Opinion-Komente

Përse ky panik dhe lobim asimetrik për negociatat?

07:30 - 07.10.19 Jorgji Kote

Nuk ka nevojë të jesh diplomat dhe ekspert i politikës së jashtme që të dallosh asimetrinë ose shproporcionin e dukshëm në fushatën tonë lobuese për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Në këtë fushatë që hera-herës ka pasur dhe formën e një propagande bajate vërehen dallime të mëdha midis demarsheve diplomatike dhe lobimit me Gjermaninë, Italinë, Grupin e Visegradit e ndonjë vendi tjetër me Francën dhe Holandën, por jo vetëm. Me të parat, vështirë të ketë kaluar një ditë pa folur e shkruar me bujë për forume, vizita, prononcime të zyrtarëve tanë më të lartë dhe atyre të huaj; Berlini u bë me të drejtë “Mekë” politike duke e “bombarduar” publikun me pohime dhe premtime euforike për çeljen e negociatave derisa më në fund Bundestagu na e dha ‘Po’-në, ama jo “me gojën plot” dhe me shumë “Por”. Padyshim, si vendi më i madh dhe më i fuqishëm evropian dhe themelues i BE-së, Gjermania ka fjalën dhe peshën e saj të pazëvendësueshme, me gjithë rënien e viteve të fundit, kur dhe “ylli” i Merkel është në perëndim e sipër. Në fakt, pa Gjermaninë nuk ke nga ia mban. Veçse pa e fetishizuar atë dhe askënd tjetër, sepse kemi përmendur edhe në shkrime të mëparshme, “Po”-në për progresin dhe negociatat tona duhet ta thotë, duke respektuar diversitetin brenda saj e gjithë BE-ja, pra të 27 vendet anëtare, nga më i vogli, te më i madhi. Pik.



Padyshim që në këtë asimetri lobimi ka pasur ndikim të madh negativ realiteti ynë politik konfliktual dhe kompromentues, sidomos gjatë këtij viti, kur në vend të tregonim më të mirën, kemi shfaqur më të keqen tonë, çka natyrisht ka vështirësuar së tepërmi pozicionet/ qëndrimet e partnerëve tanë ndërkombëtare, të cilët nuk po dinë se “kujt t’ia prishin dhe kujt t’ia ndreqin’. Faktor tjetër pengues ka qenë mungesa e një vizioni realist, të shoqëruar me programe tërësore veprimi/lobimi, veçanërisht me Francën, Holandën e ndonjë vend tjetër. Për pasojë,  politika dhe diplomacia jonë me këto dy vende është treguar anemike, mbi të gjitha pa frymë dhe shpresë. Duke filluar nga Franca, e cila ka po atë peshë sa dhe Gjermania, sepse të dyja janë “boshti dhe motori” i BE-së. Pa Francën, roli dhe fjala gjermane, përfshirë “Po”-në e saj ndaj nesh mbetet në ajër, sidomos tani kur Presidenti Macron po afirmohet si “violina e parë” evropiane.

Edhe Holanda, në pamje të parë e vogël, ka peshë dhe imazh shumë më të madh jo vetëm si ndër gjashtë bashkëthemelueset e para të BE-së, por dhe si pararojë në botë për standardet e larta dhe vlerat demokratike. Skepticizmi i saj ndaj nesh nuk është as i pari dhe as i fundit. Në vitin 2005 së bashku me Francën ajo i tha “Jo” me 61 për qind Kushtetutës Evropiane pa iu “dridhur qerpiku” nga askush. Por, asnjë nuk e qortoi, sepse ishte në të drejtën e vet. Vitet e fundit, bashkë me Danimarkën dhe shtatë vende të tjera të Evropës Veriore, Holanda ka kundërshtuar  2-3 nisma franko-gjermane.

