Kulturë

“Vrasje në kryeministri”/ Romani i Diana Çulit në çmimin “Balkanika”

16:46 - 07.10.19 Gazeta Shqiptare

Fatmira Nikolli – Romani që do prezantohet këtë vit, në garën për të fituar çmimin letrar “Balkanika”, do të jetë romani i shkrimtares Diana Çuli “Vrasje në kryeministri” (Botimet Dudaj, 2018). Një kryeministre, një detektive dhe shumë mistere. Libri fillon me një punonjës të lartë të kryeministrisë, i cili gjendet i vdekur në zyrën e tij, vonë natën. Dyshohet se mund të jetë edhe vrasje. Nëse është e vërtetë, kush e ka kryer vrasjen? Dhe përse? Kjo është historia e romanit më të ri nga shkrimtarja Diana Çuli. Pas romanit “Hoteli i drunjtë” apo “Rrethi i kujtesës” shkrimtarja iu rikthye thrillerit. Sipas jurisë kombëtare romani, ka marrë shumë vlerësime që pas botimit. Në sondazhin e institutit “Pashko”, të UET-it në muajin mars të vitit 2019 ai doli si romani i dytë më i lexuar, pas veprës “Kur sunduesit grinden” të Ismail Kadaresë.



“Një libër që i ka i të gjithë ingredientët për të qenë një thriller i mirë – ndërtimin e zgjuar të suspensit, të misterit, dozë konspirative me përmasa ndërkombëtare dhe, ajo që është me rëndësi, një njohje mjaft të mirë të ambienteve, ritmin e rrëfimit dhe, padyshim, lexueshmërinë”, ka thënë Piro Misha për këtë vepër. Ai ka shtuar se “kemi të bëjmë me një prozë që nxjerr më së miri në pah gjithë cilësitë më të mira e të tashmë të njohura të prozës së Diana Çulit: Rrëfimin e shkathët; prozë e një dore tashmë të stërvitur mirë prej një përvoje të gjatë; gjuhën e pasur; zhdërvjelltësi dhe natyrshmëri të dialogut. Proza e Diana Çulit është një prozë e kulturuar, e zgjuar, që lëviz natyrshëm në ambiente nga më të ndryshmet të jetës sot, duke arritur t’i bëjë ato të besueshme”.
“Unë besoj tek letërsia, që më thotë: po sikur? Po sikur të ketë një gjë të tillë, çfarë mund të ndodhë? Gjithashtu, në historinë e njerëzimit asgjë nuk përjashtohet. Njerëzit çfarë nuk kanë bërë e çfarë nuk bëjnë për të arritur synimet e tyre. Krijojnë grupe, parti, po edhe sekte të fshehta, urdhra të fshehtë, organizata ligjore e jo ligjore; i kanë bërë në të shkuarën, i bëjnë dhe sot e kësaj dite”, thoshte Çuli për “GSH” kur doli romani, duke shtuar se “vrasjet politike, veçanërisht të tipit që unë kam përshkruar në libër kanë shumë shembuj e zanafilla; janë të njohura vrasjet politike të disa organizatave anarkiste, vrasjet politike jo shumë larg nesh, në Itali, vite më parë, vrasjet mafioze, po shumicën e rasteve të lidhura me politikën e kështu me radhë”.

Çuli sqaronte më tej në lidhje me personazhet se “një personazh, Igli, më ka dalë nga duart, se e kisha menduar tjetërsoj në fillim. Ai i rezistoi tundimit tim për ta ndryshuar dhe qëndroi kokëshkëmb në të vetën. Ndërsa një personazh tjetër, Igor Rehanoviçi, serb, më ndryshoi shumë gjatë shkrimit, sa nuk e dija më në isha unë që po e drejtoja, apo ai mua. Ky proces është shumë interesant”.

Çmimin “Balkanika”, për romanin më të mirë të vitit në Ballkan, i cili ka më shumë se njëzet vjet që ekziston si aktivitet dhe që akordohet nga një juri ndërkombëtare, e kanë marrë deri tani tre shkrimtarë shqiptarë: Ismail Kadare, Fatos Kongoli dhe Bashkim Shehu.

Ky çmim, i mirënjohur në Europë dhe nga BE, është pjesë e veprimtarisë së Fondacionit Balkanika, organizatë kulturore ndërballkanike, me qendër në Sofie, që organizon projekte të kulturës në Ballkan. Toena është anëtare e këtij Fondacioni dhe organizatore e këtij çmimi në Shqipëri. 7 shtete të Ballkanit marrin pjesë në këtë garë: Bullgaria, Turqia, Greqia, Shqipëria, Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Juria ndërkombëtare përbëhet nga anëtarë të vendeve ballkanike që marrin pjesë në konkurrim dhe presidenti i saj është profesori Andreë Vachtel, SHBA.

Juria ndërkombëtare do të mblidhet për të punuar dhe shpallur fituesin e këtij edicioni në Tiranë, në muajin nëntor.
Juria kombëtare e këtij viti përbëhet nga: prof. Floresha Dado, Piro Misha, Preç Zogaj, Sonila Kapo. Ministria e Kulturës e Shqipërisë mbështet këtë aktivitet.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *