Sociale

Zbardhet kalendari i ri kombëtar i vaksinimit për fëmijët 0-18 vjeç

15:30 - 20.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej 1 tetorit, të gjithë fëmijët që kanë lindur nga 1 gushti i këtij viti do të bëjnë vaksinën e Rotavirusit, e rëndësishme kjo e fundit për parandalimin e sëmundjeve që prekin traktin intestinal te vogëlushët. Ditën e djeshme ka hyrë në fuqi urdhri nr 638, propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që konsiston në ndryshimin e kalendarit kombëtar të vaksinimit. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot kalendarin e vaksinimit për fëmijët 0-18 vjeç. “Mbështetur në nenin 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 30, të ligjit nr. 10138, datë 11.5.2009, “Për shëndetin publik”, i ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr. 15/2016, datë 10.3.2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, referuar vendimit të Komitetit Kombëtar të Imunizimit nr. 2, datë 12.4.2018, urdhëroj ndryshimin e kalendarit të vaksinimit, si më poshtë vijon: fëmijët e lindur që nga data 1 gusht 2019, do të fillojnë kalendarin e vaksinimit me vaksinën e Rotavirusit, vaksinë e gjallë dhe e dobësuar, e cila merret nga goja”,-thuhet në urdhrin e MShMS. Në këtë të fundit më tej bëhet me dije se vaksina e Rotavirusit do të futet në kalendarin kombëtar të vaksinimit me 3 doza, përkatësisht në moshat 2, 4 dhe 6 muaj; e vogëlushi i lindur më 1 gusht 2019, që mbush moshën 2 muaj, më 1 tetor 2019, fillon vaksinimin me këtë vaksinë.




Planifikimi
Vaksina e Rotavirusit do të administrohet në të njëjtën ditë me vaksinat e tjera të kalendarit, DTP-HepB-Hib, PCV13 dhe IPV/OPV. Sakaq, Operatori i Kujdesit Shëndetësor, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik do të koordinojnë të gjithë veprimtarinë për fillimin e vaksinimit me këtë vaksinë, më 1 tetor 2019, në të gjithë vendin. “Operatori i Kujdesit Shëndetësor, të njihet me kalendarin e ri të vaksinimit dhe rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik, si edhe të marrë masa për zbatimin e tyre në të gjitha njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Njësitë vendore të kujdesit shëndetësor të marrin masa dhe të sigurojnë shpërndarjen, ruajtjen dhe aplikimin në kushtet standarde të vaksinës së Rotavirusit. Ndërkohë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor duhet të njihet me kalendarin e ri të vaksinimit, si edhe të marrë masa për zbatimin e tyre nga çdo Qendër Shëndetësore; të sigurojë kartelat e reja sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit, bashkëngjitur këtij urdhri; si dhe të sigurojë regjistrat e vaksinimit, sipas kalendarit të ri të vaksinimit për çdo qendër shëndetësore. “Ngarkohen Instituti i Shëndetit Publik, Operatori i Kujdesit Shëndetësor, njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin dhe monitorimin e këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”,-nënvizohet në urdhër.

Vaksinimi
Edhe më parë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu paralajmëroi futjen e një vaksine të re, atë të “Rotavirusit” në kalendarin kombëtar të vaksinimit. Kjo vaksinë, sipas ministres, është shumë e rëndësishme për parandalimin e sëmundjeve që prekin traktin intestinal, ndër sëmundjet më të shpeshta tek fëmijët që mbart një kosto të lartë. Duke filluar nga 1 tetori, numri i vaksinave të detyrueshme do të shkoj në 12-të, gjë që e përafron kalendarin tonë të vaksinave me atë të Bashkimit Europian. Këtë gjë, ministrja, e lajmëroi në mbledhjen me strukturat vendore të shëndetësisë për planin e masave në terren dhe forcimin e mbulesës vaksinale, në mënyrë që vaksinimi të shkojë te çdo fëmijë. Me nisjen e procesit të regjistrimit në çerdhe, kopshte dhe shkolla, Njësitë Vendore të shëndetësisë janë në terren për monitorimin rigoroz të kartelave të vaksinimit në çdo strukturë arsimore, qoftë publike apo private. Në Urdhrin e Ministres, thuhet se çdo institucion që nuk plotëson detyrimin për të patur kartelën e vaksinimit për çdo fëmijë, do të gjobitet, sipas ligjit.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.