POLITIKË

Veliaj tek “Astiri” inspekton inspekton punimet tek UKT: Mos blini nga botet

11:19 - 15.09.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zona e Astirit në kryeqytet nuk do të vuajë më problemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Gjatë verës, Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve kanë punuar për të ndërtuar në kohë rekord një linjë të dedikuar që sjell ujë direkt nga impianti i Bovillës, për të furnizuar zonën e Astirit, e cila deri më sot furnizohej me ujë pusi dhe ku mungonte rrjeti i kanalizimeve.




Në inspektimin e kryer në mesnatë, ku po punohet intensivisht për rrjetin e ri të kanalizimeve në Rrugën e Elbasanit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky ishte gushti i fundit që zona e Astirit ka vuajtur nga mungesa e ujit të pijshëm. “Është punuar gjithë verën pa pushim. Kur shumica e Tiranës, përfshirë edhe politikën, ishte me pushime, ne kemi punuar për të sjellë, në kohë rekord, një linjë të dedikuar nga impianti i filtrimit të Bovillës, që është në anën tjetër të lumit të Tiranës, 10 km në tre lote, për të furnizuar me ujë gjithë zonën e Astirit, e cila është ndërtuar mbi puse, me leje të dhëna nga ish-Komuna e Farkës, një zonë e ndërtuar me gropa septike. Pra, për dikë që erdhi në Tiranën e viteve ’90-2000 dhe bleu shtëpi me 300 euro metri katror, përgjigjja e pyetjes pse shtëpia ishte kaq e lirë, është se s’kishte rrjet ujësjellësi dhe kanalizimesh”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se pavarësisht deklaratave të politikanëve për të bërë politikë pas kthimit nga pushimet me çështjen e ujit, Bashkia e Tiranës i ka dhënë zgjidhje prej dy javësh, përmes linjës së dedikuar që zgjidh përfundimisht këtë shqetësim. “Ky është gushti i fundit që kemi pasur këtë problem; kemi tashmë dy javë që kemi sjellë një linjë të dedikuar dhe e kemi zhdukur përfundimisht problemin dhe krizën e ujit të pijshëm në zonën e Astirit. Kjo do të thotë se kur politikanët që bëjnë trazira, që bllokojnë punët, ikin nga Tirana, Tirana mbaron punë shumë shpejt. Ka qenë realisht argëtuese të shohësh politikanët, Monën dhe Lulin, që kthehen pas pushimeve edhe recitojnë për punime që tashmë janë kryer”, theksoi kryebashkiaku.

Veliaj shtoi se ky projekt, që i dha zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm të Astirit do të shtrihet edhe në zona të tjera në periferi të qytetit. Sipas tij, me hapjen e linjës së re të dedikuar, që vjen nga Bovilla dhe shkon direkt te Astiri, problemi i ujit të pijshëm do të zgjidhet edhe për zona të tjera periferike. Ai theksoi se ky investim është treguesi më i mirë se kur politika nuk përfshihet në punët komunale, Tirana ecën përpara.

“Për gjithë qytetarët, sidomos tek zona e Astirit, Yzberishtit, Laprakës, që sot po shohin të mirat e këtij investimi, besoj e kanë kuptuar se kur politika nuk përfshihet në punët komunale, Tirana ecën përpara. I them Monës dhe Lulit, mirëserdhët në Tiranë pas pushimeve, por gjërat që po denonconi tashmë kanë nja dy javë që i kemi zgjidhur. Është koha të bllokoni diçka tjetër, se ujësjellësin dhe kanalizimet e Tiranës, siç duket edhe nga kjo punë në mesnatë, nuk i bllokoni dot. Përfundimisht, punët në këtë qytet, nuk i bllokoni dot”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të mos blejnë ujë të pakontrolluar nga autobotet private, të cilët abuzojnë duke e shitur ujin e marrë për vaditje apo prodhim industrial, si ujë të pijshëm. “Kemi patur një problem me qytetarët që, për inerci apo fiksimin e tyre, blejnë ujë nga botet, nga makina të improvizuara e shitës informalë. Uji, që dikush e blen për vaditje, për fonderi që ftohin metale ose prodhim industrial, dhe pastaj fshehurazi e shet nëpër lagje, kërkon bashkëpunim nga banorët. Mania, fiksimi, nostalgjia për të blerë ujë, që medemek është marrë te burimi, është i rremë. Analizat na tregojnë se uji i ujësjellësit që është i klorinuar, që ka pësuar gjithë trajtimin kimik, është uji i saktë për t’u përdorur”, tha Veliaj, teksa kërkoi bashkëpunimin e banorëve për të denoncuar të gjitha rastet e spekulimit. “Ndaj, ju lutem, denonconi çdo spekulant, çdo bot. Kemi marrë masa që të anulohen të gjitha lëvizjet e këtyre boteve”, u shpreh ai.Ndërkaq, Bashkia po vijon edhe në orët e mbrëmjes për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve në Rrugën e Elbasanit, ku nuk ishte vënë dorë që në vitet 1940. Falë këtij investimi, zona nga Fakulteti Ekonomik, kryqëzimi i rrugës “Arben Broci” dhe “Shahin Toci”, si dhe zona përballë me Fakultetin Filologjik, deri tek stadiumi “Qemal Stafa”, e cila përmbytej vazhdimisht gjatë shirave të rrëmbyeshëm, duke u kthyer në problem madhor për qytetin, gjen zgjidhje përfundimtare.

Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi këtë investim një nga më madhorët që është kthyer në 30 vitet e fundit në kryeqytet. “U jam shumë mirënjohës kolegëve që kanë kaluar gjithë korrikun, gushtin, me një nga investimet më madhore që Tirana ka pritur prej 30 vitesh. Është punuar gjatë orëve të natës, jemi tani në mesnatë, në Tiranë dhe teksa Tirana përgatitet për vitin shkollor, po mundohemi të mbyllim metrat e fundit të një investimi që mbledh të gjithë ujërat, duke filluar nga Kodrat e Saukut, e gjithë Njësia 2, e gjithë zona e Liqenit, edhe pjesët informale të qytetit, që tashmë janë legalizuar. Kanë qenë ditë të jashtëzakonshme në korrik dhe në gusht. Pjesa nga Lana deri tek Fakulteti i Ekonomisë, tashmë ka mbaruar. Na kanë ngelur metrat e fundit, nga rrethrrotullimi i Qytetit Studenti tek Fakulteti i Ekonomisë, dhe njëherë e mirë shpëton kjo zonë nga përmbytjet”, deklaroi Veliaj, ndërsa shtoi se ky investim madhor do i shërbejë kryeqytetit për 100 vitet e ardhshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.