Ja pse në këto rrethana, me këto dy vende kërkohej një lobim i programuar në detaje dhe shumë më aktiv.  Mirëpo me përjashtim të rasteve të veçuara, si vizita e kryetarit të Kuvendit dhe tani së fundi ajo e kryetarit të KLP-së në Hagë e ndonjë tjetër, shumë pak është bërë më këto vende muajt e fundit, ndonëse lobimi aktiv duhej të kishte filluar kohë më parë. Veçse, të kuptohemi drejt, lobimi në fjalë nuk nënkupton vetëm ose kryesisht vizita ministrash, zyrtarësh të lartë apo edhe partiakë, sidomos atyre që janë arsimuar dhe kanë lidhje me këto dy vende, të cilëve nuk u është dëgjuar zëri as në Tiranë, le më pastaj në Paris, Hagë dhe gjetkë… Kjo sfidë madhore nuk ka të bëjë vetëm në ndryshimin e opinionit dhe qëndrimeve të qeveritarëve dhe deputetëve në ato vende. Në fakt, ajo çka kërkohet është ndryshimi i imazhit dhe perceptimit të gjerë publik negativ për rajonin dhe vendin tonë, edhe pse kjo jo gjithmonë përputhet me realitetin. Ndaj, në këtë lobim të munguar nga ana jonë, sidomos në Francë dhe Holandë, rolin vendimtar e kanë “zëdhënësit” e publikut- artistët, shkrimtarët, gazetarët, personalitetet publike dhe të diasporës, konsujt tanë të nderit në këto vende etj.. Me praninë dhe pohimet e tyre të besueshme, ata mund t’u tregojnë francezëve, holandezëve dhe të tjerëve se krahas trafiqeve të paligjshme, që ndonëse shqetësuese dhe për ta janë pakicë, Shqipëria ka dhe mund të ofrojë shumë më tepër “trafiqe” të artit, kulturës, letërsisë, traditave më të mira dhe plot shembuj pozitivë në ato vende, si bonuse/garantë të mëdhenj të përparimit me çeljen e negociatave. Mirëpo sa ekspozita, shfaqje, koncerte dhe promovime librash janë organizuar në këto dy vende gjatë këtij viti, sa personalitete tona, sidomos parlamentarë, gazetarë, publicistë dhe bashkatdhetarë të suksesshëm e të njohur kanë dalë në TV e në median e shkruar për të biseduar hapur me publikun e atjeshëm? Po komuniteti i biznesit?

Lobimin efektiv me këto dy vende, të cilat veç të tjerash preken dhe ndikohen në mënyrë të pakrahasueshme nga dukuritë tona të njohura negative se sa Finlanda dhe vendet e tjera baltike apo Visegradit e ka penguar edhe mungesa e sjelljes së duhur politike dhe publike. Kjo u pa qartë në muajin maj, kur Parlamenti holandez kërkoi rivendosjen e sistemit të vizave. Nga ana jonë nuk u tregua mirëkuptimi i duhur për ato shqetësime, qoftë edhe  ashtu të tepruara, as brenga e sinqertë për pjesën tonë jo të vogël të fajit; ai vendim nuk u kuptua drejt si shqetësim dhe mesazh politik i klasës së saj politike, por si “akt inatçor i disa ekstremistëve”. Kur dihet se atë rezolutë e votuan 92 nga 150 deputetë që ka Holanda të çdo partie dhe asaj socialiste. Këtë sjellje mund ta kishim korrigjuar edhe kur Komisioni Evropian e refuzoi me të drejtë kërkesën holandeze, duke shmangur euforinë e pabazuar e duke e konsideruar gati-gati fitore atë refuzim. Ajo rezolutë duhet të ishte bërë kambanë alarmi për të gjithë ne, për t’u ulur me miqtë holandezë e për të folur hapur dhe açik. Veçse jo duke u dhënë mend  e duke treguar gishtin te “problemet e tyre të brendshme”, por bashkë me ta të qajmë bashkërisht  hallet, duke kërkuar me përulësi mbështetjen e tyre.

Këtë mangësi në sjelljen tonë politike u mundua ta korrigjonte ditët e fundit kryeministri Rama në një prononcim me gazetarët kur shprehu mirëkuptimin për qëndrimin ende të pavendosur të Francës, si vend me parime dhe interesa të mëdha. Sërish, ky reagim do të ishte më i plotë kur të përmendeshin dhe shqetësimet jo të vogla që i kemi shkaktuar Francës me kërkesat e shumta për azil, sidomos të fëmijëve të pashoqëruar. Të mos gënjejmë veten, pavarësisht nga koncepti i saj i njohur lidhur me thellimin dhe zgjerimin, shkaku i vërtetë i skepticizmit francez qëndron, madje merr spunto më shumë nga minuset tona demokratike. Pastaj, çdo të themi kur, siç janë gjasat, Franca të thotë “Po” të menjëhershme për Maqedoninë e Veriut dhe me kushtet gjermane për ne? Po mirë Franca, po Holanda që na e thotë “troç” se jemi më keq se më parë! Ja,  më 2 tetor, kryeministri holandez Rutte në konferencën e shtypit në Berlin me Merkel i përgënjeshtroi tezat e Ramës, duke theksuar  “shqetësimet e mëdha me Shqipërinë”.

Mirëpo, tamam kur pritej forcimi i lobimit deri në minutat e fundit me këto dy vende, që gjithsesi ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre dhe shpresojmë të jetë pozitive, ditët e fundit, kreu i qeverisë e deklaroi të panevojshëm këtë lobim me argumentin se “ne jemi gati, por Evropa jo”! Mirëpo ky pohim bie në kundërshtim me realitetin kokëfortë; dihet se Komisioni dhe Parlamenti Evropian bashkë me shumicën e vendeve anëtare, pavarësisht rezervave jo të vogla, për shkaqe njohura gjeopolitike janë dakord për çeljen e menjëhershme të negociatave. Edhe Franca, Holanda, Danimarka e ndonjë vend tjetër në parim janë dakord, pavarësisht nga vizionet e tyre për zgjerimin evropian. Ndryshe, nëse qoftë edhe Franca me Holandën nuk janë gati, ato fare mirë mund të na thoshin “Jo” vjet apo dhe sivjet në qershor në Këshillin e BE-së e jo ta shtynin vendimin e tyre me shpresë që ne të bëheshim gati këtë vjeshtë.

Ndaj, nuk na lejohet të biem në panik, të thjeshtëzojmë dhe relativizojmë problemet dhe mungesat tona, ca më pak të “viktimizojmë” partnerët tanë apo t’i bëjmë qejfin vetes se gjoja “stekën” tonë të lartë nuk e ka paska pasur asnjë vend tjetër anëtar i BE-së! Paniku ynë mesa duket vjen edhe nga fakti se ekipi i ri drejtues i BE-së do të përgatisë strategji dhe instrumente të reja shumë më të forta anëtarësimi për vendet kandidate, por kjo nuk ka të bëjë me kushtet e Bundestagut apo dhe të ndonjë vendi tjetër. Kushtet gjermane janë për kompromis me vendet e tjera skeptike dhe mbi të gjitha detyra shtëpie, të cilat duhej t’i kishim kryer me kohë, sepse pa to nuk mund të çelen as negociatat dhe të bëhet asnjë hap përpara.

Ndaj, politikanët tanë të çdo krahu nuk ka pse bëhen “profetë”, lektorë dhe “fallxhorë” të integrimit evropian, padyshim dështimi më i madh i klasës sonë politike në 30 vitet e fundit. Apo ca më keq akoma, euforinë dhe shampanjën e disa muajve parë të na e zëvendësojnë me panik ndjellakeq dhe bori alarmi ndaj “rrezikut evropian”! Ja pse tërheqja nga lobimi dhe paniku i tanishëm duket si dorëzim i parakohshëm e pa kushte. Është njëlloj sikur të lësh një apo dy ndeshje “aforfe” kur edhe SHBA-të dhe ekipet drejtuese të BE-së vazhdojnë me këmbëngulje dhe shpresë të lobojnë për ne. Veç kësaj, ky lobim, gjithnjë mbi bazën e punës dhe arritjeve konkrete është i nevojshëm për të ardhmen e afërt. Për të zbutur efektin e qëndrimeve të mëparshme dhe për të mos prishur klimën miqësore të besimit dhe bashkëpunimit me vendet e lartpërmendura, të cilat na kanë ndihmuar dhe mbështetur aq shumë. Për më tepër, do t’ua kemi nevojën atyre jo vetëm për çeljen e negociatave, por edhe në të gjithë këtë proces të gjatë e plot sfida deri në anëtarësimin e plotë në BE. Aq më tepër që kushtëzimi shumë më i fortë se ky i tanishmi pritet të jetë bashkudhëtari ynë i përhershëm në këtë proces, që siç kanë ardhur punët, askush nuk e di se sa mund të zgjasë.

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *