OPINION

Kartëmonedhat e reja

07:20 - 15.09.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kartëmonedha dyqind lekëshe (dy mijë lekë të vjetra) ishte bërë si leckë nga përdorimi. Një pjesë, ato të grisurat në ndonjë anë a në mes, përdoreshin të ngjitura me ngjitës plastik të tejdukshëm dhe ngjanin akoma më keq. Shumicën e tyre i merrnim nga shitësit me frikë mos na griseshin në duar apo në portofol. Kaq të holla e të brishta ishin katandisur. Kishte ardhur vërtetë koha që kartëmonedhat që përdorim prej 20 vitesh tashmë (kanë hyrë në vitin 1999) të ndërroheshin. Më 30 shtator 2019, pas një pune katërvjeçare, fiks pas 20 vitesh nga koha kur kartëmonedhat e sotme dolën në qarkullim, banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, përgatitet të hedhë në treg kartëmonedhat e reja në prerjet 2 mijë, 1 mijë, pesëqind dhe dyqind lekë të reja. Po ashtu, do të ketë edhe monedhë(xheton) dyqind lekëshe. Një risi kjo ndër monedhat që kemi pasur deri tani (njëqind, pesëdhjetë, njëzet, dhjetë dhe pesë lekë të reja), por që ngjan me prerjet e monedhave dollarë dhe euro. Kartëmonedhat e reja shqiptare do të bashkëjetojnë në treg me ato ekzistueset, derisa Banka e Shqipërisë t’i tërheqë të gjitha të vjetrat dhe të ngelen vetëm kartëmonedhat e reja.




Për këtë, nga qytetarët nuk ka pse të ketë ngutje për t’i dorëzuar paratë me kartëmonedhat e sotme. Nuk ka afat. Periudha e tranzicionit derisa në qarkullim të ngelen vetëm të rejat, do të jetë e gjatë. Edhe qytetari i fundit me kartëmonedhat e derisotme në xhep, do të mund t’i përdorë ato në çdo kohë për blerje. Nuk ka asnjë afat që të skadojë dhe qytetarët të ngelen me kartëmonedha të pavlefshme. Tërheqja e kartëmonedhave të derisotme do të bëhet gradualisht. Prandaj dhe nuk ka vend për alarm a shqetësim. Në të kundërt, kartëmonedhat e reja na bëjnë më të sigurt. Po si? Ato vijnë me elementë sigurie të përmirësuar. Në krahasim me kartëmonedhat e derisotme, për falsifikuesit do të jetë më e vështirë të falsifikojnë të rejat. Kartëmonedhat kanë secila një tematikë (figura, kompozim) të tyren të veçantë. Njëlloj si të deritanishmet, ato pasqyrojnë historinë e Shqipërisë, duke treguar figurat më të ndritura të kombit shqiptar. Kartëmonedhat vijojnë të mbeten kujtesë historike e kombit tonë, duke përbërë elementë të rëndësishëm të identitetit tonë kombëtar.

Kartëmonedhat e reja kanë një dizenjo (mënyrë të kompozuari) më moderne, me ngjyra të pranueshme për syrin. Ato janë njëkohësisht më të qëndrueshme dhe konsumohen më pak. Me elementët e sigurisë të përmirësuar dhe më të dukshëm, ato sjellin integritet e besueshmëri të lartë. Identifikimi i kartëmonedhave false të të rejave do të jetë më i lehtë, si nga bankat dhe nga shitësit apo edhe qytetarët e zakonshëm. Monedha (xhetoni) dyqind lekëshe do të ndihmojë shumë në blerjet e vogla. Me monedhën (xheton) e re dyqind lekëshe që do të futet në qarkullim, qytetari lehtësohet ndjeshëm në mbajtjen e parave për blerjet e vogla. Nuk do të mbajë më kartëmonedhë dyqind lekëshe të konsumuar e në grisje e sipër, për shembull për të blerë bukën. Për kartëmonedhën me vlerë më të lartë, dhjetë mijë lekë (ose kartëmonedhën njëqind mijë lekëshe me lekë të vjetra) Banka e Shqipërisë e ka emetuar (printuar) atë. Ndërkohë, si mjet pagese në duar të qytetarëve dhe sipërmarrësve, ajo do të hyjë në qarkullim në vitin 2020. Me të kompletohen prerjet e kartëmonedhave tona, të ngjashme me ato të monedhës amerikane, dollarit (kartëmonedha e gjelbër ka prerjet 5, 10, 20, 50 dhe njëqind dollarë). Banka jonë qendrore do të paraqesë në kartëmonedhën e re dhjetëmijë lekëshe (paraja jonë me vlerën më të madhe të këmbimit) figurën e poetit të njohur kombëtar Asdreni, bashkë me një kombinim të flamurit kuqezi dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si Himni i Flamurit: “Rreth flamurit të përbashkuar me një dëshir’ e një qëllim”. Kartëmonedhat janë shoqëruese të pandara në jetën tonë të përditshme dhe prania në to e personaliteteve tona kombëtare siguron jo vetëm origjinalitetin e tyre, por edhe vijimësinë e traditës dhe identitetit historik, kulturor dhe patriotik shqiptar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.