MILOSAO

ÇMIMI ‘ESPERANDO’ (Fragment nga romani satirik “Kurora e Ballkanit”)

18:00 - 30.09.19 Gazeta Shqiptare

Nga Vangjush Saro – I larti mik, qofsh mirë! Dhe fare mos u dëshpëro. Kur të përgatisim antologjinë në disa gjuhë të huaja, por është shpejt ende, do t’ua kthejmë kusurin të gjithëve. Kështu. Ama si vjen jeta… Hë? Siç e merr me mend edhe vetë, gëzimi im, gëzimi i kolegut tënd është i papërmbajtshëm. Se meqë ra fjala për çmimet de… Më në fund, po merrja çmimin e madh “ESPERANDO”… Vepra ishte përkthyer që më parë në 10 gjuhë të botës. Çmimi më priste në Londër… Jo. Në Toronto. Më fal. Në Nju-York. Dale. Në momentin e fundit, e ndryshuan; më duket se ishte Parisi vendi ku duhej të gjendesha për të marrë këtë çmim të madh.
Sidoqoftë. Djali shkoi të merrte biletën e avionit. Xhulieta, gruaja ime e dashur, që gjithnjë më vështron me mosbesim, tani më rrinte varur te qafa, sikur të ishim në ato muajt e parë të dashurisë e s’ngopeshim… së pari njëri-tjetrin. Epo, si i thonë një fjale, better late than never; që do të thotë më mirë vonë se kurrë.
Eh, preokupime të mëdhaja, i dashur. Po po, nga njëra anë këto gazetat dhe revistat shqiptare. Më të mirat: “Shekulli XXI”, “Ne dhe jeta jonë”, “Njerëz dhe rrugë”, “Në mbrëmje”, “Të tjerët”, “Pastaj”, “More shqiptarë!”; ku të mbytemi… Jo jo, nuk ishte emër gazete. Po thosha që më mbytën me telefonata dhe me kërkesa për intervista. Televizionet: “Agimi”, “Patrioti i mirë”, “Shqipëria 3”, “Tirana 2”, “Klith 2011”… Jo llotosport, or jo; televizionet, të gjitha ulërinin: dil që dil në skype, për të përshëndetur publikun. Revistat dhe portalet e internetit i çanë telefonat; kushedi ç’fitime ka pasur kjo kompania e këtushme: Gërr “Posta e vonuar”; “Mirë edhe keq” më keq; “E vërteta” dhe “Kafene” me kuje: O një prononcim, o s’ka.
Sidoqoftë. Hedhim njëherë sytë përtej dritares. Ç’të shohim! Ishte mbushur rruga dingas me makina. Të gazetave më të mëdha të Amerikës. Të revistave më të njohura. Makina me ashtu, antena a ç’i thonë, të televizioneve më të rëndësishme. Festë, miku im. Brohori.
-Dil grua, se na thyen dyert! – i thashë.




-Unë të dal? – më pyeti me plotë të drejtë Xhulieta.
-Po kush? – i thashë – Unë?
-A nuk kanë ardhur për ty, për çmimin tënd?
-Ashtu, shpirti im. – Mblodha mendjen – Po dal.
Dal po ç’të shoh… Mizëria e makinave i kishte dhënë rrugës një pamje të paparë. S’kishe ku të hidhje kokrrën e mollës, si i thonë fjalës. Makina me antena. Pa antena. Dhe akoma vazhdonin të parkonin. Fqinjët punë më vete, me tufa me lule. Kelli. Xhimi. Lori. Oh, sa e emocionuar ishte ajo! Me njërën dorë mbante ripin e qenit, me tjetrën fshinte lotët. Me siguri ishin penduar që s’m’i aviteshin fare muhabetit të librave atë ditë. Të gjithë më dërgonin urime, sa nuk po fluturonin nga gëzimi. Për një çast, m’u bë sikur disa po më thoshin fly, fly ose follë… Po aq kishin mësuar shqip ata, sa të më thoshin folë folë. Xhulieta më tregonte më vonë se e kishin fjalën për “dyqanin”, që e paskësha harruar hapur… Epo ja, këto vogëlsira s’na lënë të ecim.
Sidoqoftë. Bëra nja dy hapa përpara. Iu dhashë të kuptonin se duhej të mbanin pak qetësi. Po pse përmbaheshin ata! Gazetarët në çdo vend njësoj janë, greth edhe kështu, mastiç. Sidoqoftë. U përpoqa ta mblidhja veten. Jo për gjë, por nuk jemi mësuar me kaq shumë lavdi… Veç kur më vunë përpara, Qato vëllai, njëqind mikrofona e kamera. Njëqind. Edhe pa pa pa pa pa, s’pushonin:
-Urime, zoti Cako Procka!
-Cila është fjala juaj e parë për këtë çmim, sër?
-Zoti Cako, a jeni në dijeni që edhe një tjetër shkrimtar shqiptar, shumë i njohur, ishte ndër të listuarit për këtë çmim?
-Mendoni se paskëtaj e kini të çelur rrugën për çmimin “Kurora e Ballkanit”?
-A mund të ndodhë, zoti Cako, që gruaja juaj të ndërrojë mendje në lidhje me impenjimin tuaj në botën letrare?
-A ka ndikuar publiciteti që ju bën miku juaj Cato Vjesta, poeti i shquar, në marrjen e këtij çmimi prestigjioz?
-Cili është komenti juaj, sër, në lidhje me garuesit e tjerë?
-Mendoni, zoti Cako, që ky çmim do të jetë një ogur i mbarë për letërsinë mbarëshqiptare…
-Sa është ora, z. Cako?
-Sër! Sër! Ju pëlqen reçeli i karotave?…
-Kini qen, zotëri? Sa herë në ditë e bën atë… Sër?!
O Zot, nuk pushonin. Po sikur kjo të mos ishte mjaft, në këtë ndërkohë një bandë muzikore diku aty përqark po luante Marshin e Mareshallit Radecki. (Pse pikërisht atë?) Kurse nga lart, ngadalë e shtruar, binin flokë dëbore, nganjëherë binin edhe copëra farfurish, si në ato spektaklet madhështore… Pastaj mënç rashë unë nga krevati. Sidoqoftë. Në këto çaste hapa sytë dhe u zgjova. Kisha qenë në ëndërr, i dashur mik.
Ku e lashë? Hë! Po jeta njëlloj ëndrre është. Apo jo?
Shumë të fala na bëj nga shtëpia.

Shpjegim

Të kam thënë, anglishtja është e ngatërruar. Një nga kuptimet e fjalës fly na qenka zinxhir (i pantallonave). Epo mirë. Ja e kisha harruar hapur. Ç’u bë? U prish ëndrra?

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *