Sociale

Rritje pensionesh me 5% për 10 mijë përfitues

15:55 - 01.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani




Miratim i pensionit minimal në shkallë vendi dhe përmirë-sim gradual i pensioneve të ulëta brenda vitit 2025. Ky është një prej objektivave kryesorë të Planit Kombëtar të Moshimit 2020-2025, i cili është nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Miratimi i pensionit minimal do të thotë që asnjë pensionist nuk do të marrë më pak se vlera që do të miratojë qeveria, pavarësisht kontributeve që ka derdhur në vite. Referuar dokumentit, pas përcaktimit të pensionit minimal, do të duhet që çdo vit të parashikohet një rritje prej 5%nga e cila do të përfitojnë 10 mijë pensionistë në të gjithë vendin për të gjithë pensionistët, që sot trajtohen me pensione të ulëta. Ndërkaq, gjatë konsultimeve paraprake me organizatat që mbrojnë të drejtat e të moshuarve është kërkuar përcaktimi i minimumit jetik, një kërkesë shumëvjeçare jo vetëm nga kjo kategori. Megjithatë, në draftin e publikuar kjo kërkesë nuk është marrë parasysh, duke kërkuar vetëm përcaktimin e pensionit minimal, që do të duhet të përcaktohet përmes një vendimi qeverie.

Sipas draftit, qëllimi është garantimi i kushteve për një jetesë dinjitoze, ndërsa saktësohet se pensionet duhet të arrijnë të mbulojnë nevojat elementare të individëve për të siguruar jetën, shëndetin dhe përfshirjen sociale. Ndërkaq, zbatimi i kësaj politike 5-vjeçare pasohet edhe me efekte financiare në buxhetin e shtetit, që pritet të kapin vlerën e 1.4 mld lekëve. Referuar buxhetit që shoqëron dokumentin e nxjerrë për konsultim, parashikohet që 1.38 mld lekë të mbulohen nga buxheti i shtetit, ndërkohë që 15 mln lekë janë kosto të pambuluara. Krahas miratimit të pensionit minimal, Plani Kombëtar i Moshimit përcakton edhe një sërë objektivash të tjerë, që do të duhet të arrihen gjatë 5 viteve të ardhshme. Referuar dokumentit, synohet rritja e aksesit në transportin publik për të moshuarit më të varfër përmes skemave të subvencionimit. Këtu përfshihen kryesisht pensionistët që trajtohen me pension social, duke synuar heqjen e barrierave negative, që ndërhyjnë në përfshirjen e të moshuarve në jetën shoqërore, ku mes të tjerash është edhe pamundësia për të përdorur transportin për distanca relativisht të largëta në mjedisin urban. Gjithashtu, kërkohet aplikim i tarifave të reduktuara për personat mbi 65 vjeç për evente artistike apo sportive të ofruara nga vetë bashkia apo agjenci të tjera publike a private në territorin e bashkisë. Ndërkaq, një tjetër qëllim është edhe ofrimi i shërbimeve sociale dhe shëndetësore të përshtatshme dhe të integruara për të moshuarit, duke nisur nga rritja e qendrave ditore e deri tek ofrimi i kujdesit shëndetësor në banesë për ata persona që kanë humbur autonominë. Zbatimi i të gjithë Planit Kombëtar të Moshimit 2020-2025, duke përfshirë edhe përcaktimin e pensionit minimal parashikohet të ketë një kosto buxhetore prej rreth 6 mld lekësh.

Treguesit e performancës dhe rezultatet e pritshme

1. Ngritja e një grupi ndërinstitucional. Caktimi i përgjegjësive dhe metodologjisë për përllogaritjen e vazhdueshme të pensionit minimal. Miratim ligjor i pensionit minimal përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave.
Tregues: Pensioni minimal i miratuar
2. Përshtatje graduale brenda 5 viteve e pensioneve të ulëta me pensionin minimal. Ky proces do të shoqërojë forcimin gradual të të gjithë sistemit të pensioneve.
Tregues: Rritje me rreth 5% çdo vit për 5 vite e 10.000 pensioneve të ulëta.
3. Intensifikim i informimit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore mbi pensionet sociale, me synim uljen e numrit të atyre që nuk e përfitojnë atë thjesht për arsye informimi dhe burokracie.
Tregues: Rreth 5 mijë të moshuar shumë të varfër, të informuar më mirë mbi mundësitë e pensioneve sociale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.