DOSSIER

Letra e politikanit jugosllav Milovan Gjilas në tryezën e Enver Hoxhës

16:23 - 08.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ylli Polovina – Në mes të vitit 1969 një shqiptaro-amerikan me emrin Nikolla Kosta dërgoi nga SHBA dy letra. Njëra qe për Enver Hoxhën në Tiranë dhe tjetra për Milovan Gjilasin në Beograd.
Siç e shpjegon në letrën për Hoxhën, Kosta pretendon se është studiues, madje ka titullin profesor. Në një bisedë verifikuese që kryem këto ditë me një nga punonjësit e Misionit Shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në fund të viteve shtatëdhjetë e fillimin e dekadës së tetë, Meno Dedaj, Nikolla Kosta qe person që me të vërtetë merrej me studime historike dhe posaçërisht sociale. Po ashtu, sipas Dedaj, Nikolla Kosta shkruante sinqerisht në mbështetje të Shqipërisë dhe nuk bënte hipokrizi. Ai ishte mik i Misionit prej shumë kohësh dhe bashkëpunonte ngushtë me disa nga punonjësit e tij.
Karakteristike për Nikolla Kostën, ishte simpatia e tij politike për Partinë e Punës (ish-Partinë Komuniste). Gjithsesi nuk mund të thuhej se ai qe tip stalinist, kishte një hapje më të gjerë ideologjike ndaj së majtës marksiste. Vite të shkuara autori i këtyre radhëve ka ndjekur në një televizion gjerman një dokumentar-intervistë me Milovan Gjilasin, i cili ende qe gjallë (ndërroi jetë në 1995). Në bisedën dhe regjistrimin që iu bë në shtëpi nga trupa gjermane e xhirimit, ai kërkoi që t’i sillnin dhe ta vendoste para kamerës për ta parë të tërë, një bust të madh të Karl Maksit, të cilin e mbante në studion e tij.
Ndërkaq, në mes të motit 1969 Gjilas qe tashmë një udhëheqës disident jugosllav shumë i njohur në të gjithë botën, madje i cilësuar si i pari i tillë i famshëm në tërë “kampin socialist” të kohës.




Jeta dhe idetë e tij qenë takuar shumë herë me fatin dhe historinë e Shqipërisë dhe pas rënies së diktaturës ne kemi bërë shumë pak për ta njohur këtë raport, pas të cilit fshihen mjaft surpriza. Na kanë penguar paragjykimet. Prandaj po ravijëzojmë fare shkurt disa nga ngjarjet më kryesore të jetës së tij.
A ËSHTË SHQIPTAR
MARKSISTI JUGOSLLAV MILOVAN GJILAS?
Milovani ishte i katërti i nëntë fëmijëve të fshatarëve Nikolla dhe Novka Gjilas. Ai pati lindur në 12 qershor 1911 në varganin e maleve të kufirit të Malit të Zi me Shqipërinë. Emri i fshatit vendlindje tingëllon afërsisht Podbishe.
Kur Andrea Shkodrani do të punonte si i Ngarkuar me Punë në Legatën Shqiptare në Beograd në motet 1964-1967, sipas një këshillimi që bëmë me të para disa ditësh, rezulton se në përfaqësinë tonë diplomatike mbledhjen e informacionit për fatin dhe jetën e Gjilasit nuk do ta kishte ndonjë epërsi, frymë kjo që vinte edhe nga Tirana. Ndërkohë sipas të gjitha rregullave të diplomacisë njohja e saj dhe raportimi njohës në qendër, duhej të ishte veprim i domosdoshëm.
Duket ekzistonte një vëmendje nga larg, një “përgjim” i skithtë, pa rënë në sy. Tirana bënte sikur nuk ja varte çfarë ndodhte me Milovan Gjilasin, por në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme kemi gjetur një radiogram të dërguar nga ambasadori shqiptar në Beograd Sokrat Plaka, diplomat mjaft aktiv dhe inteligjent, më pas edhe një nga drejtuesit e këtij institucioni të lartë diplomatik.

