SPORT

Zemër shkodrane në Elbasan, Vllaznia mposht Kukësin për kreun

10:52 - 07.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Nëse ndokush do ta kishe parashikuar një fillim të tillë të kampionatit, të gjithë do të kishin qeshur me të! Bylisi është i pari me 12 pikë, 9 pikë larg maksimumit të mundshëm të këtyre 7 javëve të para, ndërsa sheh aty Skënderbeun, Teutën dhe Vllazninë. Një pikë poshtë tyre është Partizani dhe Tirana, ndërsa Kukësi është dy shkallë më poshtë 4 ekipeve kryesuese. Shtatë skuadra që duelojnë javë pas jave me njëra-tjetrën dhe që nuk po arrijnë të shkëputen. Kjo do të thotë ose cilësia është rritur së tepërmi krahasuar me edicionin e fundit, ose ka rënë. Natyrisht, shpresojmë që të mos jetë kjo e dyta!
Tre supergola në Elbasan, “qesh” Vllaznia.




Kush do ta kishte menduar përpara fillimit të sezonit se Vllaznia e rikthyer rishtazi në Superligë, por që ka ende të trashëguara problemet e së shkuarës, do të ishte në vend të parë pas javës së shtatë? Madje, do të mbërrinte këtu duke thyer pretendentët e Kukësit në një përballje direkte të luajtur në “Elbasan Arena”. Kukësi-Vllaznia ngjante si sfida klasike mes Goliathit të fuqishëm dhe Davidid të ri, që arrin të mposhtë ushtarin e madhështor të filistinëve me një gjuajtje precize me hoben e tij. Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi edhe në Elbasan, veçse Vllaznia gjuajtjet i ka dy, të dyja në rrjetë, të dyja të shkëlqyera! Do të jetë fillimisht braziliani Higor që kalibron një të majtë të rreptë nga jashtë zonës, e cila prehet në trekëndëshin e majtë të Xhikës, me gardianin e Kukësit, që është i pafuqishëm përpara gjuajtjes fantastike të mesfushorit kuqeblu. E dyta në të 79′-ën, kur Gligorov bën një dalje spektakolare në fundore dhe pason në qendër, aty ku e majta e Gilman Likës nuk tradhton dhe depoziton në rrjetë golin e fitores. Në mes të dy golave shkodranë, barazimi i përkohshëm i Shkurtajt pas një aksioni dhe pasimi prej manuali nga Kristal Abazaj. Gjithçka e bukur në këtë ndeshje, ashtu si dhe fitorja e Vllaznisë.

Laçi-Bylis, paqe e bardhë
“Hirushja” e kampionatit, Bylisi, vijon të mbajë me prepotencë vendin e parë, kjo falë golave me bollëk që ka shënuar, sidomos “manitas” ndaj Flamurtarit. Por në Laç, Dovedan e kishte të qartë që do haste vështirësi. Ndaj skuadrave të Starovës është gjithnjë e vështirë të çash, por kësaj radhe kurbinasit ishin të orientuar drejt sulmit. Fatkeqësisht për bardhezinjtë është Isli Hidi “supermeni” i mallakastriotëve, që pret çdo gjë që i drejtohet portës së tij, sidomos në minutat e fundit, kur sfida kthehet në Laçi kundër Islit, sidomos në goditjet e brazilianit Teko dhe Lushkjes në kohën shtesë, duke u dhënë një pikë të artë bardhekuqve dhe duke i mohuar fitoren Laçit, me ekipin e Starovës që në këto shtatë javë kampionat e ka provuar vetëm njëherë shijen e suksesit.

 Superliga

Java e 7-të
Të shtunën
Flamurtari – Tirana 2-2
Partizani – Teuta 1-1
Skënderbeu – Luftëtari 2-0
Të dielën
Laçi – Bylis 0-0
Kukësi – Vllaznia 1-2
Renditja
Skuadra N P
Bylis 7 12
Teuta 7 12
Skënderbeu 7 12
Vllaznia 7 12
Partizani 7 11
Tirana 7 11
Kukësi 7 10
Laçi 7 7
Luftëtari 7 5
Flamurtari 7 2


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.