Intervista

Adekrete Matoshi, policja tropojane rrëfen: Momenti më i bukur, kur u emërova shefe komisariati

16:04 - 23.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Arnela Avdiaj – Jo gjithmonë njerëzit janë të prirur të bëjnë gjërat që duan ose kanë pasion, ndoshta për një arsye apo tjetër përfundojnë në një rrugëtim, që nuk e kishin menduar më parë. Një rrugëtim, që në dukje ishte i vështirë, por që më pas rezultoi plotësimi i dëshirës së njeriut më të shtrenjtë të saj, që sot fatkeqësisht nuk jeton më.
Adekretja e ka ende të freskët ditën kur i ati i thotë se do të konkurronte për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit, ajo me sytë e mbushur me lot dhe fjalët që i dridhen tregon: “Del njoftimi në TV që do të hapen njëmijë vende pune në polici, unë nuk është se isha e apasionuar pas kësaj pjese. Babai im donte që unë të isha pjesë e policisë, ai ka qenë shtysë, ai ka bërë pjesën e dorëzimit të dokumenteve e çdo gjë”.
Adekrete Matoshi lindi më 26 tetor 1992 në fshatin Begaj të Tropojës, vjen në jetë pas dy motrave dhe vëllait dhe pas saj vijnë në jetë edhe dy fëmijë të tjerë, vëllai dhe motra e saj, që do formonin kështu një familje të madhe.




Fëmijërinë, filloren dhe gjimnazin e kaloi në Tropojë. Me duart e mbështetura në tavolinë, sytë i qeshin teksa kujton fëmijërinë e saj dhe shprehet: “Kam pasur një fëmijëri aktive, një fëmijëri goxha aktive, një fëmijë jo shumë i urtë, që mund të duket që nuk jam”, ajo shton se bënte pjesë tek ata fëmijë që edhe pasi kishte kaluar në gjimnaz, akoma shenjat i kishte në gjunjë, dhe buzëqeshja i shndërrin në fytyrë.
Viti 2006 do të shënonte për të një ndryshim në jetën dhe familjen e saj, pasi ajo së bashku me motrat dhe vëllezërit do shkëputeshin nga Tropoja për të jetuar në Tiranë, ku edhe pse në gjimnaz, ajo duhet të kujdesej edhe për motrat dhe vëllezërit, pasi prindërit jetonin të shumtën e kohës në vendlindje, përveç kohës së dimrit, ku iu bashkoheshin fëmijëve.

Që në vitin e dytë gjimnaz angazhohet me punë dhe deri në përfundimin e vitit të katërt me sistemin e asaj kohe, ajo punonte dhe gjatë kohës që ishte në shkollë. Pas mbarimit të gjimnazit, ajo kishte bërë një kurs për parukeri ku dhe kishte punuar disa kohë aty, si dhe disa punë të tjera, të ndryshme.
“Një vit me vonesë fillova fakultetin, ku fillova part-time duke qenë se edhe punoja dhe e kisha të pamundur ta ndiqja rregullisht. Gjatë javës punoja në parukeri, ndërsa të shtunë dhe të diel isha në shkollë”, tregon ajo.
Jeta ushtarake nuk ishte e panjohur për të, edhe pse jo një dëshirë apo pasion i saj, ajo e dinte shumë mirë se si ishte. Pikërisht, ai njoftim në TV do i ndryshonte rrjedhën e jetës, duke e bërë pjesë e një rrugëtimi të bukur dhe plot me gjëra të reja.
“Vëllai im punonte me ushtrinë në atë kohë dhe isha mësuar me idenë e uniformës në shtëpi, me idenë e armës në shtëpi, me idenë e orareve, pavarësisht se nuk i bëja vetë, shihja vëllain tim”, rrëfen Adekretja.

Ajo dorëzoi dokumentet në komisariat ku iu nënshtrua provimeve dhe frika më e madhe që ajo kishte ishte rezultati, pasi babai i saj ia kishte thënë me shumë bindje që ajo do fitonte dhe në mendje kishte vetëm pyetjen “Po nuk e mora, çfarë do u them?”. Frika për të mos e zhgënjyer të atin mesa duket ishte dhe forca që e bëri atë më pas fituese, duke hedhur poshtë të gjitha pikëpyetjet që kishte në mendje dhe duke nisur kështu një sfidë që as e kishte menduar më përpara. “Gjatë kohës që isha në akademi, qëndrimi nuk është se ishte dhe aq i lehtë, pjesa e disiplinës, e orareve, regjimit e gjithçka ishte ndryshe nga ajo që kisha pritur apo menduar”, tregon duke qeshur dhe shton se pastaj u mësua dhe të gjitha ato “rregulla” e ndoqën gjithmonë.
Pas mbarimit të pjesës teorike, tashmë ishte koha që të shfaqte në praktikë ato që kishte mësuar në akademi dhe vendi ku do bënte praktikën do e kthente sërish aty ku u rrit dhe shkollua, në vendlindje. “E mora me sportivitet, hajt se 3 muaj praktikë, 3 muaj verë janë, por më pas kur erdhi emërimi, shoh që isha emëruar prapë në Tropojë. U detyrova të shpërngulesha prapë këtu, ku do jetoja e vetme tashmë”, shprehet ajo.
Vetëm një muaj pasi kishte filluar punën, jeta e saj merr një goditje të fortë, babai i saj ndërron jetë si pasojë e një aksidenti. Pikërisht ai që e kishte futur në këtë rrugëtim, u largua në hapat e saj të parë. Me lot në sy ajo rrëfen: “Sot unë jam e lumtur që u bëra pikërisht ajo që im atë donte, që munda t’ia plotësoj dëshirën dhe do ta bëj gjithmonë krenar. Ai është forca ime më e madhe që unë të vazhdoj përpara dhe falë tij jam sot këtu ku jam. Për gjithçka i falënderohem atij”.
Tashmë në vendlindje, ajo do merrte një shtëpi me qira, pasi shtëpia që kishte në fshat ishte larg dhe do e kishte të pamundur të kapte punën, por edhe sepse të jetonte e vetme në fshat, ishte një gjë komplet ndryshe dhe e vështirë.

Kanë kaluar katër vite që nga dita kur ajo e veshi atë uniformë për herë të parë dhe për të çdo ditë ka qenë ndryshe nga tjetra, pasi vetë profesioni që ka të përball çdo ditë me gjëra të reja. Ajo na tregon një ditë të zakonshme kur është turn i parë, “Në orën 06:30 duhet të jesh në komisariat, në rreshtore. Fillojmë me stazhin, rreshtimin, detyrat që na japin për gjatë turnit dhe gjërat që kanë ngelur pa u mbyll nga turni paraardhës. Nisemi nga komisariati pas 15-30 minuta, me furgonat e policisë dhe fillojmë patrullimin në zonën që e kemi të caktuar në libër shërbimi”.

Adekretja në asnjë moment nuk shprehet e penduar që e zgjodhi, edhe pse i ka rezultuar më e vështirë se sa e kishte menduar, ajo prapë është shumë e lumtur që është në radhët e policisë dhe më afër komunitetit. Por ky profesion e ka “ndryshuar” dhe teksa e pyet për pjesën e argëtimit, ajo shprehet: “Në momentin që bën një kërkesë për të qenë pjesë e uniformës, shumë gjërave në jetën tënde u ke thënë stop, dhe duke qenë se kjo bëhet me vullnetin tënd të lirë, je e vetëdijshme për këtë pjesë. Jo që jeta ndryshon tërësisht, jo që nuk argëtohesh më, thjesht mënyra e argëtimit ndryshon nga ajo e moshatarëve të mi me një profil tjetër punë. Duhet të tregohesh më selektiv në gjërat që bën dhe me njerëzit që shoqërohesh”.

Sipas saj, nuk është e lehtë për një femër të përshtatet në këtë profesion, aq më tepër në vendin ku ajo punon, pasi hyrja e një femre në polici atje është deri diku “tabu”, pasi për vite me radhë është cilësuar si një punë për meshkuj. Ajo duke qeshur kujton rastet kur qytetarët në rrugë i janë drejtuar me pyetje të tipit “Po çfarë do”, “Po a ke babë ti”, “Po a ke vëlla ti”, “Po a do martohesh ndonjë ditë ti” e shumë pyetje të kësaj natyre.
Adekretja me një buzëqeshje në fytyrë dhe me sytë që i shkëlqejnë rrëfen momentin e saj më të bukur në polici “Më 8 mars 2018, me urdhër të ministrit, e gjithë pjesa e Policisë së Shtetit do udhëhiqej nga femrat dhe unë u emërova për 24 orë shefe komisariati. Ishte një ndjesi shumë e bukur dhe një adrenalinë më vete, teksa ulesh në zyrë dhe të gjithë janë aty, gjithë sy e veshë për të dëgjuar dhe zbatuar ato që do u thuash”, por nuk lë pa përmendur dhe faktin që ka pasur dhe shumë momente të sikletshme, ndër të cilat veçon rastet e dhunës në familje, aksidentet ose vrasjet ku i është dashur të mbajë familjarët, diçka që nuk ka qenë dhe aq e lehtë për të.
“Vëllai im i madh, ngaqë ka qenë për dhjetë vjet pjesë e ushtrisë, nuk donte që unë të futesha në këtë profesion, pasi më thoshte që nuk mund ta bësh, nuk je mësuar me shumë rregulla, do lodhesh dhe kjo ideja e merakut të përshtatjes sime me peshën dhe ngarkesën e punës”, ndërsa shton se nuk e ka penguar, por vetëm i ka dhënë mendimin pa ndikuar në vendimin që ajo do merrte më pas.
Ajo shprehet se nëse do të jesh pjesë e këtij institucioni, duhet t’i përmbahesh një rregulloreje që ka Policia e Shtetit dhe të mos e fillosh thjesht sa për të pasur një punë e një rrogë. Sipas saj, kjo punë ka një peshë goxha të rëndë dhe nuk mund ta bëjë çdokush, pasi do shumë pasion dhe përkushtim.
Futja e femrave në radhët e policisë, siç shprehet ajo, ka zbutur situatën dhe janë shtuar rastet e denoncimit të dhunës në familje, më tej rrëfen: “Është gjëja më e mirë që mund të ndodhë, sidomos në qytetin tonë, ku më përpara ishte turp të thoshe që je dhunuar. Janë shtuar rastet e raportimit të abuzimeve të ndryshme, qoftë edhe abuzimeve në rrjetet sociale”.

Përballë meje qëndronte një vajzë e guximshme dhe e fortë, që ishte përballur me shumë gjëra dhe ishte mësuar t’ia dilte mbanë edhe vetëm. Ajo shprehej e vendosur që nuk mendonte të hiqte dorë nga ky profesion, vetëm nëse do konkurronte për ndonjë gradë më të lartë, por jo të mos ishte më në radhët e policisë.
Pyetjes se çfarë e motivonte që ta bënte punën, ajo iu përgjigj shumë shkurt: “Misioni dhe vizioni i Policisë së Shtetit”, ku la të kuptohej se sa shumë ishte lidhur ajo tashmë me këtë institucion dhe se si çdo ditë shkonte në punë me vetëm një qëllim, të garantonte një mjedis sa më të sigurt për komunitetin dhe t’u ofronte atyre mbështetjen e saj sa herë që do kishin nevojë.
“Pjesa e besimit që një femër mundet, që një femre mund t’i besosh, që një femër mund të të vijë në ndihmë, që mund të të mbështesë, mund të të japë një krah, mund të të japë një zgjidhje, kjo normalisht që mund të jetë arritje për çdo femër në punën që bën, sidomos në pjesën e policisë, sidomos në qytetin tonë”, shton ajo.

Rrugëtimin e deritanishëm, ajo e përmbledh me këto fjalë: “4 vite nuk janë pak për të qenë pjesë e uniformës, por as shumë për atë që shoh në të ardhmen. Nuk është se dua ta mbyll me kaq dhe të them që ishte mjaftueshëm. Ishte një rrugë deri diku e vështirë, sidomos pjesa e fillimit, e përshtatjes me çdo gjë të re, se normalisht në një mënyrë apo në një tjetër ndryshon komplet jeta dhe mënyra e të jetuarit. Një rrugëtim sa i bukur aq edhe i vështirë, i mbushur me momente të bukura dhe me përgjegjësi të mëdha, deri diku të arrira”.
Në fund, ajo ka edhe një mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk ndjekin ëndrrat e tyre për shkak të mentalitetit dhe fjalëve të njerëzve: “Nëse nuk e bëni ju ndryshimin për veten tuaj, kush do ta bëjë për ju dhe nëse gjykoheni nga të tjerët për jetën tuaj, do të thotë që nuk jeni të aftë për të jetuar atë që ju doni”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.