Letra dërguar Enver Hoxhës fq 1 Letra derguar Enver Hoxhes nga Nikolla Kosta fq 2 Letra e Milovan Gjilas dërguar Nikolla Kostës që i bie në dorë Enver Hoxhës Letra e Nikolla Kostës dërguar Enver Hoxhës fq 3 Njfotimi i ambsadorit shqiptar në Beograd
<
>

Ky mesazh i koduar për Ministrinë daton 16 shkurt 1981 dhe ka numrin e regjistrimit protokollar 390.
Në radiogram thuhet shprehimisht: “Ambasadori portugez po lexon librin e fundit të Gjilasit ‘Tito miku im, armiku im’. Në këtë libër ka referenca për qëllimet e Titos për të vendosur influencën jugosllave në Shqipëri. Ja kam kërkuar për lexim- Libri është botuar në Perëndim”.
Ndërkohë Andrea Shkodrani tregoi për një të fshehtë të jetës së Gjilasit: kur ishte me punë në Beograd (qe atje rreth shtatë vite) flitej se politikani i shumënjohur jugosllav ishte me origjinë shqiptare. Sipas fjalënajës, në këtë kombësi kishte qenë i gjyshi. Por Andrea saktësoi: Milovan Gjilas asnjëherë as me të shkruar dhe as me të folur nuk e ka pohuar këtë lidhje. Kur u pyet njëherë dha përgjigje pa pohuar dhe as mohuar. Shqiptoi fjalë rrëshqitëse.
Kjo traditë heshtjeje, në mos vetëcensurimi, për këtë mundësi përkatësie etnike u vijua më vendosmërisht nga i biri i tij Dragan, i cili i emëruar prefekt i Beogradit, në vitin 2010 bëri një vizitë në Prizren. Kur deshi të hynte pak javë më herët, duke qenë se nuk pati kërkuar leje tek autoritetet e qeverisë së Prishtinës, nuk u lejua të vinte këmbë në territorin e Kosovës. Kur bëri kërkesën zyrtare dhe nuk u pengua, Dragani u soll qetësisht dhe me frymë miqësore gjatë tërë turit, sidomos në Prizren. Këtu, mes shqiptarëve, ai jo vetëm që nuk lëshoi ndonjë nënkuptim për ndonjë afri kombësie me këta të fundit, por nuk u paraqit as si malazez, siç qe i ati.

U vetëdeklarua serb.
Ndërkaq falë një verifikimi tjetër që bëmë me një punonjës të lartë të kulturës në Prishtinë në periudhën e para nëntëdhjetës (Nexhmedin Shehu, drejtor i Qendrës Kulturore të Rinisë), mes shqiptarëve të Kosovës nuk ka pulsuar ndonjëherë dëshirë dhe kuriozitet për ta pasur të gjakut të vet Milovan Gjilasin.
Mundet që fjalët se prej gjyshit ai është shqiptar (përderisa në disa nga biografitë e tij përcaktohet si vendlindje rreshti i maleve në kufi të vendit tonë me Malin e Zi dhe që njihet si territor historikisht i banuar palëkundshëm nga shqiptarët) të kenë qarkulluar prej udhëheqjes komuniste jugosllave dhe sidomos Titos, sepse të dy palët me kohë kanë bërë divorc politik. Josip Broz e burgosi Gjilasin tri herë. Ishte në interes të tij që veprën disidente të Gjilasit ta djallëzonte si të frymëzuar jo nga parimet marksiste, por prej irredentizmit shqiptar në Jugosllavi.
E përsëritim: shqiptarët e Kosovës nuk kanë asnjë grimë interesimi për ish-udhëheqësin jugosllav, edhe tani, kur janë të lirë e mund t’i çelin pak më shumë vend. Madje atje, kur bie fjala për Milovan Gjilasin, qarkullojnë një barsoletë. Sipas saj, një malazez e pyeti Mareshallin Tito përse e patën burgosur Gjiden (emri përkëdhelës i Gjilasit). Ky iu përgjigj: “Sepse ka kërkuar një tjetër socializëm”.
Atëherë malazezi ia kishte kthyer: “Aaa, pak na doli ky socializëm që kemi dhe ai të kërkojë një tjetër?! Mbajeni në burg e mos e lironi kurrë!”

