MILOSAO

Poezi nga Artian Guskiqi

18:00 - 15.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Artian Guskiqi




I pafshehur nga syri i lig
P. Jorgonit

I pafshehur nga syri i lig,
Nga thundra e rëndë
E nepsqarëve të pamunguar.
I lodhur, doemos.
E natyrshme kjo lodhje e mbrame
Dhe e bukur.
Sikundër Shelli, Lorka,
Bajroni yt i pakryer…
Odet e tua,
Hedhur me një frymë
Ndër grahma trillesh kuqezi.
Diku këtu, atje,
Bërshen i tharë shprese
Mbi truall helmi.

Lincoln Center

Prit të presim,
Më qante hallin sorra e prillit.

Prit të presim – qentë,
Mizat e këmbëve,
Gotëza me raki të sertë periferie.

Prit të presim.
Madje dhe tej e më përtej asaj
Çka s’mund të pritet.

Heshtja – preja e vërtetë,
Jo shtaza që avitet.

Tos Arapi…
Tepër vonë për të qenë vetëm.
Tepër shpejt për të harruar veten
Përtej kësaj vetmie,
Që nuk na njeh.
Vetminë e kishim aty, në sofër,
Na i pati shtruar të gjitha,
Pa na pyetur.
Një fjalë nuk na e tha
Tek na shihte sypërlotur.
Dhe ne, si zakonisht,
Nuk na durohej.
Donim si e si t’i përvidheshim,
Për t’i shpëtuar vetes,
Duke i besuar një tjetër vetmie,
Që s’na njeh.
E nuk ka pse të na njohë.

Treni në mjegull
Ajo vetëm qeshte e qeshte,
Kur ai i thosh të mos mërzitej,
Sepse, sido që të shkonin gjërat,
Ai udhëtim s’do të mbaronte kurrë.

Por edhe sikur,
Nuk kishte asnjë problem.

Atëbotë, ajo i lavdëroi sytë,
Kapakët mavi të syve,
Pa e ditur
Që ai i kish lyer edhe për të.

Ç’na mbetet tani,
Tha ajo pastaj,
Përveçse të mbledhim cerga mjegulle
Në funeral të çdo nate?

Në fund të fundit,
Edhe ne artistë më vete jemi
Dhe një gjë fare të vogël duam:

Të zhdukemi një herë e mirë
Bashkë me këtë tren.

Dritat e Prevezës
U dashkemi edhe këtu. Po andej matanë përse?
Çfarë ishte e pambytshme, di vetëm të pluskojë.
Një gji i hapur për çdokënd, hapet për ty e për mua,
Ashtu si valët, tek vijnë shtruar, tinëz,
Plandosen diku, rënkojnë e s’jepen.
Dikush kalon kokulur e humbet. Ca dyer
Nuk dinë që nuk dinë të mbyllen,
Një mur i shkretë vetmon atje, pllakëza në mur,
Por jo ai që ndan mendjen të vetëvritet,
Kush vallë na pret në bregun tjetër?
Me një gllënjkë pezmi kush do të na sajdisë?
Di vetëm të rrëshqasë çka duket e pakapshme.
Një fashë e bardhë projektori sipër nesh
Zbulon e ndjek po të njëjtat pamje që s’i duhen.

Shoqe klase
Metaforë, jo.
Nuk ka metafora për kësi çastesh.
Në zgrip të çdo harrimi,
Ajo nënqeshje e pezullt rruge
Pa asnjë shpjegim.

Më duhet të rilind edhe një herë sonte,
Me ankthin se po vjen
Që të më shkulësh për leckash.

0682651…
M.

Lamtumira më kërkonte,
Derisa më gjeti në dhe të huaj.
Nga dheu i huaj nuk desha të ikja.
Nuk donin pëllumbat, kavakët e gurët,
Mollohiret në rrugën “Mbretëresha Sofi”,
Manolet e gjakëta…
Ashtu i gjeta dhe i lashë,
Si hajkun tënd të hajthëm elbasanas.
+++
Oqeanit të pabesë të fjalëve
U mësua t’i binte anës e anës,
Nga frika se mos befas e zinte ngërçi
Dhe i pushonte zemra
Që në bregun e dytë.

Ashtu mbijetoi.
Histori që kanë ndodhur e ndodhin.
Po atë bluzën bezhë me tri kopsa
Përse e rraste nën pantallona?
+++

O gjel bedel,
O rripi krahëqafë!
O kakarima të shpifura
Në teh të agsholit!

E patët me ne,
A ç’dreqin patët?

Një shteg, pak fjalë,
Një fytyrë të hequr malli
I deshëm kësaj jete.
Asgjë më tepër.

Post Festum
Ia mbathën dhe bujtësit më të fundit.
Furgonët, mikrobusët e radhës,
Posi cerberë dhëmbëprishur,
Rrinë e presin në qoshk.

Turravrap i habitshëm mëngjesor.
Një sumbull pengu,
Një të vetme sumbull loti nuk pashë të bjerë,
Një kokë të kthyer s’e shoh.

Shiko atë siluetë moderne tek ngutet
Drejt vilës me kopsht e verandë.
Provo ta ndjekësh, t’i kërkosh ndonjë send –
Një gjethëz mështekne s’të fal.

Dhe ja, matanë gardhit me dredhka
Të fëmijërisë,
Një çupëlinë e ndrojtur me kapele kashte
Dhe fizarmonikë.

Një zë fort i zvargur sakaq:
Nga bëhesh? Ku vete, lumëmadh?
Martohu me ditën e sotme, me të djeshmen,
Ose me të dyja bashkë…

Pogradec, shtator 2002

+ + +

Katedrale e re. Ai kryq i stërmadh,
Përndritur me vrunduj elektrikë.
Shërbesa e leximeve, lavdet,
Ora e mesme, mbrëmësorja,
Oborre thuajse të padukshme,
Mure, copëza qelqesh mbi to,
Tjegulla kokëshkreta,
Që nuk i druhen asnjë rrëmeti.
Dhe pak më tej, fare pak hapa më tej,
Ajo shtëpizë e strukur aq hijshëm
Pas atij muri të lartë,
Asaj dere të dalëboje, të hekurt…
Mu aty desha të futesha,
Aty të humbisja përgjithmonë,
Pa e mësuar dot
Të vërtetën e thjeshtë,
Që tej çdo pikëllimi dhe dëshire,
Isha unë vetë oborri, shtëpiza,
Muri, tjegullat dhe dera njëherësh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.