Sociale

Tetori rozë, Donjeta Zeqa: 708 raste të reja me kancer gjiri për vitin 2018

15:00 - 02.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Dje ka nisur zyrtarisht muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, e gjatë gjithë tetorit do t’i jepet një rëndësi e veçantë diagnostikimit dhe mbrojtjes nga sëmundja. Ndërkohë në trend rritje paraqitet numri i grave dhe vajzave të prekura ku në 2018-ën janë evidentuar plot 708 raste të reja. Këto shifra zbardhen nga kreu i organizatës, Europa Donna Albania, Donjeta Zeqa, e cila në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” bën me dije se ende nuk ka një regjistër kombëtar të kancerit të gjirit. Më tej ajo thekson se krahasuar me dy vite më parë, problematika e mungesës së medikamenteve për trajtimin e kancerit të gjirit është përmirësuar, por ende ka ankesa nga pacientet. Sakaq, për sa i përket ndërgjegjësimit të grave e vajzave mbi sëmundjen është ende një çështje e ndjeshme që lë për të dëshiruar. Zeqa nënvizon se 78.79% e të diagnostikuarave me kancer gjiri kanë shkuar tek mjeku vetëm pasi kanë ndjerë simptomat. Ajo shton se çdo femër është e rrezikuar nga sëmundja dhe bën thirrje për informim e diagnostikim, pasi kapja në kohë e kancerit mund tu shpëtojë jetën të prekurave.
Sipas statistikave, sa është numri i pacienteve të prekura nga kanceri i gjirit në vendin tonë?
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për vitin 2018 ka pasur 708 raste të reja nga e gjithë Shqipëria. Nëse bëjmë një krahasim me tre vite më parë shihet se kemi një numër në rritje, e ndërsa në 2017-ën ka pasur 713 raste të reja. Ndërkohë në 2015-ën ka patur 652 raste të reja me kancer gjiri, në 2016-ën ka patur 672 raste të reja.




Disa muaj më parë ju keni ngritur shqetësimin e mungesës së regjistrave kombëtarë për evidentimin e saktë të vajzave e grave të prekura nga kjo sëmundje. A i është dhënë një zgjidhje problematikës nga instancat përkatëse?
Shqipëria nuk ka ende një regjistër të kancerit të gjirit. Megjithatë theksoj se ky nuk është një problem vetëm në vendin tonë. Është situatë paksa e ngjashme në gjithë rajonin. Prandaj disa organizata të pacientëve në Rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore realizuan një sondazh në këto shtete, përfshirë dhe Shqipëria me organizatën Europa Donna Albania-n. Të dhënat e mbledhura nga 4 shkurti deri në 19 maj, kishin si qëllim ekspozimin e nevojave reale të pacientëve në segmente të ndryshme të kujdesit të kancerit dhe janë analizuar për të gjitha vendet e përfshira. Përpunimi është bërë nga Koalicioni i Shoqatave të Shëndetësisë në Zagreb (KUZ – Coalition of Association in Healthcare, Croatia), që ishte dhe përgjegjëse për takimin e organizatave të pacientëve në rajon. Sondazhi mbi rezultatet e rëndësishme për pacientët me kancer në Rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore është e para nismë rajonale (dhe e para e këtij lloji). Europa Donna Albania u mor specifikisht në Shqipëri për promovimin dhe shpërndarjen e sondazhit.

A kanë ardhur ankesa pranë organizatës suaj mbi mungesën e medikamenteve për trajtimin e kancerit të gjirit?
Situata është përmirësuar paksa nëse bëjmë një krahasim me një apo dy vite më parë. Por, ankesa ka pasur disa herë për mungesën e disa prej medikamenteve. Ne jemi munduar të lokalizojmë këto raste dhe t’i drejtojmë drejt një zgjidhjeje në bashkëpunim edhe me përgjegjësit dhe vendimmarrësit.
A marrin trajtimin e duhur psikologjik pacientet në vendin tonë? Po Europa Donna Albania a kryen terapi në grup apo individuale për vajzat dhe gratë e sëmura?
Vetë Onkologjiku ofron shërbim psikologjik për këtë kategori pacientësh. Ne si organizatë kemi bërë të mundur mobilimin e një dhome ne Onkologjik që quhet “Zen” dhe është në dispozicion të këtyre pacientëve. Ne bëjmë shpesh takime me pacientët dhe bisedat me ta janë një mënyrë e frytshme dhe një lloj terapie. Të pranishme janë gjithnjë dhe psikologet.

Sa të ndërgjegjësuara janë gratë e vajzat shqiptare mbi sëmundjen?
Nëse nisemi nga të dhënat e sondazhit për të cilin ju fola më lart: 78.79% e të diagnostikuarave me kancer gjiri (që iu përgjigjen sondazhit online) kanë shkuar tek mjeku pasi kanë ndjerë diçka. Kjo do të thotë që kemi ende shumë punë për të bërë. Pasi duhet që vizitat dhe kontrollet të kthehen në kulturë dhe për këtë duhet të luajmë më shumë rol në edukimin vajzave të reja dhe grave shqiptare.

Cilat janë aktivitetet që ka planifikuar organizata juaj përgjatë muajit tetor?
Do kemi disa aktivitete, sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese por përmes këtyre aktiviteteve ne, si Europa Donna Albania synojmë advokimin dhe lobimin për një cilësi jetese më të mirë për këtë kategori pacientësh. I ftoj të na ndjekin në faqet tona në internet për të ndjekur kalendarin e aktiviteteve të Europa Donna Albania për muajin tetor.

Zyrtarisht jemi në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Cili është mesazhi juaj?
Çdo vajzë dhe grua të ketë shëndet e mirëqenie. Ne të gjitha jemi të rrezikuara nga kanceri i gjirit ndaj mos e neglizhoni këtë fakt. Informohuni dhe vizitohuni. E dikush që ndeshet me një problematikë teksa po trajtohet, duhet ta ngre zërin fort për të marrë shërbimin që i takon me ligj. Ne jemi këtu për ata. Përfaqësojmë zërin e tyre.

Cili është misioni i organizatës suaj dhe prej sa kohësh operon në Shqipëri?
“Europa Donna Albania” është pjesë e organizatës ombrellë “Europa Donna”, e cila është një organizatë jofitimprurëse, e përbërë nga organizata anëtare në të gjithë Evropën. Ky koalicion organizatash punon për të rritur ndërgjegjësimin për kancerit e gjirit dhe për të mobilizuar mbështetjen e grave evropiane për të ushtruar më shumë presion për përmirësimin e edukimit lidhur me kancerin e gjirit, diagnostikimin dhe trajtimin e përshtatshëm dhe gjenerimin e fondeve për kërkime shkencore. “Europa Donna Albania” përfaqëson interesat e grave shqiptare lidhur me parandalimin dhe mbrojtjen nga kanceri i gjirit përballë institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve publike, të cilat e kanë për detyrë ta realizojnë këtë. “Europa Donna Albania” u krijua në vitin 2009 nën ombrellën e organizatës mëmë, por në 2013-ën bëri një pauzë trevjeçare. Dhe në vitin 2016, EDA ka rifilluar aktivitetin e saj me ndryshime në bord dhe në drejtim.

Manastirliu thirrje grave: Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë

Në ditën e parë të tetorit rozë, i njohur si muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar një mesazh inkurajues I bën thirrje çdo gruaje dhe vajze që të mos neglizhojnë dhe të kryejnë ekzaminimet në kohë. “Dua të marr pak minuta nga koha juaj, për t’ju bërë një pyetje të gjitha grave: Kur është hera e fundit që keni bërë një ekzaminim për gjirit? Ashtu sikundër dhe unë, shpeshherë mund të mendoni se do ta kryej javën tjetër, dhe java bëhet muaj dhe muaj bëhet vit. Ne gratë shpeshherë e neglizhojmë kujdesin ndaj vetes. E dini se një në tetë gra rrezikon të preket nga kanceri i gjirit? Ju nuk duhet të keni frikë sepse të kufizoni rrezikun, sot është e mundur. Sot është e mundur që diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën. Shërbimi ofrohet falas. Kontaktoni me mjekun e familjes për të bërë mamografinë. Beteja më këtë sëmundje mund të kryhet vetëm nëse kryhen ekzaminimet në kohë”, -thotë ministrja Manastirliu.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.