Kryesore

Edmond Budina në median gjermane: Kemi 20 vjet që ruajmë Teatrin

13:28 - 18.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Regjisori Edmond Budina ka bërë një bisedë me Tom Mustroph për revistën gjermane “Theater der zeit” ku ka folur për muajt e mbrojtjes me protestë të Teatrit Kombëtar dhe muajt e mbrojtjes 24 orëshe përfshirë përplasjen me qeverinë e policinë. “Protesta ka nisur, në fakt, që para njëzet vitesh, kur kryeministri i sotshëm Edi Rama, atëherë ministër i Kulturës, donte të shembte Teatrin Kombëtar. Kundërshtimi i artistëve dhe i një pjese të politikës ishte i fortë. Teatri Kombëtar u shpall monument kulture”, thotë Budina duke kujtuar ecejaket e dy dekadave për të njëjtën çështje. Ai shton se projekti i teatrit të ri që u prezantua nga qeveria të kujton më shumë një qendër tregtare të betonuar sesa një teatër. Më poshtë intervista.




– Z. Edmond Budina, a ka nevojë Shqipëria për një Teatër të ri Kombëtar: për shkak të arkitekturës ose të kushteve të produksionit apo i përmbush ndërtesa aktuale të gjitha nevojat?
Sigurisht që Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë për një Teatër të ri Kombëtar, shumë modern dhe me kushte të përmirësuara pune. Por kjo nuk do të thotë që teatri ekzistues të shkatërrohet. Ndërtesa aktuale qëllimisht është lënë të degradojë për ta pasur më të lehtë për ta shembur. Por nga këndvështrimi i hapësirës, formës, arkitekturës, akustikës dhe teknikës, është më e mira. Është një ndërtesë unike, arkitekti është frymëzuar për të nga një pikturë e Giorgio de Chirico. Qoftë edhe vetëm për këtë arsye duhet të mbrohet me të gjithë fuqinë.

– Cilat do të ishin avantazhet dhe disavantazhet e ndërtesës së re të planifikuar të teatrit?
Projekti i teatrit të ri që u prezantua nga qeveria të kujton më shumë një qendër tregtare të betonuar sesa një teatër. Me kullat e shtuara ai prish harmoninë arkitektonike, që u krijua nga mjeshtrit italiane të viteve ’30. U prezantua, gjithashtu, si një objekt pa detaje: Askush nuk e di nëse në të ardhmen ai do të përmbajë një teatër të vogël apo të madh, me qendër tregtare dhe restorante në brendi. Tirana ka ndërkohë përvojën e keqe që gjithë kinematë historike janë zhdukur. Ato nuk u zëvendësuan më të reja ashtu sikurse kishte premtuar qeveria. Në vend të tyre aty janë ngritur kulla të larta.

– Çfarë ekzaktësisht e shkaktoi protestën?
Protesta ka nisur, në fakt, që para njëzet vitesh, kur kryeministri i sotshëm Edi Rama, atëherë ministër i Kulturës, donte të shembte Teatrin Kombëtar. Kundërshtimi i artistëve dhe i një pjese të politikës ishte i fortë. Teatri Kombëtar u shpall monument kulture. Pas marrjes së pushtetit nga Rama si kryeministër Teatri u hoq nga lista e monumenteve të kulturës, për të hapur rrugën për shkatërrimin e tij. Shpallja e projektit të Teatrit – pa konkurs, pa degjesë – e ndezi përsëri flakën e protestës.

– Këtë verë Teatri si përfundim u pushtua. Sa njerëz janë të përfshirë në këtë gjë, sa e madhe është mbështetja?
Deri tani aspekti më i rëndësishëm i protestës nuk është numri i pjesëmarrësve, por kohëzgjatja e saj. Që nga qershori 2018 protestohet çdo ditë. Qytetarë, artistë, intelektualë marrin pjesë çdo ditë, secili mund të shprehë mendimin e tij. Diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri. Që nga 24 korriku protestuesit qëndrojnë pa ndalim në ndërtesë për ta mbrojtur atë. Pas përplasjes me policinë numri i mbështetësve është rritur dukshëm. Fara u mboll një vit e gjysmë më parë, tani bima po rritet.

– Si është e organizuar protesta, për sa kohë mundeni dhe doni të bëni rezistencë?
Protesta jonë përgjatë gjithë kohës ka qenë e qetë, me shfaqje teatrore dhe baleti, me paraqitje filmash dhe performancë muzikore. Pas dhunës policore më 24 korrik ne ishim të detyruar që ta pushtonim Teatrin. E gjetëm në gjendje skandaloze. Qeveria ndërpreu rrymën elektrike dhe ujin, por me ndihmën e gjeneratorëve – për benzinën janë qytetarët që bëjnë donacion – e mbajmë aktivitetin në këmbë. Në këtë kohë organizojmë një festival për mbrojtjen e Teatrit, me hyrje falas. Dhe jemi të vendosur që të bëjmë rezistencë deri në fund, deri kur qeveria të anulojë vendimin për shkatërrimin e Teatrit.

– Ç’lloj Teatri Kombëtar dëshironi për të ardhmen?
Ne do të dëshironim të kishim shumë teatro të rinj, por të ruajmë edhe kujtesën për të shkuarën. Nuk ka të ardhme pa të shkuar. Ne dëshirojmë që Teatri Kombëtar të jetë politikisht i pavarur, sa më i pavarur, në mënyrë që dinjiteti i artistit të përballet me mospërfillje, sikurse ka ndodhur shpesh deri më sot. Ne duam që Teatri më në fund të përmbushë detyrën e tij, atë për të cilën është krijuar: të pasurojë zemrat dhe mendjet e njerëzve dhe të qëndrojë në opozitë kundër gjithë pushteteve, kundër çdo të keqe dhe padrejtësie. Në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit u shfaq edhe pjesa e Ralph Hammerthaler “Artisti i vetëm” me regjinë e Naim Berishës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.