AKTUALITET

Shkarkimi, Meta: S’ka shans të dal nga Presidenca para 2022

18:00 - 12.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Pas mbylljes së sezonit veror, Ilir Meta i cilësoi të gjata pushimet e krerëve të institucioneve dhe politikanëve. Bashkëbisedimin me gazetarët prej afro 90 minutash, z.Meta e nisi me takimin që zhvilloi me delegacionin e Komisionit të Venecias, që do duhet të japin një opinion për qëndrimet e Presidentit të Republikës dhe nismën e marrë nga mazhoranca për shkarkimin e tij. Ilir Meta bëri të qartë se më datë 11 tetor do të jetë në Komisionin e Venecias për të qenë i hapur ndaj pyetjeve të anëtarëve të saj. Sipas tij, kjo nuk është një datë e rëndësishme për Shqipërinë, sepse qytetarët e dinë që presidenti nuk ka bërë asnjë lloj shkelje të Kushtetutës, përkundrazi ka qenë mbrojtës i saj. Z.Meta njoftoi se delegacionit të ‘Venecias’ i është përgatitur një raport paraprak, duke deklaruar se bashkëpunimi i tij me Komisionin e Venecias do jetë transparent. “Në respekt të punës që ata kanë nisur dhe do duhet të bëjnë deri më 11 tetor, u kemi dhënë një raport paraprak lidhur me disa pyetje që Kuvendi i Shqipërisë u ka drejtuar lidhur me cilësitë e Presidentit të Republikës, i cili është i qartë dhe analitik dhe i shoqëruar me dokument. Ky dokument do të jetë publik në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës në dy gjuhë, shqip dhe anglisht dhe do jetë i hapur për kontribute jo vetëm për transparencë, por edhe për t’u pasuruar me vërejtje, ide nga juristë vendës dhe ndërkombëtarë, sepse kemi të bëjmë me një çështje shumë të rëndësishme dhe një casus në fushën e së drejtës publike dhe do jetë edhe një çështje e rëndësishme për të ardhmen dhe do diskutohet edhe në të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi z.Meta.




Mandati
Ilir Meta bëri dje të qartë para gazetarëve se mandati i tij përfundon në 2022-shin dhe përfaqësimi i institucionit do të këtë si kryefjalë pune mbrojtjen e Shqipërisë dhe interesit të qytetarëve të saj. “Do të punojmë së bashku deri në 24 korrik të 2022. Duhet të jeni të sigurt se i gjithë ky kuadrat i presidentit është Shqipëri dhe kuq e zi. Nuk ka asnjë shans dhe asnjë mundësi që Meta të dalë para datës nga ky institucion, pasi është betuar se do të mbrojë rendin kushtetues dhe të ardhmen evropiane të një Shqipërie në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Ilir Meta është për një mision historik. Të jeni të sigurt që unë do ta bëjë jo si punë, por këtë punë do ta përmbush si mision historik të padiskutueshëm”, – theksoi z.Meta.

Dekreti
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ritheksoi se nuk ka shkelur asnjë ligj me ndryshimin e datës së zgjedhjeve të 30 tetorit. Meta tha se shqiptarët jetojnë në dy shtete, atë të së drejtës dhe shtetin e propagandës. Kreu i shtetit sqaroi termin “çdekretim” të datës së zgjedhjeve dhe këtë e ilustroi duke përmendur realitetin në Shqipëri, ku sipas tij ekziston “shteti i propagandës” dhe “shteti i së drejtës”. Duke iu referuar mazhorancës, Meta tha se termi “çdekretim” është krijuar nga “shteti i propagandës”. “Në shtetin e propagandës thuhet që presidenti nuk ka të drejtë të çdekretojë. Dhe ju me të drejtë thoni, a ekziston fjala çdekretim? Jo, nuk ekziston! Unë kam të drejtë të nxjerr dekrete. Kuvendi i Shqipërisë ka të drejtë të nxjerrë ligje. Qeveria të nxjerrë vendime. Unë kam të drejtë të nxjerr dekret për të shfuqizuar dekretin tim të mëparshëm. Kjo është një lojë propagandistike. Është e pavërtetë”, deklaroi z.Meta.

Djegia
Presidenti Ilir Meta tha se informacioni që ai bëri publik disa ditë në komisionin hetimor parlamentar, se në 8 qershor në protestën e opozitës së bashkuar kishte plan për të djegur Kuvendin është më se i vërtetë. “Sa i takon deklaratës së një elementi të ri për opinionin publik se një ditë para se të komunikoja publikisht vendimin për të nxjerrë dekretin më 10 qershor kam pasur informacion nga një institucion kushtetues, sekret, i klasifikuar, nga më të lartat shtetërore, kjo është e vërtetë, nuk kam thënë gënjeshtër, aq më tepër në një moment kaq të rëndësishëm. Ka informacione të tjera, por në respekt të ligjit nuk mund të them diçka më shumë. Në komisionin hetimor i kanë mundësitë sipas ligjit të njihen me këtë. Kanë çuar një kërkesë në Presidencë për t’u njohur me këtë informacion, Presidenca i ka kërkuar institucionit që e ka këtë informacion që t’ia vë në dispozicion Kuvendit, pasi është informacion i klasifikuar. Por është informacion i vërtetë, nuk besoj se është diçka që ka ndodhur para 100 vjetësh, Kuvendi është ndriçuar, ka pasur sulme, ka pasur të plagosur”, – u shpreh z.Meta.

Kritika
Presidenti Ilir Meta kritikoi dje kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, duke thënë se kanë treguar mungesë përgjegjshmërie, por shtoi se më shumë këtë e kanë treguar vitin e fundit. Meta ironizoi në përgjigjen e tij teksa tha se, “s’ka gjë më të mirë se dashuria për politikanët, por më e rëndësishme është përgjegjshmëria”. “Nuk ka gjë më të mirë sesa dashuria, por më e rëndësishme për një politikan është përgjegjshmëria dhe unë mendoj se ata të dy kanë reflektuar një mungesë të përgjegjshmërisë prej një kohë të gjatë, në mënyrë të veçantë gjatë këtij viti. Kjo ka qenë një situatë artificiale, ky polarizim nuk ekziston poshtë në shoqëri, çdo gjë është e imponuar nga lart, një antagonizëm i orkestruar nga lart, ndonjëherë më duket se është e orkestruar nga jashtë për ta mbajtur në një ngërç Shqipërinë… Një vend që duhej t’i ishin hapur negociatat me kohë. Nëse ata reflektojnë tani është gjë shumë e madhe, ua kam kërkuar prej kohësh, e pamundur deri tani për shkak të vullnetit të tyre”, u shpreh z.Meta.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.