Shëndet

Sabjan Memishaj: Sëmundja e “gishtave të ftohtë”, si mund të trajtohet pa kirurgji

13:20 - 07.10.19 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Gishtat e ftohtë si pasojë e ekspozimit ndaj temperaturave të ftohta apo situatave stresante mund të jenë një sinjal që duhet t’i drejtoheni mjekut specialist. Sipas të dhënave, femrat dhe personat që jetojnë në vende të ftohta janë më të predispozuar për t’u prekur nga sëmundja e njohur si Raynaud. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, kardiokirurgu Sabjan Memishaj tregon se enët e vogla të gjakut të lëkurës së duarve apo të këmbëve ngushtohen duke zvogëluar sasinë e gjakut që shkon në lëkurë. Ai shton se gjatë kohës së sulmit nga ana e sëmundjes, zonat e prekura të lëkurës zbardhen dhe më tej shpjegon të gjithë faktorët e riskut që mund të shkaktojnë tipin primar apo sekondar të Raynaud. Memishaj thekson se trajtimi i sëmundjes kryhet duke u bazuar në simptomat klinike që të sëmurët shfaqin.



Çfarë është sëmundja Raynaud e njohur ndryshe si sëmundja e duarve të ftohta?
Sëmundja Raynaud është një sëmundje, e cila shkakton ftohje të gishtave të këmbëve apo të duarve gjatë ekspozimit ndaj të ftohtit apo gjatë stresit. Gjatë kësaj sëmundjeje, enët e vogla të gjakut të lëkurës së duarve apo të këmbëve ngushtohen, duke zvogëluar sasinë e gjakut që shkon në lëkurë. Femrat preken më shpesh nga kjo sëmundje se meshkujt dhe personat që jetojnë në vende të ftohta kanë një predispozitë më të lartë për t’u prekur nga Raynaud.

Cilat janë simptomat kryesore që shfaqin pacientët?
Shenjat kryesore të Raynaud janë: gishta të ftohtë, ndryshime të ngjyrës së lëkurës nën ekspozimin ndaj stresit apo ndaj të ftohtit, ndjesia e shpimit apo dhimbje në gishta gjatë procesit të ngrohjes apo kalimit të stresit.

Çfarë ndodh me trupin në momentin që sëmundja zhvillohet?
Gjatë një ataku të kësaj sëmundjeje, në fillim zonat e prekura të lëkurës zbardhen. Pas kalimit të sulmit, zonat e prekura kthehen të kuqe ose bëhen të ënjtura. Zakonisht kjo sëmundje prek lëkurën e gishtave, por mund të prekë edhe majën e hundës, buzët apo veshët. Pas ngrohjes duhen rreth 15 minuta që të normalizohet qarkullimi i gjakut në atë zonë.

Mund të na tregoni se cilët janë shkaktarët kryesorë të Raynaud?
Enët e gjakut në gjendje spazme (ngushtimi). Gjatë përballjes me stresin apo me të ftohtin, enët e gjakut të gishtave ngushtohen, duke zvogëluar sasinë e gjakut që kalon tek ato. Me kalimin e kohës, këto enë gjaku trashen duke e kufizuar në mënyrë të vazhdueshme kalimin e gjakut nëpër gishta. Zakonisht temperaturat e ulëta e shkaktojnë ngushtimin, ekspozimi ndaj të ftohtit si: futja e duarve në ujë të ftohtë, marrja e diçkaje të ftohtë nga frigoriferi apo dalja në ajër të ftohtë. Për disa persona ekspozimi ndaj stresit mund të shpërthejë të njëjtin fenomen.

Cilat janë llojet e sëmundjes?
Ka dy lloje të kësaj sëmundjeje, sëmundja primare dhe ajo sekondare. Sëmundja Raynaud primare zakonisht nuk lidhet me shfaqjen e ndonjë sëmundjeje tjetër në organizëm. Zakonisht është shumë e lehtë dhe pacientët nuk kërkojnë ndihmë mjekësore në lidhje me të. Kjo lloj gjendjeje shërohet gradualisht pa mjekim. Ndërkohë sëmundja Raynaud sekondare mund të shoqërohet me një problem tjetër mjekësor. Kjo zakonisht është më e rrallë se sëmundja primare, por ka shfaqje klinike më serioze. Zakonisht shenjat e saj shfaqen pas moshës 40 vjeç. Shkaqet e sëmundjes Raynaud sekondare janë sëmundje të indit lidhor. Shumica e njerëzve që kanë një sëmundje të rrallë, që shoqërohet me forcim apo trashje të lekurës (skleroderma) kanë sëmundje Raynaud sekondare. Sëmundje të tjera që mund të shkaktojnë Raynaud sekondar janë lupusi eritemaoz, artriti rheumatoid dhe sindroma Sjogren.

Po sëmundjet e arterieve a lidhen me Raynaud?
Po! Sëmundjet e arterieve përfshijnë depozitimin e pllakave ateromatoze në faqen e brendshme të enëve të gjakut, duke shkaktuar ngushtimin e tyre (arteroskleroza). Në këtë lloj sëmundjeje muret e arterieve të këmbëve dhe të duarve inflamohen (Buerger sindrom). Si dhe një sëmundje tjetër që prek enët e gjakut të mushkërive (hipertensioni pulmonar primar). Ndërkohë sindroma e Tunelit Karpal ka të bëjë me shtypjen e një nervi kryesor të dorës, duke shkaktuar mpirje dhe dhimbje në dorë. Kjo lloj situate mund ta bëjë dorën më të ndjeshme ndaj të ftohtit. Sëmundje të tjera që lidhen me sëmundjen Raynaud janë: vibrime të herëpashershme, (rënia e pianos ose kryerja e të njëjtës lëvizje në mënyrë të herëpashershme shkakton dëmtime), duhanpirja (duhani shkakton ngushtim të enëve të gjakut), dëmtime në duar apo në këmbë (këtu përfshihen dëmtimet në kyçe ose kirurgjia), disa lloj medikamentesh (përfshihen ilaçet betabllokues (ilaçe për mjekimin e tensionit), ilaçet për migrenën, ilaçet e kimioterapisë).

Cilat janë kategoritë më të predispozuara për t’u prekur nga sëmundja?
Faktorët e rrezikut për sindromën Raynaud primare janë mosha, seksi, klima, historia familjare. Kështu nga lloji i parë i sëmundjes femrat preken më shumë se meshkujt e kjo lloj sëmundje shfaqet më shpesh ndërmjet moshës 15 dhe 30 vjeç. Zakonisht tek personat që jetojnë në vende të ftohta kjo lloj sëmundje është më e shpeshtë. Nëse preket i afërm i shkallës së parë nga sëmundja, rreziku për t’u prekur familjarët e tjerë rritet. Ndërkohë te faktorët e rrezikut për sëmundjen Raynaud sekondare përfshihen sëmundjet shoqëruese siç është skleroderma dhe lupusi. Sëmundjen e llojit të dytë mund ta shkaktojnë edhe disa lloj profesionesh, ku përfshihen disa punë që shkaktojnë vibracione të shpeshta dhe trauma të përsëritura. Edhe ekspozimi ndaj disa substancave si përdorimi i duhanit, përdorimi i ilaçeve që shkaktojnë ngushtim të enëve të gjakut, si dhe ekspozimi ndaj substancave si vinil kloridi mund të ndikojnë në sëmundjen Raynaud sekondare.

Mund të na shpjegoni se cilat janë komplikacionet që mund të shfaqin të sëmurët?
Nëse sëmundja Raynaud sekondare është serioze, zvogëlimi i sasisë së gjakut që shkon nëpër gishta mund të shkaktojë dëmtime të tyre. Një arterie e bllokuar mund të çojë në ulçer (plagë) të gishtave ose nekrozë (vdekje të indit). Në raste të rralla mund të jetë e nevojshme edhe amputimi (prerja) e pjesës së nekrotizuar.

Si bëhet diagnostikimi i tipit primar apo sekondar të sindromës Raynaud?
Për të bërë diferencimin nëse sëmundja është e tipit primar apo sekondar duhet bërë një test që quhet kapilaroskopia e thoit. Në këtë test doktori me ndihmën e një mikroskopi ekzaminon lëkurën në bazën e thoit për të parë nëse ka deformime apo zmadhime të enëve të vogla të gjakut (kapilareve). Nëse doktori ka dyshime për ndonjë sëmundje shoqëruese siç janë sëmundjet autoimune apo sëmundjet e indit lidhor, atëherë mund të kërkohen teste të tjera si: antitrupat antinuklear; eritrosedimenti.

Si realizohet trajtimi për pacientët e sëmurë?
Të veshësh doreza ose çorape të trasha është një mbrojtje efektive për format e lehta të sëmundjes. Ilaçet përdoren për rastet e lehta apo të rënda. Duke u mbështetur mbi shenjat klinike mund të përdoren:
bllokuesit e kanaleve të kalciumit, ilaçet vazodilatator, procedura kirurgjikale, kirurgjia e nervave apo edhe injektimi kimik. Mjekët mund të injektojnë anestezik lokal për të bllokuar nervat simpatik në dorën e prekur. Procedura mund të përsëritet nëse shenjat rikthehen.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *