Kryesore

Gëzim Tushi: Rritja e kriminalitetit, instinktet po dalin mbi logjikën

14:19 - 07.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Krimi në shoqërinë tonë, veçanërisht ai brenda familjes po pëson një rritje të frikshme, ku për motive nga më banalet, jeta e njeriut shuhet. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, sociologu dhe “Mjeshtri i Madh” Gëzim Tushi bën një analizë të thelluar mbi fenomenin nga ana sociologjike dhe thekson se duhet të jemi të shqetësuar, pasi në shoqërinë tonë po shtohet kategoria e njerëzve që veprojnë me instinkte dhe pa arsye. Sipas sociologut, krimi është zgjeruar, është intensifikuar, nga pikëpamja tipologjike është bërë i larmishëm dhe kemi të pranishme pothuajse të gjitha format e krimit që arrijnë deri në nivelin më banal të tyre. Për Tushin, tradhtia është faktori kryesor që çon në krim, pasuar nga shpërbërja e rolit edukativ dhe funksionit të familjes, varfëria, përdorimi i zgjeruar i lëndëve psikotrope, si alkooli, droga, hakmarrja, koncepti anarkist për lirinë etj. Ai shton se është e domosdoshme që në institucionet bazë të edukimit të kthejmë punën edukative dhe jo të copëtuar, por të integruar ku shteti me organet e veta të ndëshkimit, ligji, shkolla, feja, familja; nëse bashkërendojnë punën dhe do të kompaktësojnë veprimin e tyre, ne do të mund të krijojmë njeriun normal, ekzistencialisht të kontrolluar, i cili di të përshtatet, të ndërtojë sjelljen e tij humane dhe jo kafshërore.




Ditët e fundit kanë ndodhur krime që kanë tronditur opinionin publik në vend. Ju profesor si e vlerësoni këtë fenomen, që po përhapet gjithmonë e më shumë në shoqërinë tonë?
Problemet e krimit në shoqërinë shqiptare janë bërë nga problemet më shqetësuese që ajo ka, sepse krimi është zgjeruar, është intensifikuar, nga pikëpamja tipologjike është bërë i larmishëm dhe kemi të pranishme pothuajse të gjitha format e krimit që arrijnë deri në nivelin më banal të tyre. Ne duhet ta pranojmë që krimi në shoqërinë shqiptare po bëhet më intensiv dhe e keqja më e madhe është që ne qytetarët, shteti, policia, media janë nën një presion që duhet të mësohen, duhet të përshtaten me këtë kundërkulturë agresive dhe kriminale që qarkullon si limfë në shoqërinë tonë.

A po frikësohet shoqëria shqiptare nga krimi apo ka filluar të adaptohet me këtë situatë?
Kam përshtypjen që jemi në një situatë ku krimi ka filluar të mos na bëjë aq sa duhet përshtypje dhe kjo do të thotë që ne po adoptohemi me të. Krim kudo, në politikë, në familje, në rrugë, në shkollë, në ambientet publike, pra është bërë si një tipar i zakonshëm i jetës sociale, na është bërë gati si “buka e përditshme”. Në fakt ky nivel i krimit në shoqëri bie në sy edhe në raport me vendet e tjera, të cilat zakonisht kur duan të evidentojnë përmasat e krimit në shoqëritë e tyre, thonë që krimi po ballkanizohet. Kjo do të thotë se është një lloj krimi, i cili është i lidhur kryesisht me rajonin tonë.

Krimi është pasojë e demokracisë, e liberalizimit të jetës apo është një e metë e species?
Këtu ka një debat të madh edhe mes sociologëve, ku një pjesë e madhe e tyre thonë se krimi është rezultat i liberalizimit, i zbutjes së shtetit dhe i masave të tij për të përballuar krimin; në një kohë që një pjesë tjetër e sociologëve thonë se krimi është një e metë e species e cila është gjithnjë e më e prirur për kriminalitet. Mua më vjen keq që duhet ta them që sot diskutohet që ne në shoqërinë shqiptare me këtë nivel krimi (siç ishte rasti i Klosit e raste të tjera) na vejnë në dyshim nëse jetojmë në një shoqëri normale apo në një xhungël sociale, në një kopsht zoologjik të njerëzve. Çfarë po ndodh me këtë shoqëri që u largua nga bota e kafshëve dhe po i afrohet një lloj bishe njerëzore që me gjak të ftohtë vret, të merr jetën për arsye banale, nga më të ndryshmet, madje edhe arsye serioze. Por dua të theksoj se nuk është rruga e krimit apo procedimi me instinkte për t’u marrë jetën njerëzve. Ne duhet të jemi të shqetësuar sepse në shoqërinë tonë po shtohet kjo kategoria e njerëzve që veprojnë me instinkte dhe pa arsye; njerëz që gjejnë brenda vetes arsye për të bërë krim, i cili mund të jetë për shkaqe morale, tradhti bashkëshortore, çështje pronash etj.

Sipas jush profesor, sa peshë zë faktori i tradhtisë bashkëshortore në ngjarjet kriminale?
Krimet në shoqërinë shqiptare ndodhin për disa shkaqe. Shkaku i parë është për çështje nderi dhe këtu dua të theksoj se korniza morale e shoqërisë shqiptare vazhdon akoma të jetë konservatore, primitive, patriarkale e cila nxit krimet dhe për fat të keq opinioni publik, këtë lloj krimi dhe e justifikon duke thënë: e vrau bashkëshorten për çështje morale, për tradhti apo për arsye të tjera? Termi tradhti duhet të largohet nga terminologjia e shoqërisë sonë, nga media dhe nga gjykimi, sepse mendoj që është një term i politizuar që nxit krimin. Ka terma të tjerë më të butë me të cilët mund të flasim për mungesë besnikërie, për prishje të kontratës martesore, sepse çështja e përdorimit të termit është një çështje thelbësore. Njeriu përballë njeriut tradhtar e ka të lehtë të procedojë në mënyrë kriminale, ndërsa nëse individi ka një koncept më të humanizuar, më të butë, duke menduar që kjo është prishje e kontratës martesore apo mungesë besnikërie seksuale apo erotike, atëherë çështja do të zgjidhet në mënyrë të arsyeshme. Ne edhe divorcet i kemi shpeshherë në mënyrë kriminale, të dhunshme. Shoqërisë shqiptare po i shtohen shumë njerëzit që procedojnë me instinkte dhe që nuk kanë fre social. Këta janë qenie të shpërfytyruara që kur i shikojmë në media apo jetën e përditshme duket sikur kanë dalë nga thelbi njerëzor. Dhe këta njerëz janë të frikshëm, janë të paparashikueshëm.

Cilat janë faktorët e tjerë që ndikojnë në rritjen e kriminalitetit në Shqipëri?
Një shkak i rëndësishëm është shpërbërja e rolit edukativ dhe funksionit të familjes. Familja e dikurshme ka qenë një qelizë morale dhe edukative shumë e fortë, ishte një celulë autoritare dhe kishte një staf edukativ shumë të mirë për të formuar pinjollët e vet, të cilët nuk e njihnin rrugën e krimit. Pa diskutim në rritjen e kriminalitetit ka një ndikim edhe varfëria, por nuk është faktor kryesor. Në shoqërinë tonë ka një përdorim të zgjeruar të lëndëve psikotrope, të alkoolit, drogës dhe përhapja e tyre është në shifra alarmante. Përgjithësisht këta persona janë të pranishëm në botën e krimit, sepse humbasin koshiencën dhe kurrën e kurrës nuk mund të zgjidhin një konflikt në mënyrë humane, përmes dialogut.

A ndikon demokracia dhe liria në rritjen e numrit të krimeve në vendin tonë?
Në këto 3 dekada, krimi po shtohet edhe për faktin se ne kemi një koncept anarkist për lirinë. Herë pas here te shumë njerëz konservatorë hidhet ideja se këto janë pasojat e demokracisë. Në të vërtetë nuk është kështu. Krimi po bëhet një element i tmerrshëm i shoqërisë sonë, por nuk e ka fajin demokracia, por kuptimi anarkist i lirisë. Në shoqërinë e sotme njerëzit kanë dalë nga korniza e drejtë dhe nuk e kuptojnë që liria përfundon aty ku fillon liria e tjetrit. Kornizat morale e bëjnë njeriun të disiplinuar dhe të aftë të vetëpërmbahet. Duhet të edukojmë njerëz që të dinë të vetëpërmbahen, të dinë të administrojnë veten dhe instinktet. Nëse do të vazhdojmë në një shoqëri ku instinkti del mbi logjikën, atëherë kjo shoqëri do të kafshërohet.

Po fenomenin e gjakmarrjes apo hakmarrjes, si e gjykoni në aspektin sociologjik?
Duhet pranuar me keqardhje se shoqëria jonë ka zakonin e keq të hakmarrjes. Edhe pse e trashëguar nga e kaluara, ka filluar të përsëritet fort jo vetëm ajo hakmarrja klasike, por një hakmarrje e re. Ka arritur deri në atë pikë sa nuk e durojnë dot tjetrin, në momentin e parë që na bëhet një padrejtësi, mekanizmi i zgjidhjes është hakmarrja.

A funksionojnë në shoqërinë shqiptare mekanizmat e zgjidhjes së konfliktit?
Dua të theksoj se ne si shoqëri kemi një problem shumë të madh, nuk dimë t’i zgjidhim konfliktet. Konfliktet janë njerëzore dhe të pranishme në të gjitha vendet, qoftë edhe në ato më të zhvilluarat dhe demokratike. Ajo që ndodh te ne është që ne nuk i njohim mekanizmat e zgjidhjes së konfliktit, pra ne i përfundojmë të gjitha konfliktet në dhunë dhe në krim. Pra, kjo ka bërë që dinamika e krimit të vijë duke u agravuar dhe krimet të bëhen momentale, banale, pa strategji afatgjatë dhe të sofistikuar. Ne ia marrim jetën tjetrit për një mungesë të arsyes, për një fjalë, për një grindje momentale të rastit dhe kjo situatë është shumë shqetësuese, qoftë kur konflikti është për çështje nderi, qoftë për çështje pasurie sikurse kanë qenë rastet e fundit. Shoqërisë sonë i është prishur mekanizmi i zgjidhjes së konfliktit. Në një situatë normale një konflikt zgjidhet nëpërmjet tolerancës, dialogut, komunikimit të cilat ne i kemi pothuajse të huaja dhe nuk i përdorim. Ky nivel krimi është shumë shqetësues dhe mund të them se shoqëria është kthyer në një spital të madh psikiatrik, ku krimi nuk është thjesht një defekt kulturor. Kjo situatë e bën shumë të ndërlikuar çështjen e kësaj çmendurie sociale, që ka kapur shoqërinë tonë me këtë lloj krimi të ekzagjeruar.
Cilat janë masat që duhet të merren për parandalimin e kriminalitetit dhe formimin e njerëzve që i zgjidhin konfliktet me mirëkuptim?
Është e domosdoshme që në institucionet bazë të edukimit të kthejmë punën edukative dhe jo të copëtuar, por të integruar. Shteti me organet e veta të ndëshkimit, ligji, shkolla, feja, familja; nëse bashkërendojnë punën dhe do të kompaktësojnë veprimin e tyre, ne do të mund të krijojmë njeriun normal, ekzistencialisht të kontrolluar, i cili di të përshtatet, të ndërtojë sjelljen e tij humane dhe jo kafshërore.

Për të minimizuar ngjarje të tilla, a duhet që shteti të jetë më i ashpër në ndëshkimin e krimeve?
Natyrisht, shteti nuk mund të jetë pa përgjegjësi. Shteti i sotshëm është shtet liberal dhe nuk mund të ndërhyjë në institucionet e jetës private, në një kohë që një pjesë e madhe e dhunës dhe e krimit gëlon në familje. Pjesa më e madhe e vrasjeve është bërë brenda familjes, më pak janë vrasjet e bëra në ambiente publike. Kjo tregon që ne kemi probleme në këtë drejtim për këta njerëzit sadistë, të përbindshëm, që e vrasin tjetrin pa iu dridhur dora. Në moment që procedojnë me instinkte, nuk i llogarisin pasojat e veprimit të tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta mposhtur krimin.

Në ngjarje kriminale, një pjesë e opinionit publik pozicionohet pro rikthimit të dënimit me vdekje. Ju si mendoni lidhur me këtë?
Ka gjykime lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj krimit në shoqëri, edhe në shoqërinë tonë janë dy vija të qarta: njëra është vija konservatore që thotë kriminelët duhet të vriten dhe vija tjetër thotë që të mos të merremi me krimin, por me rrethanat që e prodhojnë krimin. Unë personalisht jam për tezën e dytë. Dënimi me vdekje nuk ka qenë dhe nuk është rruga që e frenon krimin. Mendoj se duhet të shqyrtojmë rrethanat dhe në opinionin shqiptar ne e kemi zakon të merremi me kriminelin dhe jo me krimin. Ndërkohë që duhet të bëjmë analiza të thelluara të krimit. Duhet të ngulim këmbë të përmirësojmë rrethanat që ndikojnë në situatën e krimit. Krimi është problem i madh publik dhe jemi në një fazë delikate ku kultura e krimit po ngul këmbë të na mësojë të bashkëjetojmë me njeriun kriminel.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.