Show-Bizz

DOKUMENTI/ Si e përjashtoi Armina Mevlani, Jonida Maliqin nga biznesi i përbashkët

12:26 - 15.09.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ato të dyja dinë të tërheqin vemendjen kur bëhet fjalë për biznes. Njëra blogere mode dhe tjetra këngëtare dhe blogere, Armina Mevlani dhe Jonida Maliqi kanë vite që janë mikesha të mira dhe me siguri, ndër të tjera, i ka bashkuar edhe pasioni për modën.Të dyja kanë edhe një eksperiencë të përbashkët në skenë, kur prezantuan vite më parë një edicion të “Dacing with the stars”. Falë rrjeteve sociale, vajzat seksi kanë bërë një marketing të fortë për bizneset respektive, të cilat janë edhe pasioni i tyre, veshjet dhe aksesorët e markave të njohura. Jonida ka një eksperiencë më të hershme se Armina në biznes.




Ajo ka pasur dyqanin e saj me këpucë dhe çanta firmato, ku më pas shtoi edhe veshjet. “Unik” ishte dyqan trendy në Tiranë dhe frekuentohej nga të apasionuarit pas firmave të njohura. Ndërsa Armina ka filluar pak më vonë me dyqanin e saj “Delirium”. Por rrugëtimi në biznes për dy vajzat nuk ka qenë i ngjashëm. Ndërsa Armina po ecte përpara duke sjellë edhe firmat e pëlqyera të veshjeve dhe aksesorëve, Jonida filloi të ketë probleme në biznesin e saj.

Disa e lidhnin me divorcin e saj, pasi siç dihet, ish-bashkëshorti i Jonidës ishte një biznesmen i njohur dhe me siguri e ka ndihmuar. Që në momentin që Jonida vendosi një njoftim në dyqanin e saj se spostohej një rrugicë më tutje, aty ishin edhe hapat e parë për të bashkëpunuar në biznes me Arminën dhe për të nxjerrë nga tregu (përgjithmonë ose përkohësisht), logon e saj “Unik”, për të cilën kishte punuar vite me radhë.

Dyqani që do hapnin do të quhej “Delirium Outlet”. Ai dyqan, i cili u mobilua dhe u bë gati, çuditërisht nuk u hap asnjëherë, por Armina vendosi ta hapë në të njëjtin vend ku kishte dyqanin ekzistues, po në zonën e ish-Bllokut. Kaluan vetëm pak javë dhe nga fundi i nëntorit të vitit të kaluar, Armina dhe Jonida bënë një ceremoni dedikuar lançimit të biznesit të tyre, tashmë zyrtarisht si ortake.

Por, a janë me të vërtetë ortake Armina dhe Jonida? Mesa duket jo, të paktën jo në letra. Në një kërkim që bëmë në faqen e QKR-së, rezulton që Armina Mevlani ka vetëm një licencë të hapur në emrin e saj që në tetor të vitit 2014, si person fizik, me objekt shitjen e veshjeve, çantave, këpucëve dhe aksesorëve të tjerë.

Në këtë licencë, emri i Jonida Maliqit as nuk ka ekzistuar dhe as nuk ekziston momentalisht. Duke kërkuar për licenca aktive në emër të Jonida Maliqit, e vetmja që gjetëm ishte ajo e shkurtit 2016, ku Jonida regjistrohet në QKR si person fizik për të tregtuar veshje, çanta, këpucë, aksesorë etj. në dyqanin e saj “Unik”.

Edhe pse dyqani kishte shumë vite në aktivitet, licenca kishte qenë në emër të ish-bashkëshortit të Jonidës, ndërkohë pas divorcit, ai ia kaloi dyqanin në emrin e saj, në fakt aktivitetin, pasi dyqanin e kishin marrë me qira. Kjo licencë rezulton e pezulluar që në gusht të vitit 2018, kohë që përkon edhe me mbylljen e dyqanit të saj.

Në këtë licencë, Jonida figuron me mbiemrin Prizreni, atë të ish-bashkëshortit, ndërkohë me mbiemrin e saj Maliqi ose Maliqaj siç del në disa raste, Jonida nuk ka ndonjë licencë të re. Gjatë muajve që pasuan lançimin e aktivitetit të Jonidës dhe Arminës, kemi vënë re disa veprime pak si të çuditshme në marrëdhënien e tyre. Ajo që të bie në sy në faqen e Jonidës në “Instagram” muajt e fundit, është se ajo reklamon veshjet e dyqanit “Delirium”, në pronësi vetëm të Arminës.

Ndërkohë nuk shohim t’i bëhet share në faqen e dyqanit çdo veshjeje që reklamon Jonida. Siç dihet, bizneset mezi presin që një personazh i njohur të përdorë produktet e tyre dhe menjëherë ato i ripostojnë në faqet e tyre. Në këtë rast nuk ka ndodhur kështu. Ka një krisje në marrëdhënien e vajzave? Atë nuk e dimë. Vetë Jonida, diku nga fundi i gushtit, me anë të një postimi ku reklamohen disa këpucë, ka shkruar se është rikthyer në punë dhe se gjëra të reja po vijnë. Nuk e dimë se për çfarë e ka pasur fjalën konkretisht këngëtarja e njohur.

FTOHJA E DY VAJZAVE, QË U THA ME LEZET NGA JONIDA

Rreth dy muaj më parë, e ftuar në programin “Treshat” të Bora Zemanit dhe dy binjakëve Veshaj, Jonida pa diskutim ndihej shumë rehat në atë ambient miqsh. Me Romeon ka një lidhje dashurie, ndërkohë që me vëllain e tij binjak dhe me Borën, një marrëdhënië miqësie shumë të mirë. Dhe në këtë rast, pyetja “Më mirë vetëm në biznes apo me Arminën?”, pa dyshim ishte e porositur nga Jonida, e cila dha këtë përgjigje: “Kot s’i thonë asaj fjalës, vetë zot dhe vetë shkop, megjithatë bashkëpunimet të lehtësojnë sepse ke mundësi të merresh me këngë dhe me dashurinë e jetës”.

Por a ka qenë ndonjëherë Jonida zot në dyqanin “Delirium”? Me letra, asnjëherë. Në momentin që kanë vendosur që biznesin ta prezantojnë si të përbashkët, me siguri vajzat mund të kenë patur ndonjë marrëveshje gojore, ku Jonida mund të paguhej me honorare si një imazh i dyqanit, ose mund të shihnin si do të ecte biznesi me këto ndryshime dhe më pas Jonida mund të bëhej ortake zyrtarisht, gjë që nuk ka ndodhur edhe sot pas një viti. Kujtojmë që edhe firmat që shiste Jonida, tashmë kanë kaluar në pronësi të dyqanit të Arminës.

SI E PREZANTUAN BIZNESIN E TYRE NJË VIT MË PARE JONIDA DHE ARMINA

Në fund të nëntorit 2018, vajzat dhe djemtë Vip u veshën bukur dhe shkuan për t’i bërë qokën në dyqan Arminës dhe Jonidës. Dy vajzat ishin ulur në kolltukun pink në formë buzësh dhe prisnin urimet e miqve. Jonida dukej shumë e lumtur ndërkohë që Armina, e cila kishte bërë disa tentativa më herët për të hapur më shumë se një dyqan dhe nuk i kishte ecur (kujtojmë dyqanin që mbylli në Teg), me siguri vriste mendjen nëse do të ishte ky vendim, që do t’i jepte një kolpo për mirë biznesit të saj.

Armina kishte atë natë në krah, si në çdo ditë të jetës së saj, Shkëlzen Berishën, njeriun që siç është shprehur vetë ajo, e mbështet në çdo hap të jetës së saj. Gjatë ceremonisë, e pyetur nga “Panorama Plus” se si ndodhi që po nis këtë rrugëtim biznesi me Jonida Maliqin, Armina tregoi: “Pas një bisede me Jonidën, që unë doja të zgjeroja hapësirën edhe brand-et në dyqan, ajo e dha si ide që të bashkonim edhe pjesën e tri brand-eve të saj.

Duke qenë se unë kisha kërkesa për brand-e meshkujsh, vendosëm t’i bashkojmë dhe të mbajmë secila pjesën e brand-eve personale në marketing dhe në përkujdesin e përgjithshëm të dyqanit”. Më tej, ajo shpjegoi: “Duke qenë se të dyja na ndjekin në rrjetet sociale dhe kemi ndikim te publiku për çfarë veshim dhe reklamojmë në profilet tona, menduam se ishte një superide që ta hapim bashkë. Për këtë arsye u bë dhe ky event, në inaugurimin e të cilit u pa që unë kisha ndryshuar edhe interierin e dyqanit, pasi kishte 3 vjet e gjysmë me të njëjtin interier.

Tani jemi pak më minimalistë në stil, por gjithmonë brenda modernes”, përfundon ajo. Këtë vjeshtë le të presim se çfarë do të ndodhë me biznesin e dy vajzave, nëse ajo që paralajmëron Jonida është një biznes vetëm i saj, apo një bashkëpunim me Arminën apo dikë tjetër? Dhe mbi të gjitha, do të ishte mirë që të na rrëfenin publikisht dhe me sinqeritet se në çfarë pike është marrëdhënia e tyre si mikesha dhe si partnere në biznes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.