Sociale

Rektorët në takim me Gramoz Ruçin; Ethem Ruka: Kërkimi shkencor, i zbehur

15:20 - 08.10.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në kuadër të 1-vjetorit të nënshkrimit të kontratave të bashkëpunimit mes 24 universiteteve dhe Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua një tryezë diskutimi mbi arritjet e deritanishme dhe sfidat për të ardhmen. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti në takim, rektorë të IAL-ve publike e jopublike. I pranishëm në këtë diskutim ishte edhe rektori i universitetit “Luarasi”, prof. dr. Ethem Ruka, i cili vlerësoi mundësinë që Kuvendi i ka ofruar institucioneve të arsimit të lartë. “Kolegji Universitar “Luarasi”, të cilin unë e përfaqësoj, duke patur një fakultet Juridik, ka qenë dhe mbetet shumë i interesuar për të shfrytëzuar mundësitë e mëdha që krijon Kuvendi i Shqipërisë. Këtë përfitim e shikoj në shumë plane. Në radhë të parë Kuvendi ka një arkivë shumë të pasur të legjislacionit, i cili mund të jetë objekt i studimeve, duke filluar që nga diplomat e studentëve e deri në një punë më të organizuar të pedagogëve të cilët merren me fushën e Drejtësisë. Së dyti, Kuvendi dhe organizmat që ai ka në vartësi të vet, komisionet parlamentare, seancat parlamentare ku zhvillohet një debat i gjallë për ligjet, për të gjitha praktikat parlamentare; mendoj se është një laborator i shkëlqyer edhe për studentët që studiojnë në fushën juridike”,-nënvizoi Ruka. Gjithashtu, ky i fundit shprehu gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin me këtë institucion. Jemi të gatshëm që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë në çështje të tjera. Ne tek “Luarasi” kemi ftuar profesorë dhe grupe interesi, por një hapje e tillë, për të ftuar rektorët, po e shohim për herë të parë. Të njëjtën hapje ka bërë edhe Akademia e Shkencave, ku kemi qenë të pranishëm javën e kaluar. Sa më shumë hapemi dhe sa më shumë bashkëpunojmë me institucionet, të gjithë janë gjëra të mira dhe është diçka pozitive që institucionet hapen ndaj universiteteve”,-u shpreh rektori Ruka.




Problematikat
Në fjalën e tij para rektorëve të IAL-ve të tjera dhe Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, prof. dr Ethem Ruka theksoi se kërkimi shkencor është zbehur dhe kërkon rritje të fondeve për përmirësimin e situatës. “Kërkimi shkencor në vendin tonë ka rënë, është sporadik. Ka fonde shumë të kufizuara. Disa institucione janë në një situatë të mjerueshme dhe janë në gjendje alarmi. Do të duhen shumë fonde, por fondet e para janë ato që ruajnë identitetin e kombit tonë. Duhet pak më shumë fonde. Ka gjëra që bëhen me lekë, por ka gjëra që bëhen edhe me shpirt. Pedagogët e shkollave tona të lartë mund të punojnë për raportet të ndryshme kombëtare”,-bëri me dije Ruka. Ai shtoi se duhet bërë verifikimi i titujve shkencorë dhe evidentimi i plagjiaturave. “Në Shqipëri ka ndodhur një inflacion i gradave shkencore, majtas dhe djathtas, deri tek artikujt fiktivë, dhe paraqiten si diçka origjinale. Që të verifikosh sot doktoratat duhet logjistikë e madhe”-tha rektori. Vetë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi pranoi se disa detyrime si rritja e financimit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk janë plotësuar në nivelin e duhur. “Unë jam i vetëdijshëm se Kuvendi dhe qeveria, universiteteve u detyrohen shumë, dhe ende më shumë studentëve dhe profesorëve të të gjitha universiteteve shqiptare. Disa nga këto detyrime si për shembull rritja e financimeve për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, sigurisht që nuk janë plotësuar në nivelin e duhur për shkak edhe të burimeve të kufizuara financiare. Por disa të tjera si vonesa në nxjerrjen e akteve nënligjore, në mbështetje të ligjeve të miratuara nga Kuvendi, sigurisht që kërkojnë vëmendje, produktivitet nga ana e disa ministrive dhe institucioneve. Mjaft nga propozimet e akademikëve, rektorëve të universiteteve dhe ekspertëve, janë marrë në konsideratë nga komisionet e mandej edhe nga seancat e kuvendit”,-theksoi Ruçi.

100-vjetori i parlamentarizmit
Rektori Ethem Ruka foli edhe për 100-vjetorin e krijimit të parlametarizmit shqiptar, ku mes tjerash theksoi se për këtë temë, Universiteti “Luarasi” është i gatshëm të ftojë në auditoret e tij deputetë dhe kryetarë të grupeve parlamentare, të cilët do të flasin mbi historinë dhe dobinë e një Kuvendi funksional. “Lidhur me 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar. Kjo është një gjë shumë e madhe. Parlamentarizmi është në thelb të demokracisë dhe të historisë tonë. Ne kemi mundësinë të flasim për parlamentarizmin, kemi mundësi të ftojmë dhe të bëjmë tavolina të rrumbullakëta dhe të flasim për këtë histori. E shikoj shumë të frytshme këtë tavolinë dhe uroj që të mblidhet sërish, sepse të gjithë ne e kemi të nevojshme të flasim dhe të adresojmë problemet që dalin përpara dhe të shkëmbejmë ide”-tha mes tjerash, Ethem Ruka. Ndërkohë Gramoz Ruçi, me rastin e 100- vjetorit të parlamentarizmit, kërkoi nga universitetet akordimin e bursave për studentët më të mirë. “Në janar të 2020 do të mbahen një sërë aktivitetesh me rastin e 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar. Një ndër këto aktivitete do t’i dedikohet edhe akordimit të bursave për studentët më të mirë si në universitetet publike dhe ato private. Do t’u bëja thirrje dhe besoj se do të kemi mirëkuptimin tuaj që një pjesë të fondeve që ju keni programuar të përdorni për këto qëllime, të përfshihen edhe në këtë aktivitet”,-nënvizoi Ruçi.

Doktoratura dhe projektet
Rektori i Mjekësisë Arben Gjata bëri me dije se është drejt përfundimit projekti mbi qendrën e simulimit klinik, ndërkohë që kërkoi mbajtjen e premtimit për një infrastrukturë të re në QSUT. “Jemi në finalizim të projektit për të hedhur hapat e parë të një qendre simuluese për studentët e Mjekësisë, ku ata do të kenë mundësinë që para se të kryejnë praktikën me pacientët, të punojnë njëherë brenda qendrës me raste të improvizuara, me kukulla. Ndërkohë në premtimin që na është dhënë për të krijuar një infrastrukturë të re brenda QSUT-së, e cila do të krijojë kështu hapësira shumë më moderne dhe të domosdoshme për aftësimin e studentëve”,-tha Gjata. Sakaq, Mynyr Koni, në cilësinë e rektorit të Universitetit të Tiranës ngriti problemin e bllokimit të doktoraturës dhe kërkoi rritje financimi për kërkimin shkencor. “Në Universitetin e Tiranës, ka mbi 6 vjet që nuk kemi hapur programe të studimit të doktoraturës. Tashmë doktoratura parashikohet në kuadrin e projekteve kërkimore e që të realizohet një projekt i tillë kërkohet financim. Të kihet parasysh për në buxhetin e vitit të ardhshëm që të shikohet një mundësi dhënie fondi në kuadrin e kërkimit shkencor”,-theksoi Koni.

Ethem Ruka
“Gjendje alarmi”
“Kërkimi shkencor në vendin tonë ka rënë, është sporadik. Ka fonde shumë të kufizuara. Disa institucione janë në një situatë të mjerueshme dhe janë në gjendje alarmi. Do të duhen shumë fonde, por fondet e para janë ato që ruajnë identitetin e kombit tonë. Duhet pak më shumë fonde. Ka gjëra që bëhen me lekë, por ka gjëra që bëhen edhe me shpirt”,-bëri me dije Ruka.

Mynyr Koni
“Doktoratura, pezull”
“Në Universitetin e Tiranës, ka mbi 6 vjet që nuk kemi hapur programe të studimit të doktoraturës. Tashmë doktoratura parashikohet në kuadrin e projekteve kërkimore e që të realizohet një projekt i tillë kërkohet financim. Të kihet parasysh për në buxhetin e vitit të ardhshëm që të shikohet një mundësi dhënie fondi në kuadrin e kërkimit shkencor”,-theksoi Koni.

Arben Gjata
“Praktikat për mjekët”
“Jemi në finalizim të projektit për të hedhur hapat e parë të një qendre simuluese për studentët e Mjekësisë, ku ata do të kenë mundësinë që para te të kryejnë praktikën. Ndërkohë në premtimin që na është dhënë për të krijuar një infrastrukturë të re brenda QSUT-së e cila do të krijojë kështu hapësira shumë më moderne dhe të domosdoshme për aftësimin e studentëve”,-tha Gjata. ?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.