MILOSAO

Shqipëri, të dua(m) edhe kështu si je !

18:00 - 15.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Bajram Sefaj – … kur jemi këtu, Magdalë ime e shtrenjtë, që po i bie se jam “kundër” rrugëve të asfaltuara në shqiptari, seç më vjen në kujtesë ky episode ose storje, kurrë e paharrueshme në tragjiken e saj. Kur rrugët në Shqipëri dhe gjithandej në botën e madhe shqiptare, ishin ashtu siç ishin. Pas udhëtimit të mundimshëm e rraskapitës njëjavor (a shumë më gjatë!), nga Fieri gjer në Vërmicë, ku e pritnim me padurim, familjarisht e pritnim, dajën tim, Sandër, nga katundi Novosellë e Pejës, që në Kosovën e lindjes, kthehej pas një gjysmë e fiu shekulli, pyetjes: si u bë kështu, dajë, që të pritëm aq shumë, me aq shumë zjarr shqetësim e përmallim, pa fije hezitimi, ai i përgjigjet: “I madh, oh sa i madh!, është shteti ynë…” dhe kolliti një gulfë ofshame kilometrike, lodhjeje e këputjeje dërmuese. Bashkë me këtë, kujtoj se shkon edhe ky rrëfim i shkurtër: Kur në vitin 2008, botova librin me titull “Plot Shqipëri” (me mbresa e përshtypje, të paharruara kurrë, nga vizita e parë 1991, e vonuar në atdheun amë), reshi mbi mua shi e breshër kritikash të rrepta, pse në kopertinën titullore të librit, si ilustrim, kisha stampuar një mushkë (a kalë, s’dallohej mirë, por i lodhur dhe i këputur, gjithsesi) që mezi tërheq një mjet transportues (dyrrotësh). Diku në sfond të asaj karroce (një kalfuqi!) dallohej mbishkrimi LOVE! (Ngrena kritika të ashpra, sa s’ka ku shkon më, për atë ilustrim kopertine libri!).




Po, mos, o Zot, është pritur që në kapakët e librit që, nis e sos fliste mbi Shqipërinë (tonë), të asaj kohe, vihej fotografia e rrokaqiejve të Rokfelerit, të Ment’henit shumëkatësh të Nju-Jorkut!
Jo, ore, se ç’ thua ti!
Ilustrimi që kam përdorur, është dëshmia më e mirë dhe më eshendoshe dhe e sinqertë, se Shqipërinë, jo vetëm unë, por të gjithë dardanët, e duam dhe e adhurojmë ashtu siç është (ishte!), përgjigjesha, jo pa krenari, dhe shtoja, në fakt parafrazoja vargun legjendar të poetit tonë të Rilindjes: ” Shqipëri te dua(m) ashtu si je, por kur të shoh(im) të lirë, do të dua(m) edhe më mirë”!

Me standard jete më të lartë (me mjete moderne transporti, me kerre e makina resh), do të dua(m) edhe më fort!
Më brente ndërgjegjja se po ta shihte syri i keq (në kuptimin e plotë të fjalës: syri i keq i ndonjë (jugo)sllavi komunist!), do të derdhej e shkrihej së qeshuri dhe se komenti i tij, domosdo do t kishte për të qenë ky: “albanska teška industrija!” (Industria e rendë shqiptare¨) – slogan ky i përsëritur dajma, si një melodi bajate kur rrotullohet, në një pllakë të stërvjetër gramafoni!).

Komente smirëzeza e përqeshëse, denigruese, ironike, përbuzëse, çfarë kishim dëgjuar prej tyre, mijëra e mijëra herë gjatë terë jetës së gjatë nën thundrën e tyre!
LOVE you Albania, Shqipëria jonë e dashur. Të duam shumë, përjetshëm të dashurojmë!
*
Kur, në muajin gusht, në muajin më të nxehtë të verës 1995, në shtypin e shkruar (mbarë)shqiptar botova reportazhin plot flakë e shkrumb brenda tij, “Zemra plot Shqipëri”, ku ngrisja një paralele midis udhëtimit të shpejtë, krejt të pashpirt dhe pa pikë humanizmi e romantike, me trenin e shpejtësisë ë madhe TGV, (le Train de Grande Vitesse), në relacionin Paris – Gjenevë dhe, udhëtimin e parë me trenin tonë të ngadaltë, në relacionin Vlorë-Tiranë, duke i dhënë përparësi në të gjitha pikët e vëstrimit këtij të dytit, për pak sa nuk ndodhi përplasja me shkrimtarin e mirë, deri në – gjak dallëndysheje, deri në gju!
Shkëputje e shkurtër nga ai reportazh: treni i shpejtë, mbresën…, thyen e shlyen shpejt!

