AKTUALITET

“Venecia” mbyll takimet në Tiranë, opinioni për Metën në 11 tetor

18:00 - 12.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Delegacioni i Komisionit të Venecias ka mbyllur dje vizitën dyditore faktmbledhëse në Tiranë. Pasi takoi krerët e politikës dhe institucioneve kryesore në vend, anëtarët e këtij delegacioni zhvilluan dje edhe një takim me anëtarët e komisionit të posaçëm hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ku dëgjuan argumentet e deputetëve mbi çështjen në fjalë dhe trajtimin e saj vetëm në aspektin ligjor dhe jo politikë. Ndërkohë që Kaarlo Tuori, drejtues i delegacionit të Komisionit të Venecias deklaroi se tashmë e kanë një ide nëse presidenti e ka shkelur Kushtetutën dhe se në 11 tetor do të dalin me opinionin përfundimtar rreth kësaj çështjeje.




Takimi
Takimi mes komisionit hetimor parlamentar dhe delegacionit të Komisionit të Venecias është zhvilluar në ambientet e kryesisë dhe pa praninë e mediave. Por përveç fotove të shpërndara për median, ka qenë vetë kryetari i këtij komisioni, Ulsi Manja, ai që ka bërë të ditura disa detaje nga çështjet e diskutuara gjatë kësaj bisede, ndërsa theksoi se opinioni i Komisionit të Venecias do të ketë për komisionin, vlerën e një prove që do të përcaktojë dhe qëndrimin e Kuvendit nëse kreu i shtetit e ka shkelur Kushtetutën ose jo. Nëpërmjet një reagimi në “Facebook” ai bëri të ditur se me ekspertët e komisionit ndanë pikëpamjen që komisioni hetimor dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor. “Me delegacionin e Komisionit të Venecias në lidhje me kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe objektivitetin e trajtimit të kësaj çështjeje nga ana e komisionit hetimor të ngritur me vendimin nr.84/2109 të Kuvendit të Shqipërisë ndamë pikëpamjen që Komisioni Hetimor dhe Komisioni i Venecias do ta trajtojnë këtë rast në aspektin ligjor, duke u nisur nga parimet dhe standardet më të larta profesionale dhe kushtetuese dhe me objektivitet maksimal, me qëllim vendosjen e një tradite juridike parlamentare të parin në llojin vet për Shqipërinë”, – shkroi Manja.

Opinioni
Ndërkohë që në përfundim të këtij takimi anëtarët e delegacionit të Komisionit të Venecias bënë të ditur se takimet që zhvilluara në Tiranë në këto dy ditë kishin shërbyer për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur me opinionin që do të publikojnë në 11 tetor. Drejtuesi i delegacionit, Kaarlo Tuori, bëri të ditur për mediat se kishin marrë informacionet e duhura për të qartësuar qëndrimin që do të mbajnë lidhur me këtë çështje, ndërsa tha se opinioni do të prezantohet në sesionin e radhës së Komisionit të Venecias, që zhvillohet në tetor. “E kemi një ide të qartë, nëse e ka shkelur presidenti Kushtetutën. Të gjitha takimet kanë qenë produktive, pasi morëm shumë informacione për të krijuar opinionin që do të dalë në 11 tetor, në sesionin plenar të Komisionit të Venecias”, – tha ai. Delegacioni i Komisionit të Venecias vizitoi Tiranën për të marrë vlerësimet dhe mendimet e palëve lidhur me çështjen nëse Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën me vendimin e tij për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Komisioni i Venecias u vu në lëvizje për këtë çështje nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili i kërkoi atij një opinion zyrtar ligjor mbi këtë debat që zhvillohet prej muajsh në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.