AKTUALITET

Agjencia e Kadastrës nis verifikimin e tapive

13:00 - 15.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  –  Agjencia Shtetërore të Kadastrës do të verifikojë të gjitha dokumentet e pronësisë që kanë në dorë pronarët. Procesi i verifikimit ka nisur menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit 111/2018 për Kadastrën. Paralelisht po punohet për dixhitalizimin e hartës së pronave në të gjithë vendin. Ndërkohë, Kadastra ka nisur edhe regjistrimin e pronave shtetërore në të gjithë vendin. Detajet nga puna e Agjencisë së Kadastrës janë bërë të ditura nga nëndrejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës, Risena Xhaja dhe është shpërndarë në faqen zyrtare të këtij institucioni. Ndërkohë, personat që kanë pasuri të paluajtshme dhe nuk kanë depozituar dokumentin ligjor pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës deri 21 prill 2019, do të përballen me masa administrative. Gjoba e parashikuar në ligj është sa10 % e vlerës së tarifës, por jo më e latë së 300 000 lekë. Ndërkohë për të gjithë personat që kanë depozituar dokumentet e pronësisë në afat nuk është marrë asnjë penalitet dhe Kadastra po vijon me verifikimin rast pas rasti.




ASHK ka në plan për të bërë edhe një verifikim të të gjithë dokumentacionit që ndodhet në dorën e pronarëve, kur do të nisë ky proces i vetëdeklarimit të dokumenteve?
Në lidhje me verifikimin e të gjithë dokumentacionit, ju informoj se me hyrjen në fuqi të ligjit 111/2018 për kadastrën, ishte parashikuar një falje për gjobat, për shkak të depozitimit të dokumenteve ligjor me vonesë. Konkretisht, neni 70 parashikonte se “Të gjitha subjektet që gëzojnë një titull pronësie apo të drejtë tjetër reale, të fituar në përputhje me ligjin dhe të regjistrueshëm në regjistrat publikë, sipas nenit 193, të Kodit Civil dhe që nuk kanë aplikuar për regjistrim pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme brenda afatit ligjor, rivendosen në afat për aplikim, 30 ditë, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Afati për dorëzimin e këtyre dokumenteve ka qenë nga 21 mars deri në 21 prill 2019. Një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë depozituar dokumentin ligjor, duke përfituar edhe shuarjen e gjobave. Dokumentet e depozituara nga qytetarët janë shqyrtuar nga ana e punonjësve të ASHK dhe kanë marrë përgjigje rast pas rasti.

Si po ecën procesi i nisjes së regjistrimit të pronave shtetërore?
Agjencia Shtetërore e Kadastrës është krijuar me ligjin 111/2018 “Për kadastrën”, i cili ka hyrë në fuqi me datë 21.03.2019. Agjencia është krijuar si bashkim i tri strukturave të rëndësishme. Pavarësisht punës voluminoze që është bërë si pasojë e ristrukturimit të këtyre institucioneve në një të vetëm, nga sportelet tona është ofruar shërbimi normal për të gjitha llojet e kërkesave të qytetarëve, të cilat janë kompetencë të zgjidhen nga ana jonë. Në të gjitha drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës ka filluar evidentimi i pasurive shtetërore dhe private. Kjo është një punë kolosale, pasi çdo kontroll do bërë manualisht. Me mbarimin e evidentimit të çdo pasurie, do të njoftohen subjektet private apo shtetërore për vazhdimin e procedurave të regjistrimit. Kjo do të ndodhi në një fazë të dytë, pasi Ligji 111/2018 “Për Kadastrën” është i lidhur ngushtësisht me një projekt ligj tjetër që është në proces miratimi, “Për Procedurat Kalimtare të Pronësisë”, i cili është në proces miratimi. Projektligji për Procedurat Kalimtare të Pronësisë i jep tagrin ASHK të bëjë regjistrimin e çdo prone shtetërore qoftë në pronësi, ashtu edhe në përgjegjësi administrim. Aktualisht po kryhet vetëm verifikimi dhe pas miratimit të këtij projektligji, do të fillojë edhe regjistrimi i pasurive shtetërore. Nga ana tjetër, është detyrë e çdo institucioni shtetëror të dërgojë zyrtarisht për regjistrim pranë zyrave të ASHK-së, çdo dokument tekniko ligjor si listë inventari VKM etj., për të vijuar procedurat e regjistrimit në bazë të dispozitave ligjore në fuqi.