TITO E BURGOSI TRI HERË,
POR SIGURISHT NUK E PUSHKATOI
Pasi pjesën e parë të shkollimit Milovan Gjilas e përfundoi në Malin e Zi, në 1929 ai u regjistrua në Universitetin e Beogradit për degën e letërsisë. Gjatë periudhës studentore u bë komunist dhe shumë shpejt u arrestua si agjitator i këtyre ideve. Diktatura e mbretit Aleksandër Karagjorgjeviç e burgosi. Ky dënim i tij i parë zgjati në motet 1933-1936. Pikërisht në periudhën e këtij burgimi, nëpër qeli, u njoh me Titon, me Mosha Pijaden dhe Aleksandër Rankoviçin, që të tre krerë të jugokomunizmit dhe të rezistencës partizane kundër pushtimit gjermano-italian.
Kur mbaroi dënimin nga mbreti diktator me të dalë nga burgu Gjilas u martua me një studente komuniste malazeze, Mitra Mitroviçin, me të cilën kaloi edhe vitet e luftës, përherë në mal. Në 1938 ai u zgjodh në Komitetin Qendror dhe në Byronë Politike të Partisë Komuniste Jugosllave. Kjo u përsërit edhe në 1940. Qe po ashtu kryeredaktor i gazetës së PKJ “Borba”(Lufta)si edhe pas çlirimit i “Nova Jugoslavija” (Jugosllavija e re). Më 1944 Milovan Gjilas u gradua edhe si gjeneral i ushtrisë partizane. Pikërisht këtë kohë ai udhëhoqi një delegacion të partisë së tij dhe lëvizjes së saj të armatosur në Moskë, duke u takuar për herë të parë me Josif Stalinin.

Gjatë viteve 1945-1954 Gjilasi u bë Nënpresident i Jugosllavisë si edhe kryetar i parlamentit (Asamblesë Federale). Me pak fjalë sipas protokollit shtetëror ishte figura e dytë e vendit pas Titos.
Në 1947 Milovan Gjilas dhe bashkëshortja e tyre Mitra Mitroviç lindën një vajzë.
Kur marrëdhëniet mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik në 1948, nën një tension të madh mes dy shteteve dhe partive komuniste, u ndërprenë, Milovan Gjilas shpërtheu sulmin kundër Stalinit dhe doktrinës së stalinizmit. Ai u bashkua fort pas Titos dhe bashkë me Eduard Kardelin dhe Boris Kidriçin u bënë arkitektët e “vetadministrimit” socialist jugosllav, themelit të teorisë dhe të praktikës së titizmit, rrugës nacionale të komunizmit për këtë vend. Këtë të fundit ata e quajtën edhe jugosllavizëm, term që e pranoi edhe historishkrimi perëndimor.
Në 1950 Gjilas u divorcua me gruan e parë, Mitrën, dhe në 1952 u martua me Steficën, një ish-partizane kroate. Prej kësaj lidhjeje në 1952 patën një djalë, Draganin, për të cilin ju folëm më sipër.
Duke e kritikuar ashpër që prej vitit 1948 stalinizmin, Milovan Gjilas në fund të motit 1953, tehun e qortimit të tij e nderi edhe ndaj Titos. Kërkoi demokratizimin dhe decentralizimin e titizmit. Për pasojë, Plenumi i Tretë i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në janar 1954 e shkarkoi nga të gjitha funksionet që mbante, kurse në mars ai u vetëlargua edhe nga partia. Arrestimi i parë i ndodhi më 1956 dhe burgosja zgjati deri më 1961. Ndërsa qe në qeli, shkroi librin e bujshëm “Klasa e Re”, i cili më 1957 u botua në Perëndim dhe SHBA (“The Neë Class”). Në këtë libër ai akuzonte partinë e shndërruar tashmë në një burokraci egoiste, bërë partnere në instalimin e diktaturës komuniste.
Realisht Milovan Gjilas në këtë libër tronditës e veçonte realkomunizmin në formën e stalinizmit, leninizmit apo titizmit nga marksizmi. Këtë dallim e ka argumentuar tek libri tjetër i tij “Shoqëria jo perfekte” (The Unperfect Society), të cilin e botoi në 1969. Informojmë se në periudhën 1962-1966, Gjilas ishte sërish në burg. Një nga arsyet qe botimi i një libri tjetër të tij “Biseda me Stalinin” (“Conversasions ëith Stalin”), i cili u publikua në Londër. Në këtë botim ka më shumë të vërteta akuzuese kundër intrigave titiste ndaj Shqipërisë se sa në librin e mëvonshëm të Enver Hoxhës “Me Stalinin”.
Librin për Titon Milovan Gjilas e botoi menjëherë pas vdekjes së kryekomunistit jugosllav, më 1980. Gjilas ka krijuar dhe publikuar edhe mjaft libra të tjerë. Me pak fjalë ai në Jugosllavinë komuniste bëri tre herë burg dhe nuk botoi dot asnjë prej librave të tij, të cilat qenë më shumë se një duzinë. Këto u publikuan në Perëndim.

LETRA E NIKOLLA KOSTËS
PËR E.HOXHËN, QERSHOR 1969
Thamë në fillim të këtij shkrimi se shqiptaro-amerikani Nikolla Kosta në qershor 1969 i dërgoi një letër kryekomunistit stalinist të Tiranës.
Letra e tij e plotë:
“I dashur Enver Hoxha!
Më tërheq vëmendjen se së afërmi shumë njerëz nga Komiteti Shqiptar i Amerikës do të ftohen të marrin pjesë në festimet e 25-vjetorit të ardhjes në fuqi të PPSH. Si edukator dhe amerikan me origjinë shqiptare jam shumë i interesuar për historinë e vendit të prindërve të mi, ky interesim i përgjigjet detyrës që kam marrë për të shkruar një tekst shkollor mbi formimin dhe sukseset e Republikës Popullore të Shqipërisë. Pra ky është qëllimi im që po u shkruaj. Në këtë tekst shpresoj të jap fakte të pa mohueshme të revolucionit politiko-shoqëror që dolli gjatë luftës për çlirimin kombëtar q’u zhvillua si rezultat i dëshirës së popullit, për të vendosur një strukturë të re politiko-shoqërore e cila do të bashkonte Shqipërinë dhe do t’i jepte fund ndarjes që ekzistonte midis bejlerëve dhe fshatarëve. Dëshiroj të faktoj pa asnjë dyshim se P.K.Sh. ishte i vetmi grup i zoti që bëri transformimin e nevojshmë dhe industrializimin. Dëshiroj t’i jap fund mitit që ekziston se P.K.Sh. u krijua si rezultat i emisarëve të Titos dhe Jugosllavisë, gjithashtu dëshiroj të paraqes një studim të hollësishëm të rritjes ekonomike të Shqipërisë, që mundi të arrihet vetëm nën udhëheqjen e PPSH.
Si edukator dhe njeri që dua të shkruaj për rritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë, mendoj se ju do të më ndihmoni në këtë projekt. Dëshiroj të më ftoni të vizitoj Shqipërinë kështu që do të kem mundësi, që me ndihmën e mësuesave të ndryshëm dhe ish-komandantëve partizanë të punoj në burimet kryesore dhe të përdor arkivat me qëllim që të mbledh materialet e nevojshme për tekstin tim.
Nuk e di si do t’i përgjigjeni kërkesës time. Akoma nuk e di se si shqiptar që jam dhe për shkak të dashurisë tonë të përbashkët për Shqipërinë, a do jetë e mundur që ju të merrni parasysh kërkesën dhe meritat e mia për studimin e projektit tim.
Juaji me respekt
Profesor Nikolla Kosta”.
Përveç kësaj letre, ku bashkëkombësi i kërkon Enver Hoxhës që ai personalisht ta ftojë të vijë në Shqipëri dhe me këtë rast t’i vihen në dispozicion njerëz dhe arkiva, kuptohet po ashtu edhe përballimin e tërë shpenzimeve, nuk kemi gjetur ndonjë shenjë tjetër të shkruar e ruajtur në arkivin e Ministrisë së Jashtme. Ka të ngjarë që kjo çështje të jetë mbyllur, sepse shkrues të tillë që nuk jepnin garanci për t’ia dalë deri në fund nuk mbaroheshin, shumica të huaj. Nikolla Kostës as sot në internet nuk i gjendet ndonjë shenjë studimi, libri apo veprimtarie politike ose sociale. Në SHBA, pas kërkimeve online, ka të dhëna për një homonim të tij, i cili thotë se Nikolla T. Kosta ka lindur në Shqipëri, nënë ka pasur Marien dhe baba Theodhorin. Një vëlla me emrin Gjergj si edhe në tjetër e kishte në Shqipëri. Ky Nikolla Kosta ka qenë marrë me biznes të zakonshëm dhe po ashtu ka shërbyer gjatë Luftës së Dytë Botërore në ushtrinë amerikane, në forcat ajrore. Ka qenë gjithashtu në këshillin e një kishe greke, pra ortodokse. Sipas këtij këshillimi në internet ky Nikolla Kosta ka lindur në 1923 dhe ndërruar jetë në 1990. Mund të jetë letërshkruesi i Enver Hoxhës pikërisht ky, ndoshta.
LETRA E MILOVAN GJILAS
Por ajo që e bën interesante dhe të dobishme tërë këtë histori, pra të paraqitshme para opinionit publik dhe studiuesve të historisë kombëtare është një letër që Nikolla Kostës i ka bërë Milovan Gjilasi.
Ka të ngjarë që Kosta t’ia ketë sjellë Tiranës dhe pse jo personalisht Enver Hoxhës në ndihmë të pikëpamjes së këtij të fundit, të këmbëngulur edhe në librat e tij me kujtime, se as Sejfulla Malëshova dhe as Koço Tashko, që në një farë mënyre e pretendonin, nuk ishin ndonjëherë të dërguar në Shqipëri të Kominternit.
Kjo provë nuk qe pak për tërë atë peripeci denigrimi dhe mohimi që Hoxha u bënte rivalëve të tij me në biografi lidhje më të vjetra se ai me lëvizjen komuniste botërore dhe Moskën. Enveri pati takime shumë të vona, pothuaj të pas një dekade, fillimisht me një kovaç në Korçë.
Besojmë se letra konfidenciale e Milovan Gjilasit ka përfunduar në tryezën e Enver Hoxhës, sigurisht pa e ditur shkruesi, ndoshta i përdorur nga Nikolla Kosta për të lehtësuar ftesën e dëshiruar që të vinte në Shqipëri i pajisur me shumë lehtësira e favore pune.
Kjo letër thotë:
“I dashuri Z. Kosta,
Praktikisht unë nuk di asgjë lidhur me përfaqësimin e komunistëve shqiptarë në Komintern për periudhën 1917-1939. Me sa duket faktet lidhur me këtë ju mund t’i gjeni në Moskë ose Tiranë. Unë di vetëm se në vitin 1928 ekzistonte një grup komunist në Moskë me Ali Kelmendin si udhëheqës (shiko “Iz istorije Albanaca, faqe 212, Beograd, 1938, zavod za izdavanje udzbenika). Në vitin 1930 ky grup u shpërnda. Në 1931 Kelmendi u kthye në Shqipëri dhe filloi të organizojë grupet komuniste. Më 1935 ai emigroi në Francë ku vdiq në 1939. Duket se Shqipëria nuk ka pasur përfaqësues në Komintern.
Ju falenderoj për ftesën tuaj të përzemërt për t’u vizituar juve dhe familjen tuaj.
Të fala të përzemërta
Sinqerisht i juaji
Beograd, 16 qershor 1969″.
Duhet theksuar se Enver Hoxha nuk e pretendoi ndonjëherë cilësinë e tij si i dërguar i Kominternit, por çuditërisht këtë rrethanë që nuk e përfitoi asnjë shqiptar, e kërkon Josip Broz Tito.
Në provë për këtë diversion po citojmë një fragment nga botimi në 1981, në shqip, në Kosovë, të librit “Shqipëria e Enver Hoxhës”, me titull në botimet e vitit 1949 në Perëndim “Gjaku i tradhtuar”. Në Kosovë u ribotua në 1981 si kundërpërgjigje për mbrojtjen që Hoxha i bëri çështjes së drejtë të protestave studentore për t’u shpallur republikë.
Në këtë fragment të këtij libri thuhet se në 23 dhjetor 1942 u përpilua letra e Titos për Partinë Komuniste Shqiptare, një vit më parë e themeluar edhe me ndihmë parësore të dy jugosllavëve, e cila shkoi në destinacion me anën e Blazho Jovanoviçit. Me anën e saj “Tito u parashtroi komunistëve shqiptarë detyrat që u shtronte para tyre Kominterni, pastaj përmendte disa çështje lidhur me organizimin e partisë. Thoshte më tej: “Nga materiali që po ju dërgojmë ju do të njiheni më hollësisht me strukturën e ushtrisë sonë nacionalçlirimtare, partizane dhe vullnetare dhe ju këshillojmë që të përfitoni nga përvoja jonë gjashtëmbëdhjetë vjeçare, e cila ka dhënë rezultate shumë të mëdha në luftën tonë nacionalçlirimtare”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.