KULTURË

Edmond Budina Djaloshi që kishte ëndrra

13:18 - 21.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Shoh një burrë, që mezi i mban supet drejt. Ka një peshë të madhe mbi ta. Ia kam parë duart e vrazhda, po faqet i ka të lëmuara. Ia kam parë pëllëmbët e hapura drejt qiellit, por shikimin e ka pasur gjithherë të kthjellët. Ia kam parë mërinë e zhgënjimin, por ka ditur gjithnjë të marrë vendimet e duhura. Ia kam parë dhembjen ta shtrëngojë, por kryelartë ka qenë edhe në ditë si ajo. Sonte, shoh një burrë me sytë e përlotur, në një skenë i vetëm, pa të tjerë. Bosh është gjithë skena, si rrethina pranë tij kur ai pat nevojë për miq. Ndjen se ka humbur shumë nga betejat e tij, por prapë është fitimtar. Shoh një burrë që i përulet njerëzve që ka përballë, me ta kalon netët në ruajtje të një tempulli. Shoh një burrë që gjunjët i dridhen, por jo zëri i plotë kur flet për drejtësi. E shoh atë burrë dhe në sytë e tij, shquaj qindrat që përfaqëson, shoh tim atë që ka besuar si ai, nuk është dhënë si ai, që ka vuajtur si ai dhe them se e tyrja është bota me gjithë çfarë ka. Shoh shumë baballarë të pazë që nuk e dinë fuqinë që kanë të gjithë bashkë, vetëm se nuk i kam parë kurrë të gjithë bashkë.




Në një skenë të errët, shoh një burrë veshur me të zeza. E zezë e për çudi e ndritshme. I ngjan Sokratit burri që kam përballë dhe ka qenë dikur, djaloshi që kishte ëndrra.
***
“Kjo karrige është karrigia e fajit. Unë jam fajtor e mëkatar si të gjithë”. Burri i mbështjellë me qese të zeza hyn në skenë duke e kthyer gishtin nga vetja në një ‘mea culpa’ të sinqertë. Dhe nis të tregojë udhën e përshkuar deri tek kjo mbrëmje e trishtë shtatori, ku një rrebesh i beftë i ka lagur trupat tanë. E nis me “Kamaren e turpit” të Ismail Kadaresë, me kokat e prera e njerëz që ndërtoja ura e pallate, po nuk ndërtojnë atdhe. Mandej zhytet në kujtime.

“Korça është qyteti ku jam rritur. Ishte një qytet që s’kishte turp. Por atje kam ëndërruar. Në atë qytet me sokakë të drejtë e me gra me shami të zeza që fshijnë sokakët derisa i bëjnë dritë. Atje qe fort e rëndësishme dëshira për të lexuar. Merrnim libra në bibliotekë. Ç’është e vërteta, turp është ta them, por dhe i vidhnim”. Burri që kisha përballë është kthyer në vitet kur ishte djalosh. Përmend një e nga një personazhet e fëmijërisë, e nis nga Taqo Babucin që mësoi të heshtte dhe kujton filmat mbi beze. “Ne i mblidhnim lekët për në kinema, monedha-monedha. Me to, blija për 5 leka një ‘Marcelo Mastrojani’ te Micka. Dhe prej bezes së bardhë fillova të dëshira të isha si ai. Ishte një ditë gushti kur unë ëndërroja”. U hap një konkurs, ai bëri një shfaqje dhe zuri vendin e parë. Atë ditë, vendosën ta merrnin në rrethin e teatrit. Djaloshi që kujton është Edmond Budina. I dhanë të lexonte një tekst. Në Shtëpinë e Pionierit luajti plakun e vitit të ri 1964. “Atë ditë më hyri krimbi për art. Ai krimb u bë dragua. Atë kohë s’kishim asnjë zbavitje tjetër veç xhiros pranë Mapos. Bënim 60 xhiro se bënte ftohtë, se ngrinim, se nuk kishim ku shkonim. Por ai qytet më bëri të ëndërroja”- thotë me një zë kumbues. Në art e ka shtyrë Taq Orgocka. E zgjonte në orën 5 të mëngjesit për gjimnastikë, derisa i dhembnin krahët. Kur erdhi dita për në universitet, u paraqit në konkurs me një poezi të Dhori Qiriazit. Ai kishte biografi të keqe, kujton, por shkruante shumë bukur. Djaloshi Edmond Budina, doli para jurisë me poezinë e Qiriazit “Nën ombrellë”. “Një ditë vjeshte kisha dalë…”, e reciton në skenë, pothuaj me dhembje, pothuaj me mall, pothuaj me lot dhe zëri nis të dridhet.