Si po ecën procesi i digjitalizimit të hartografisë së pronës?
Duke marrë në konsideratë se problematika kryesore gjatë trajtimit të çështjeve të pronësisë është harta kadastrale, ASHK e ka pasur në fokus kryesor ndërtimin e hartave kadastrale dixhitale të sakta. Në këtë pjesë mund t’ju them se nga ana e drejtorisë sonë, puna ka vazhduar duke dixhitalizuar dhe përmirësuar situatën hartografike në disa blloqe kadastrale, të pozicionuar në zona të ndryshme, të cilat kanë përfunduar procedurat përkatëse dhe janë ngarkuar në sistemin elektronik të pasurive të paluajtshme, duke i kryer në vazhdim transaksionet mbi këtë hartë dixhitale të saktë. Në këtë mënyrë, gradualisht do të mënjanohet edhe puna mbi planshetat (hartat)fizike të punës, të cilat kanë qenë në një gjendje jo të mirë dhe me pasaktësi të shumta. Nga një grup punonjësish, pjesë e një projekti në vazhdimësi pranë ASHK, janë përgatitur disa zona kadastrale të caktuara, ku është bërë dixhitalizimi dhe përmirësimi i hartave kadastrale. Me përfundimin e këtij procesi, do të bëhet i mundur përpunimi i praktikave mbi këto harta dixhitale të sakta, duke shmangur kështu problematikat dhe mbivendosjet e ndryshme që krijoheshin nga paskatësitë e hartave fizike që administroheshin deri me sot nga ZRPP. Ashtu siç kemi deklaruar edhe publikisht, drejtoria jonë po vijon planin e saj të punës me njësi administrative, ku qëllimi është që brenda një njësie të kryhen të gjitha evidentimet e pronave, të përmirësohet harta kadastrale dhe të mbyllen përfundimisht të gjitha problematikat pronësore, të cilat kryesisht kanë ardhur si pasojë e situatës të pasakte hartografike.

Regjistrimi i detyruar dhe njoftimi i akteve

1. Çdo akt që sjell ndryshime dhe ose përfitim të së drejtës së pronësisë, sipas parashikimeve të Kodit Civil, duhet të regjistrohet.
2. Aktet e gjykatave, noterëve, përmbaruesve gjyqësorë dhe organeve të tjera shtetërore, që përmbajnë fitimin, njohjen, ndryshimin, pushimin e një të drejte pronësie, ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike ose aktet e tjera për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë, duhet të regjistrohen.
Organet i deklarojnë aktet e sipërpërmendura në kadastrën digjitale kombëtare, që në momentin e formalizimit të tyre, nëpërmjet aksesit të siguruar nga ASHK-ja.
3. Krahas deklarimit në rrugë elektronike, organet e sipërpërmendura dërgojnë pranë drejtorisë vendore të ASHK-s? kopje shkresore të këtyre akteve, brenda 10 ditëve nga data e formalizimit të tyre.
4. Të gjitha aktet e parashikuara në këtë nen i nënshtrohen regjistrimit paraprak në kadastër. Çdo akt apo veprim i mëvonshëm tjetërsimi i pasurisë, që nuk ka vijimësi kronologjike dhe që do të krijonte mbivendosje të titujve, refuzohet nga ASHK-ja.
5. Regjistrimi përfundimtar i akteve realizohet me kërkesë të palës së interesuar/përfituese të të drejtave, pas pagesës së tarifës së shërbimit. Vetëm pas shlyerjes së saj, subjekti përfiton certifikatën e pronësisë dhe shërbimet e tjera kadastrale si pronar i pasurisë apo titullar i të drejtave të tjera reale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.