Dossier

1947/ Kur Enver Hoxha i quante italianët ‘minj’ e ‘të prapambetur’ përkrah ambasadorit kinez

12:46 - 15.09.19 gsh

Nga Kastriot Dervishi



Për të kuptuar çfarë udhëheqësish kemi pasur, ndër të tjera na shërben ballafaqimi midis asaj që është deklaruar dhe asaj që ka provuar koha. Janë plot raste kur deklarimet e udhëheqësit komunist E.Hoxha mund të shërbejnë sot si bazë e mirë humori, sidomos në rastet kur i qanin hallin shteteve të mëdhenj. Në darkën e datës 29.9.1973 të Enver Hoxhës me ambasadorin kinez Liu Xhen Hua, në hotel “Dajti” në Tiranë u zhvillua ndër të tjera një bisedë pa objekt. Pas vizitës së presidentit amerikan në Kinë në vitin 1972, tematika e E.Hoxhës me bashkëbiseduesit kinezë në shumë raste nuk ka qëllim, por zhvillohet për procedurë. Këtu, hallemadhi internacionalist ka folur për Italinë e varfër dhe përhapjen e miut atje (në Romë sidomos). Se i kish “kopsitur” punët të gjitha këtu.

Pjesë nga biseda

Enver Hoxha: Italia jugore është vendi më pis në Europë, gjë që e pohojnë edhe vetë italianët. Sipas agjencive të tyre del që në Romë ka rreth 30 milionë minj. Kështu që çdo banori të kryeqytetit italian i bien mesatarisht  nga 15 prej tyre bartësve të mikrobeve.

Liu Xhen Huan: Minjtë sjellin sëmundjen e mortajës që ne e quajmë ndryshe edhe sëmundja e minjve, shumë e rrezikshme edhe kjo pas kolerës.

Enver Hoxha: Italia është një vend borgjez, ku mbretëron një korrupsion dhe një prapambetje e madhe. Pjesën e vendit që nga Firence e lart e quajnë Itali, kurse andej poshtë, në jug, nuk e quajnë kështu, sepse kjo pjesë është krejt ndryshe nga ajo e veriut. Tani, me rastin e kolerës, ashtu siç ndodh gjithmonë, në jug vdesin njerëz më shumë se në veri. Në qoftë se në Firence vdes një kalama, në Napoli vdesin 7. Një me shtatë është raporti i mortalitetit infantil midis Italisë jugore me atë të veriut.

Liu Xhen Huan: Kjo është e vërtetë. Në Itali ka kontradikta të mëdha midis pjesës së jugut dhe asaj të veriut. Populli në jug të Italisë është i varfër.

Enver Hoxha: Shumë i varfër dhe analfabet.

Liu Xhen Huan: Nga Italia shkojnë shumë krahë pune në Gjermaninë Perëndimore për të siguruar bukën.

Liu Xhen Huan: Është ashtu siç ka thënë Lenini që epoka jonë është epoka e imperializmit dhe e revolucionit proletar. Partia jonë ka vënë detyrën për studimin e veprës së Leninit “Imperializmi si faza më e lartë e kapitalizmit”. Kjo vepër po studiohet në partinë tonë.

Enver Hoxha: Tani është periudha e kalbëzimit të imperializmit.

Liu Xhen Huan: Imperializmi i sotëm karakterizohet nga degjenerimi dhe shkatërrimi gradual. /55news/

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *