sabi: T’i zerojmë të gjitha, kështu që punojmë për hesap të vetin… me 400 mijë lekë arrijmë të mbulojmë pothuajse gjithçka.
Sabi: Problematikë kemi Renaton… shtetin dhe paratë për qiranë.
Moisiu: Po, Po.




***
Përgjimet në makinën “Fiat Panda”, targa EM734WR, në përdorim nga Moisi Habilaj, ora 13:22, i datës 03.03.2014. Makina në lëvizje, në bord Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj, i quajtur “Sabi”. Në sfond ka muzikë.
Biseda në orën 13:25:
Sabi: Jemi mirë, nuk jemi keq. Zgjidhim ndonjë problem… çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit ta hajë dreqi!
Moisiu: Ç’a po më thua?
Sabi: Çfarë përgjegjësie është puna e tjetrit?
Moisiu: Pa mendo… përveç borxheve që kemi… përveç borxheve që kemi marrë, kemi 75 mijë lekë (75.000 euro), që shkojnë automatikisht për… 30 për “xhaxhain”… 30 duhet t’ia çoj “Saimirit”… bëjnë 60… dhe 15 janë për anijen, që na duhen patjetër… janë 75 mijë lekë… plus 100 që janë… 72 janë të atij nga Fieri… 20 të Arsenit … 170 mijë lekë.
Biseda në orën 13:28
Sabi: T’i heqim edhe këto të shtetit që kemi… dhe pjesa e mbetur…
Nga përgjimet e proku-rorisë, Moisi Habilaj flet me trafikantët, madje në një moment del në pah dhe “shefi i madh”, madje thuhet se ishin dhe në drekë me “shefin”. Në lidhje me këtë përgjim ka reaguar Tahiri, i cili ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk ka qenë për drekë. “Në fakt, në ditën që bëhet biseda, unë ndodhesha në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon dhe kam dalë në konferencë me komisionerin për Zgjedhim. Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë. Prokuroria më akuzon se kam pritur në zyrë njërin nga vëllezërit Habilaj, por në atë ditë unë kam qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naçon, pasi atë ditë ishin arratisur 7 persona nga Burgu i Drenovës”,ka thënë Tahiri.

ARGUMENTET E PROKURORISË
Përveç përgjimeve, prokuroria jep edhe arsyet pse sipas saj, ish-ministri Tahiri është i lidhur me bandën e Habilajve.
“Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se i pandehuri Saimir Tahiri ka dalë nga territori i Shqipërisë më datë 29.08.2014 nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, Korçë, me mjetin me targa AA 003 GB dhe ka hyrë në Shqipëri më datë 30.08.2014 nga e njëjta pikë kalimi kufitar dhe me të njëjtin mjet. I pandehuri Moisi Habilaj ka dalë nga territori i Shqipërisë me mjetin me targa AA 003 GB, më datat 08.11.2013, 24.12.2014 dhe 23.02.2014, ndërsa shtetasi Artan Habilaj ka dalje më të shpeshta, duke filluar nga datat 13.06.2014 deri në datë 17.08.2015. Në shkurt të vitit 2014, të pandehurit Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj kanë udhëtuar për në Sicili me automjetin ‘Audi’, me targa AA 003 GB. Nga analiza e provave, provohet se i pandehuri Saimir Tahiri mjetin e tij, të markës ‘Audi’ me targa AA 003 GB, në të vërtetë ia ka shitur të pandehurit Moisi Habilaj, i cili siç rezulton nga aktet e sipërpërmendura, ka udhëtuar menjëherë pas blerjes së këtij mjeti në drejtin të Italisë. Po kështu, me këtë mjet ka udhëtuar edhe disa herë të tjera, ku në një rast, si ai i datës 24.02.2014, ka udhëtuar tri ditë para se të sekuestrohej nga autoritetet italiane sasia prej 289.7 kg lëndë kanabis sativa. Gjithashtu, konstatohen disa lëvizje të të pandehurit Saimir Tahiri në automjetin ‘Audi’ AA 003 GB, në një rast bashkëshortja e tij, edhe pas shitjes së automjetit. Nga ana tjetër rezulton nga kjo analizë se ky automjet u është lënë vëllezërve Habilaj, me targa të njohura ‘publikisht si qeveritare’, rrethanë kjo që e ka vënë të pandehurin Moisi Habilaj nën ‘mburojën’ e lëvizjes së lirë dhe pa kontrolle gjatë periudhës, që grupi i strukturuar i drejtuar nga i pandehuri Moisi Habilaj ishte në kulmin e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, por edhe të angazhimit si “mburojë” të kultivuesve të saj”, thuhet në pretencën e prokurorisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.