1972
Vjen në Institutin e Arteve më 1971 dhe kujton, se ende kishte ëndrra. “Më 1972, erdhi në Shqipëri Bekim Fehmiu. E ndiqja pas kudo. Kam qenë në të gjitha takimet e tij- unë ëndërroja të bëhesha si ai. Atëherë, ne ishim hipi e parulla e tyre ishte ‘unë nuk bëj luftë, unë bëj dashuri’. Por ne na e vranë dashurinë edhe pse dëgjonim fshehurazi ‘Bitëllsat’ dhe Joe Cocker”- djaloshi ka nisur të rritet.

Mban mend se njëherë kur bënte prova si student, theu tavolinën. Ende nuk e di se ç’pati. Në klasë hyri një pedagog dhe thyerjen e tavolinës, e cilësoi “gjest revizionisto-borgjez. Do të shkoni te Enver Hoxha në Pleniumin e 4-t”. I kërkuan ndihmë një pedagogu që zakonisht mbante anën e studentëve. Dhe ai u tha “gjest revizionisto-borgjez, do të shkoni te Enver Hoxha në Plenumin e 4”. Budina, djaloshi që kishte ëndrra, i vinte duart kokës, ai kishte thyer tavolinën, një gjest revizionisto-borgjez, duhej të shkonte te Enver Hoxha në plenumin e 4. Dy javë nuk u bë mësim për tavolinën e thyer. Shokët nuk e spiunuan. Instituti nuk e dinte kush e kishte thyer tavolinën. Pas dyjavësh, në klasën e tij, hyn Mihallaq Luarasi. Pyet çfarë ka ndodhur. “Profesor, unë kam thyer tavolinën. Nuk e di ç’pata. U thye”, tha djaloshi që kishte ëndrra. Mihal Luarasi, pyeti “vetëm kaq?”. Vetëm kaq, iu përgjigj djaloshi. Luarasi doli nga salla, dhe tavolina e thyer u harrua.

1974
Kur mbaroi Institutin djaloshi u emërua në Teatrin Kombëtar. Ishte data 16 gusht 1974. Në dezhurn ishte Rrem Bërxolli, një këpucar. I tha djaloshit të ikte, se teatri ishte bosh. Krahëmpirë, Budina u kthye në shtëpi, por kur e ëma e pa që ishte kthyer aq herët, e ‘përzuri’ mbrapsht për në punë. Budina u kthye dhe gjeti në oborr drejtorin, Vaskë Aristiri. “Trupa fillon punën me 22 gusht. Me datën 27 gusht (1974) kemi shfaqje në fshat” dëgjoi zërin e tij. Budina shtangu. Si mund të bëj shfaqje pa prova, pyeti? Por nuk mori përgjigje. “Ishin Karnavalet e Korçës. E kam dhënë shfaqjen e parë në Surrel”. Salla qesh. Budina qesh po ashtu dhe shton “Nuk u vu te sarajet, por te shkolla”. Ka punuar me Sandër Prosin e Prokop Mimën. I ka dashur dhe e kanë dashur fort. Por mban mend se pas shfaqjes së parë, Sandër Prosi i preu krahët. “Nuk jam i kënaqur prej teje”. Pyetje të Budinës nëse Prosi mendonte se ‘djaloshi që kishte ëndrra’ nuk bënte për teatër, ai iu përgjigj me mëdyshje. Trishtimin e të riut, rrugës për në “Siri Kodra” e vuri re Prokop Mima. Banonin pranë e pranë. Kur Budina i tha se çfarë kishte, Mima i mbajti një fjalim që zgjati sa vetë rruga nga teatri për në shtëpi.

1979
Në premierën e “Luiza Miller”, Edmond Budina do të shkëlqente. I pari që ju afrua, ishte Sandër Prosi.
– E mban mend ç’të kam thënë?
– Nuk do ta harroj deri sa të vdes.
– Të kërkoj ndjese mor bir. E kam pasur gabim. Dhe këtë e kuptova vetëm sonte.
“Ja pra që Sandër Prosi më kërkoi falje. Ai njeri i madh dinte të kërkonte ndjesë, ndërsa ne sot ndjesën e kemi humbur”. “Luiza Miller” ishte premiera e madhe e ‘djaloshit që kishte ëndrra”. Tani, kishte nisur t’i jetonte ato. “Në Shqipëri atëherë s’kishte lule. Të afërmit më sollën lule kumbulle në tufa dhe m’i dhuruan. Ishte viti 1979 dhe pata sukses në punë. 1979 ishte një vit i bukur. Është viti kur u dashurova me Sonjën. Gruaja më e bukur e Tiranës, për mua. Kemi dy fëmijë. Kemi kaluar kohë të vështira, por ia kemi dalë”, thotë djaloshi i ëndrrave.

1990
Kur erdhi viti 1990, djaloshi ishte bërë regjisor dhe kishte vënë në skenë “Natën me hënë”. Atë kohë, pati jehonë si shfaqje. Dhe ka për të një kujtim të paharruar. “Ishte data 24 tetor. Drejtoja shfaqjen. Në mes të saj, më vjen lajmi se Ismail Kadare ka kërkuar azil në Francë. Pa u menduar, flas në altoparlante që dëgjoheshin në gjithë sallën. ‘Kadare ka kërkuar azil. Mos e çani kokën se do fitojmë’. Tekniku i mikrofonave ma bënte me shenja, nëse isha çmendur. Kisha luajtur vërtetë nga mendja se erdhën gjithë anëtarët e byrosë. Atë natë dola të përshëndes në skenë. Këtu, për herë të parë në këtë sallë, u ngritën dy gishtat lart” kujton Budina nga Teatri Kombëtar që prej 20 muajsh e ruan nga shembja. Shfaqen tentuan ta ndalonin, por ishte vonë. Kishte shumë kërkesa nga publiku. Pak javë me vonë, Budina shkoi me një shfaqje në Zvicër. Të gjithë menduan dhe hapën llafet se kishte kërkuar azil. “Më pritën në aeroport. Më pyetën nëse isha i marrë që isha kthyer. Ju thashë, po jam i marrë. Kam ardhur të luftoj.(Hesht) Dhe kam 30 vite që protestoj”.
I veshur me një pardesy të zezë, një natë shkoi te studentët që kishin nisur protestën. Njëri prej tyre e priti, i tha se ishte frymëzuar nga “Nata me hënë” dhe se duhej të pyeste nëse do e lejonin të hynte te studentët. Pak minuta më vonë e morën në sallë. Djali te porta kishte qenë Azem Hajdari.

1994
Edmond Budina nuk është më djalosh, por ka ëndrra. Ikën në Itali ku i premtohet e “gjithë bota”. Për 20 vite punoi në një fabrikë. Ai, djaloshi i dikurshëm me ëndrra. Një ditë, bëri një spektakël me poezi. Aty takoi një kritik, më pas një gazetar, më pas një producent. Luajti Uliksin në teatro legjendarë dhe xhiroi filmin “Letra ere”. Kineastët shqiptarë në QKK nuk ia aprovuan skenarin, italianët po. Media italiane shkroi për filmin “Shqipëria magjike”. Djaloshi që kishte ëndrra kishte triumfuar sërish: ai merrte leje në fabrikë dhe shkonte në xhirime për t’u kthyer prapë në fabrikë.

“E dini ju se çfarë janë trenat e natës? E njihni erën e ndryshkut? Erën e ndyrë të ndryshkut të trenave të natës? Udhëtoja natën dhe arrija në Napoli në mëngjes. Kisha ndërruar dy autobusë dhe një tren. Xhiroja gjithë ditën e natën kthehesha për në fabrikë”.
Kur me filmin tjetër “Balkan Bazar” doli i 16-i në box office, djaloshi që kishte ëndrra, e dinte se ia kishte dalë.
“Po ja ku jemi në këtë teatër ku unë ndjej se kam lindur”, thotë burri që të frymëzon.
***
Në fillim ishte një karrige dhe një burrë në një skenë bosh. Por ka pak burra për atë karrige. Të tjerë janë “të ulur” dhe “ulëse”. Djaloshi që kishte ëndrra na bëri të ëndërronim, në mënyrën më të bukur e më të thjeshtë të mundshme: duke na rrëfyer jetën e tij, që është shembulli i tij. Ka dhënë shfaqjen e jetës në Teatrin e çliruar Kombëtar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.