SPORT

Ku kanë humbur kampionët? Kukësi bën “harakiri” në Ballsh

17:00 - 16.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Nëse nuk mjafton as kjo humbje që kambanat e alarmit të tronditin veshët e drejtuesve dhe stafit të kuq, atëherë Partizani i këtij sezoni nuk do të jetë më në gjendje të luftojë për titullin kampion. 4 ndeshje, 2 fitore dhe dy humbje, 2 gola të shënuar, 2 të pësuar, 4 pikë pas Tiranës kryesuese. Këto janë shifrat e skuadrës kampione, që po noton njëjtë si në ujërat e fillimsezonit të shkuar, por në ndryshim prej atëherë, nuk kishte asnjë kurorë për të mbrojtur dhe asnjë projekt fillestar për titullin…




Në Laç Partizani del i ridimensionuar në çdo aspekt. Skuadra has vështirësi të ndërtojë, madje nuk ndërton aspak. Një pjesë e parë praktikisht e hedhur në kosh, me gabime të shumta qoftë dhe në pasimet më elementare. Laçi nga ana tjetër, mund të kishte bërë dëm që në këtë fraksion loje nëse do të kishte qenë më i vëmendshëm para kuadratit të Alban Hoxhës.

Pjesa e dytë duket sikur nis më mirë për kryeqytetasit, por është thjesht një iluzion, pasi spostimet e pafundme në kuadrat të lojtarëve nga ana e Lerdës, humbja e busullës e lojtarëve kyç të ekipit, që nuk krijojnë asgjë, tregojnë se kampionët në fuqi janë vërtet në hall. Dhe si për ta vulosur këtë, mendoi Lushkja me silurin e tij nga jashtë zonës, që trondit Hoxhën dhe të gjithë tifozët e kuq. 1-0 për Laçin, rezultat që do të mbetet në fuqi deri në fund të takimit, dhe kur Lerda kalon nga 3-4-3 në 4-2-4 me shpresën për t’u kthyer me një pikë nga Kurbini. Por çdo tentativë për të ndryshuar diçka në lojën e të kuqve, dështoi me sukses të plotë. Tani Partizani pret Bylisin përpara sfidës me Tiranën, që mund të përcaktojë shumë në fatet e të dyja skuadrave për ecurinë në këtë kampionat. Vërtet, është fillimi i kampionatit, por nëse dita e mbarë duket që në mëngjes…

Bylisi përmbys Kukësin
Askush nuk e imagjinonte që pas katër javësh, Bylis do të ishte përpara Partizanit në tabelën e klasifikimit dhe do t’i shkaktonte një humbje më përmbysje Kukësit, dy ekipe që këtë sezon pretendojnë titullin kampion. Ballshiotët konfirmuan se fitorja kundër Skënderbeut nuk ishte aspak rastësi, as objektivi i tyre për të parë më larg sesa mbijetesa, Bylis është një realitet i bukur, një ekip që i ka të gjithë kartat për të zhvilluar një sezon si protagonist në elitën e futbollit shqiptar. Përballë një ofensive të frikshme si ajo e Kukësit, njeri i ndeshjes ishte Isli Hidi, një portier i cili jo vetëm mbajti ekipin në lojë me disa ndërhyrje vendimtare por së fundmi është shndërruar dhe në goleador. Me stofin e një ekipi favorit, Kukësi zbriti në fushë prepotent dhe pas 14 minutash lojë, Rroca fitoi një goditje dënimi në hyrje të zonës së rreptësisë. Limaj u tregu i saktë duke realizuar një gol shumë të bukur që i dha avantazhin ekipit verilindorë. Bylis reagoi dhe në minutën e 30-të fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhe e penalltisë, Isli Hidi shënoi sërish duke barazuar shifrat në 1-1. Pas Skënderbeut, Hidi i shënon dhe Kukësit, një gol që i dha më shumë zemër ekipit vendas. Shpëtim Duro spostoi ekipin në sulm me verilindorët që zhvilluan një presion asfiksues në portën e Hidit, i cili u kthye në pengesë duke mbajtur në lojë Bylis në më shumë se një rast. Kur të gjithë prisnin golin e Kukësit, një kros i Murataj përfundoi drejtë për drejtë në rrjetën e Avadylit duke vënë në jetë një përmbysje të madhe. Bylis shijon tre pikët dhe vendosët menjëherë në pozita komode ndërsa Kukësit kjo humbje vjen në një moment të paparashikuar dhe aspak të përshtatshëm teksa javën e ardhshme pret Tiranën kryesuese.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.