MILOSAO

Ekzekutivi duhet t’i kthehet edhe njëherë seriozisht teatrit

16:45 - 30.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – U tha se teatri nuk përmbante edhe kushtet minimale të mbarëvajtjes. U bënë shërbime me foto, ku u tregua hapur rrënimi i teatrit dhe degradimi. Propaganda përdori gjithçka të tregonte se rënia e teatrit ishte gati çështje ditësh. Por, në fakt, nuk ka ndodhur diçka e tillë, kurse godina e Teatrit Kombëtar tregoi se ishte shumë më e fortë se shumë nga institucionet ndërtuar vite më pas dhe në kohët moderne. Të paktën pas rënies së tërmetit të fundit të 21 Shtatorit, që e shkundi Tiranën. Mbaroi kështu dhe alibia e mënyrës së ndërtimit dhe ‘shëmtia’ estetike e godinës. Veçse nuk është shuar për as edhe një moment protesta e një komuniteti artistësh dhe e veprimtarësh të shoqërisë civile për të, që vazhdon prej javësh e muajsh.
Me pak fjalë, kjo protestë duhet një ditë e më parë të marrë fund. Sesi do të zgjidhet kjo, mbetet për t’u parë, por teza e hedhur nga ne është se: Ekzekutivi dhe Pushteti Lokal duhet t’i kthehet seriozisht dhe me preçedencë, pas eliminimit deridiku të problemit të tërmetit, çështjes së tejzgjatur të teatrit. Nuk mund të vazhdojë më një protestë pa një përgjigje institucionale, ashtu si nuk mund të shkojë deri në kalenda vendimi për ta prishur atë.





Disa ditë apo javë më parë, Rama do të zbardhte një fjalë të artistit të ndjerë Mihallaq Luarasi: Ky teatër që kemi sot është i pandreqshëm. Është turp që Teatri Kombëtar i Shqipërisë ka ngelur në atë ndërtesë të ndërtuar që në kohën e Italisë. Qysh në vitin 1966, drejtuesve të asaj kohe i është kërkuar një teatër i ri, që fatkeqësisht nuk u ndërtua kurrë. Duhet më shumë vëmendje për Teatrin Kombëtar, nuk duhet një rikonstruksion i tij, por ndërtimi i teatrit të ri.
Më 1966 në Teatrin Kombëtar, kur ishte gjallë dhe aktori i madh Naim Frashëri, rastësisht u takuam në oborr me Manush Myftiun, anëtar i byrosë politike atë kohë. Naimi i tha: “Nuk po mendon partia për një teatër të ri?”, ndërsa përgjigja e Manush Myftiut ishte: “Naim, nipat tanë të ndërtojnë një teatër të ri, ne nuk kemi mundësi, presim nga nipat tanë”. Pra ne jemi ata që sot duhet ta ndërtojmë një teatër të ri kombëtar.
***
Qysh në vitin 1988, Ramiz Alia, një nga ish-Ministrat e dikurshëm të Kulturës, vendosi të reformonte artin, pasi ia hoqi atributet e politikave të artit dhe repertorit, që konsiderohej si kryesori, komiteteve të partisë dhe ia bashkangjiti ato këshillave artistikë pranë komuniteteve artistikë. Kjo mund të quhej si një lloj demokracie pasi tashmë Këshillat Artistikë do të zgjidheshin nga komunitetet artistike. Paradoksalisht, sot, politikat teatrore i bën qeveria, ashtu si bordet i zgjedh Ministri i Kulturës. Kjo do të thotë se në masë qeveritë vendosin për politikat ashtu si i kemi parë rëndom ngado. Kjo ka bërë që zëri i artistëve të mbërrijë tepër i deformuar për të mos thënë fare i padëgjueshëm nga zyrtarët, kurse një takëm jo i pakët që vdesin për konjukturat nga artistët janë gdhirë me tesera në xhep. Dhe, ndodh që në mbledhje partiake apo forume, artistët i sheh në rreshtat e parë për të bërë propagandën e partisë por edhe për të justifikuar çdo vendim qeveritar. Ndodhi frikshëm me ish-kryeministrin Sali Berisha, po rindodh sërish me kryeministrin aktual Edi Rama, që duke qenë dhe artist mundohet të penetrojë vetë ngado në problemet që lidhen me artin.

Godina e Teatrit Kombëtar prej muajsh është përdorur si një mollë sherri mes një pjese të madhe të komunitetit të artistëve dhe Ekzekutivit. Pjesa më e madhe e artistëve është që Godina të mos prishet apo dhe të prishet, të ndërtohet ndryshe, apo të ruhet fasada, të meremetohet, por të gjithë bashkohen në një pikë: të mos merret hapësira e teatrit dhe godina e re e Teatrit të mos ndërtohet me partneritetin PPP. Kjo do e dëmtojë politikën teatrore por nga ana tjetër edhe perceptimin e publikut, që shteti mund t’i marrë hapësirën kujtdo institucioni për interesin e vet, por edhe mund të vendosë për gjithçka që ka në vendimmarrjen e saj.

Parlamenti shqiptar votoi me 75 vota pro, Ligjin i cili parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar, ndërkohë që artistët vijuan protestën e tyre jashtë godinës së Parlamentit. Ajo që e rëndoi politikën shtetërore ishte se: Nuk ka pasur konsultime publike, pasi askush nuk i intereson të kuptojë që të dijë për atë që ndjejnë artistët dhe qytetarët. Dhe, jo më kot, lufta për Godinën e Teatrit është kthyer në një luftë për të mbrojtur dhe ruajtur demokracinë ashtu si edhe për të bllokuar aleancën e bizneseve me të ashtuquajturit politikanë të korruptuar.
Qeveria po përpiqet të rrëzojë ndërtesën e vjetër të Teatrit Kombëtar të vitit 1939 për të ndërtuar një të re, së bashku me dhënien e lejeve për blloqet e kullave të banimit për t’u mbajtur nga investitorët privatë. Fatkeqësisht duket se nuk ka pika takimi mes Ekzekutivit dhe protestuesve, porse kohëzgjatja ka treguar se realisht qeveria nuk ka seriozitet dhe një plan real për zhvillimin e tij. Ka ardhur Koha që qeveria shqiptare të tërhiqet ose të marrë një vendim të sajin…për t’i dhënë fund kaosit.
Do të jetë koha që do të tregojë vërtetësinë e vendimit të marrë, por edhe moralin që përmban i gjithë aksioni… e që nuk është aspak i pagabueshëm nga të dy anët.
(“Milosao”)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.