Sot, mes muajit nëntor ’95, tek me tren të shpejtë (TGV – shqiptohet tezheve!), që momentalisht është më i shpejti në botë, me mall që merr ngjyrë pikëllimi, mund të thuhet, dendur e thellë kujtoj udhëtimin (tim) të parë me tren në Shqipëri, në relacionin Vlorë-Tiranë. Kupeja jonë ishte dhomë jona. Odë pritje bujare shqiptare! Ishte sofra jonë. Ishte gëzimi ynë. Derisa goca e dajës shpaloste shamitë me tëra të mirat e ushqimeve, në anën tjetër, e shoqja e dajës, përgatiste sallatë të freskët me domate, spec e qepë e djathë të freskët Alpesh Shqiptare. Vapës se gushtit i dilnin përpara pijet freskuese. Pemët, mollë e dardhë. Pjeshkë e shefteli. Shalqi e fik. Rrush të bardhë e të zi… Në kulmin e haresë dhe të gëzimit, dikush (një zë i qartë) tha: arritëm në Tiranë! Ngjante sikur të ishte e pavërtetë. Trill a shpoti e njeriut të gëzuar. Nuk të besohej së shtatë orët e këtij udhëtimi magjepsës të kishin ikur aq shpejt.
Është e mundur kjo!
Po, po… , është përgjigjja. Është e mundur. Është realitet!
Shkrimtari i mirë shqiptar, kur është edhe mik i mirë e bujar (veprat e të cilit lexohen me garbi e kënaqësi të madhe, veç sa nuk me hodhi në turrë drush, të digjem si heretik e mëkatar, me damkën dhe akuzën, për fatziun mëkat që e njohim mirë, ia njohim nofullat e përgjakura: agjitacion e propagandë, si dikur, që, për një fjalë goje, njerëzit e pafajshëm në regjimin e egër diktatorial, komunist të Shqipërisë, paguanin me jetë!
– Kjo (po) i bie, sikur ti je pro asaj që në Shqipëri të mos ketë trena të shpejtë, si në Perëndim!
Me herë e përgjithmonë. As nuk çlirohet vendi, as nuk mbrohet e nuk mbahet vatani më lot, me vaj e përqurrje!
qortoi, me bëri satana. Më bëri përrallë. Çka nuk më tha. Si të fshihesha pas një shantazhi qëllimkeq. Çka nuk me tha miku im shkrimtar nga Tirana dhe iku, në drejtim të pacaktuar. Më erdhi “mirë”, si të ma ngulte në zemër shtizën-hanxhar, me majë të helmuar.
Çka të bëj.
Të hidhem përpjetë!
Të shkul edhe ata pak flokë që kanë shpëtuar në kokën time tullace!
Të shtirem e të përpëlitem!
Të vdirrem!
Të bërtas e të pëlcas!
Të mos bëj asgjë!
Çahu tokë e me gllabëro, rrjedhimisht!
Qëllimi, qoftë edhe naiv, adoleshent dhe i papjekur, ishte ky: rrugët e përparshme mundësonin që Shqipëria të shihej nga afër. Të nuhatej nga afër. Të matej e të çmatej, nga afër. Të matej e të çmatej me pëllëmbë e centimetër. Të ujitej e të përvëlohej me lot…
Kjo duhej të ishte e tëra. Kjo “filozofi”!
Por, jo, fjalia: të ujitej e të përvëlohej me lot, duhej të shlyhej dhe të asgjësohej krejtë.
Aman!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.