KULTURË

Homazhet/ I jepet lamtumira gjeneralit Rrahman Parllaku

13:00 - 17.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

I është dhënë dje lamtumira e fundit gjeneralit Rrahman Parllaku i cili u nda nga jeta të dielën në moshën 100-vjeçare. Në homazhet e mbajtura për dy orë në Muzeun Historik Kombëtar, politikanë e historianë e vlerësuan figurën e tij, si një nga kontributorët më të rëndësishëm në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Për të nderuar figurën e tij dhe shembullin që la pas, në homazhe nuk munguan as Presidenti i vendit, Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha apo kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.




Duke vendosur një kurorë me lule dhe duke u përulur me respekt para trupit të të ndjerit, Presidenti Meta u shprehu ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve të tij, ndërsa foli edhe për mediat, ku shtoi se Parllaku ishte një komandant i lavdishëm i Luftës Antifashiste si dhe një personalitet i ushtrisë shqiptare.
Teksa kujtoi Konferencës së Pezës, meta tha se e mendonte kurrë që në të njëjtën ditë do t’i duhej të jepte lamtumirën gjeneralit Rrahman Parllaku. “Një prej komandantëve më të lavdishëm të Luftës Antifashiste, të luftës për liri, por edhe një prej personaliteteve më të mëdha të ushtrisë sonë. Një personalitet publik, që ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Përkushtimi i tij ndaj lirisë së atdheut edhe për parimin e demokracisë do të mbeten gjithmonë në kujtesën tonë”, u shpreh presidenti Meta.

Edhe ish-ministri i Jashtëm e historiani Paskal Milo bashkë me ish-deputetin e shkrimtarin Namik Dokle, e cilësuan gjeneral Parllakun si një nga kontribuuesit më të rëndësishëm në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
“E kam të vështirë të flas, jo se nuk di se çfarë duhet të them për gjeneralin edhe mikun tim Rrahman Parllaku, por i kam thënë në të gjallë të tij vlerësimet më të mira që i ka miratuar, si një kontributorët e mëdhenj në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, si një nga ushtarakët më të zotë në vitet 1945 e më tej edhe një nga demokratët më të përkushtuar edhe një atdhetar, që nuk ka të krahasuar për nga mënyra se si u angazhua jo vetëm për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, por edhe në mbështetje të çlirimit të Kosovës”, tha Paskal Milo. Ai shtoi se Shqipëria ka humbur një nga njerëzit më të shquar me një veprimtari të prekshme që duhet që të shërbej si një model imitimi për nga atdhedashuria dhe përkushtimi qytetar që ka pasur. Pas homazheve u përcoll për në banesën e fundit, në Tufinë.
Kush ishte Rrahman Parllaku?

Lindi në fshatin Novosej të Lumës 100 vite më parë. Shkollën fillore e kreu në Shishtavec. Në moshën 12-vjeçare ka filluar punë me babanë dhe vëllanë në profesionin e pastiçierit nga viti 1932 në Cakran të Mallakastrës dhe nga viti 1936 në Selenicë të Vlorës. Ai mori pjesë në luftën kundër pushtuesit duke luftuar në Shqipëri dhe në Kosovë. Pas lufte Parllaku u caktua në detyrën e drejtorit Politik të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreu deri në prill të vitit 1948, kur u dërgua të studionte në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sovjetike “Voroshillov”. Pas kthimit nga studimet, punoi në Ministrinë e Mbrojtjes ku pati detyra të ndryshme dhe mori gradën e gjeneral-majorit. Për merita të veçanta i është dhënë titulli “Hero i Popullit” dhe është dekoruar me 9 urdhra e tri medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Parllaku u arrestua dhe dënua për pjesëmarrje në të ashtuquajturin “puç ushtarak”, nën akuzën e “krimit dhe tradhtisë ndaj atdheut, sabotimit dhe agjitacionit dhe propagandës me rrezikshmëri të lartë”. U dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat 16 vjet e tri muaj i vuajti në burg akuza për të cilat pas 1990-ës u shpall i pafajshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.