MILOSAO

ETYDE PER MIGJENIN

18:00 - 30.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Konstandin Dhamo




 

SHTEPIA- MUZE

Ja, raftet me libra , karrigia,
Dhe tryeza;
Ora mbi të, e ndalur
Siç ndalet dhe zemra…
Pastaj stilografi
Pa bojë, si venë pa gjak .

 

Më shqetëson ky kompozim fetishesh,
Mbi tryezë
Ashtu gjithë feksje të zbehta drite.
Dridhshëm i prek një nga një
Si për t’më shkarkuar ndjesi nga Migjeni.
Por n’ekranin e vagullt të dritares,
Shkodra më shfaqet…

Mure të lartë mbyllës ,
Gurë të shtrënguar si grushte;
Tjegulla që gacullojnë,
Oborre të fshehur,hije përgjuese;
Pingul si nervozizmi
Minaret dhe kambanaret !

Qiell ndarë dysh
Mes kryqit dhe gjysmëhënës ;
E pandarshme
Shkodra klasike…

Kështu më shfaqet qyteti,
Dekor i lodhur drame absurde
Që s’mbyllet e s’mbyllet…
Por, shih malësorin e çmitizuar
Me thesin e shpuar mbi kurriz,
Prej të cilit
Kokërr më kokërr
Ronitet apoteoza e misrit …
1968 Përshendetje

 

MENGJESET
DHE MBREMJET

Si ishin mëngjeset e Shkodrës , Migjen,
Kur hapje portën e madhe të shtëpisë
Dhe tek përshkoje rrugicat dredhake
Si kapriçiot
Niseshe mbi biçikletën tënde
Për te nxënësit në katund ?

 

Prekeshe nga trëndafilat
Që çelnin petale gjaku
Dhe të joshnin trazueshëm
Për një jetë plot pasion e shqetësim ?

 

Prekeshe poet, prekeshe;
Ndër sy të yllëzohej Bojka,
E dashura e buzëqeshur
Mallëngjyeshëm,
Ashtu e bukur si gonxhja kur hapet,
Larg prej teje kur ndodhej
Shkodra këndonte, Migjen
Por ishte e varfër
Dhe e bezdiste shumë Zotin…

 

Po muzgjet kur ktheheshe
Si ishin poet?
Përse hëna me t’u shfaqur
Regëtinte mbi siluetat e shtëpive
Si kandili në të fikur ?
Regëtinte Migjen, regëtinte;
Dhe ti
Kolliteshe rëndë mbi biçikletë
Tek ktheheshe mes djerrinave me cikna
Dhe shpendë të shkrumbtë
Si të përftuar nga zezona e natës,
Të cilët veç çirreshin dhe grindeshin ngjethshëm
Në fluturim të ulët;
Shamia e parfumosur
Aksesori delikat i veshjes tënde
T‘u përgjak tradhtisht
Një ditë në kthim,
Duke vulosur kështu
Fillimin e një kalendari
Që afishonte vdekjen
E parathënë…

T’u skuq shamia e bardhë
Si dëbora e maleve apo
Si fletët ku shkruaje.
Kalendarit të shkurtër të vdekjes
Kalendarit dinamik të krijimit
I vure përsipër…
1992 Fundshekull

SAN LUIGI . TORINO 1938

Kështu ndodhi në fund,
Në spitalin mes pyllit t’errët;
Qiell dhe hënë tavani dhe llamba lart,
Por jeta zhumhurte jashtë,
Larg këtij qielli, larg kësaj hëne…
Shtrirë në dhomën pa ngjyrë,
Ç’filozofi të vdekjes, Migjen,
I predikoje vetes ?

 

Rrugët e Shkodrës
Planimetria e mpleksur e kujtesës tënde;
Bojka pafajsisht e bukur
Si shën Maria,
Motrat , miqtë dhe fëmijët,
Nxënësit e mençur dhe t’uritur,
Që ta këputën shpirtin ;
Sa e sa herë !
Të gjithë të gjithë
S’ishin më , veçse ca shenja drite
Në një hapësirë pa lëvizje
Dhe, pa kohë…

 

Murgesha që i propozove ferrin
Tashmë , me flatra kerubini ,
Ndanë shtratit pret ,
Siç duket të të shoqërojë…
Por si ngrihet shpirti nga trupi i shuar
Migjen;
Mos vallë si feniksi nga shkrumbi i vet?
2000 Afishet e Pranverës

 

NE PUKE TE SHKOLLA
E MIGJENIT

Kur hyra në klasën – muze
Kërkova përnjëmend Migjenin
Ta përshëndesja nxehtësisht.
Zura vend në një bankë
Si nxënësit e tij të mençur dukur…
Eh, duhej të përgjigjesha
Në mësim…

Kush nuk qahet nën zë
Këtu, Migjen,
Madje më zi se në kohën tënde.
Varfërimi i shqiptarëve
Është strategji ideologjike.

Dhe, s’ka më kishë,
Xhami nuk ka më.
Një ish prift
Që e vunë të ngulte gozhdë
Në një punishte qerresh, në fshat,
E burgosën, sepse pagëzoi
Fshehtësisht një fënijë
Por s’u ngopën dhe
E pushkatuan mizorisht…

Tashmë ka vetëm policë dhe ushtarë
Dhe një masovik të pirë
Të vatrës së kulturës,
Që tek qendron në sfond
Të veprave të kuqe t’Enverit
Iu rrëfen të rinjve
Sesi, një partizani të rënë
Në luftë kundër armiqve
I gjetën në gjoks Vargjet e Lira,
Të shpuara nga plumbi,
Të dekoruara me gjak.
Po kurrë një herë, ndonëse lehtësisht
E merrte me mend,
S’iu tha të rinjve se, ty
Nëse do të rroje më gjatë
Komunistët do të kishin vrarë…

Prej letrave q’i nisje miqve të tu
Kuptohet se dilje shpesh
Dhe vetëmoheshe tek shëtisje
Këtyre hapësirave të pjerrëta
Të kristalizuara nga bora rrëzëllitëse,
Apo të bleruara sensualisht
Nga pranverat e brishta të bjeshkëve ,
Teksa shqiponjat n’ajër
Kërleshnin sqep e kthetra
N’erotikë t’egër si te Uitmani…

Ah ç’letra poet, ç’letra,
Traktate të vërtetë filozofie.
Mendoheshe e mendoheshe, Migjen.
Integriteti yt prej gjeniu
Çdo herë të shpëtoi
Nga llumi i injorancës provinciale…

Mësuesit sot, këtu
I sjellin nga Tirana.
Mes tyre ka poetë të njëmendtë,
Migjen,
Poetë të programuar dhe agjitpropë,
Ndonëse, ashtu si edhe ty
Lulë të vocërr të pangrënë
Në klasë iu vinë,
Që i pikëllojnë
Dhe i dërrmojnë !

E përsëri këta poetë
S’janë të rebeluar,
Heretikë kurrsesi !

Leka, Blloshi, Nela, Trifoni…
Plejada me dritë
E poetëve martirë të Fjalës së Lirë
U pushkatuan !
Madje Avziun, poetin mësues
E varën, Migjen !
Ja këto ditë, në mes të qytetit
Që t’i tmerronin të mbeturit gjallë.

Këta mësues, gjithsesi
Përkëdhelshëm njeri – tjetrin
Migjen e thërrasin,
Siç duket, thjesht ngaqë ushtrojnë
Si ti dikur, mësuesinë.
Por ç’bëjnë ata kur zbresin
Me leje në Tiranë ?

Marrin me vete një çantë
Dëng më plaçka të palara
E ua plasin mamave përdhe
T’ua pastrojnë dhe arnojnë,
Gati t’i kenë kur të kthehen…
Dashnoret s’iu dalin më në takim,
Në majë të hundës atyre iu ka ardhur
Duke i pritur t’iu vijë emërimi
Në Tiranë .

Dhe rendin këta mësues poetë
Zyrave të shtypit letrar
Të çojnë vjersha për Partinë
Dhe Enverin, sa më parë…

 

Dhe unë, që shtëpinë
Dy herë fije – fije ma kanë bastisur,
Dhe unë, që kam dalë në gjyq
I akuzuar si shumëkush
Për agjitacion e propagandë
Dhe lëvrim të letërsisë dekadente,
Dhe unë që kam provuar
Heqjen e të drejtës së botimit
Vite me radhë,
Duhet ta them, Migjen
Se, nuk do të shpreh publkisht
Asgjë nga ky koment…
1988 Planet i Lodhur


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.